Çështja e investimit në Zvërnec, u bë shkak për debatin mes kreut të grupit të PS Taulant Balla dhe deputetit Agron Shehaj. Ky i fundit po akuzonte qeverinë për korrupsion e shitje të Shqipërisë, ndërsa Balla iu përgjigj duke thënë se zhurma që bën Shehaj s’ka lidhje me protestën, por me djalin e xhaxhait të tij.
Agron Shehaj tha Balla, ka pronë në Zvërnec, madje e sfidoi duke i thënë që të shkonin e në Vlorë për të vërtetuar ato çka vetë tha në Parlament.
“Që ta dini të gjithë këtu, ky Agron Shehaj që bërtet s’ka lidhje fare me protestën, ka hallin e djalit të xhaxhait. Ky bërtet për pronat. E di gjithë Vlora sa hektarë tokë ka Agim Shehaj. Unë të sfidoj, dalim nga salla dhe ikim në Vlorë”, tha Balla.
Pas akuzave nga ana e Shehajt, Taulant Balla i kujtoi dhe vjedhjen e listave të anëtarësisë së PD si dhe shumën e paguar Lulzim Bashës për ta bërë pjesë në grup.
“Ti je hajdut! I vodhe PD listën e anëtarësisë. T’i tërhiqet vëmendja një zhurmuesi, protesta s’ka asnjë lidhje me ty. I shkon televizioneve dhe i thua sa lekë do të më nxjerrësh mua në prime time? Ti je hajdut të dhënash personale, gjobaxhi dhe i dënuar për vjedhje të dhënash personale! Ktheji PD listën e të dhënave personale që i ke vjedhur sepse sot ka një lajm të mirë, Luli mund të bëhet i penduar dhe të tregojë sa lekë e ke paguar ti që të të fuste në listë”, i tha Balla.

Deputeti socialist Ardit Bido mori fjalën për t’iu përgjigjur pretendimeve të Agron Shehajt se reagimi i parë për Zvërnecin ka qenë prej partisë së tij. Ajo që i kujtoi Bido Shehajt ishin “të falat e Artur Shehut”, “të fortit” të Vlorës në vitet ’90 që sipas mediave, ka përfituar nga pushteti i PD duke u bërë pronar tokash në jug. Deputeti socialist e pyeti Shehajn cila ishte arsyeja “pas të falave” kur ai s’e ka përmendur Shehun.
“Erdhi çasti të heqim pak maskat. Partia Oportunizmi nuk deklaroi më 30 maj në momentin që doli videoja, asgjë. Vetëm pas reagimit të Ministrisë së Brendshme, ku unë jam një ndër deputetët e PS që i bën thirrje Ministrisë së Brendshme, u kujtuat të bënit një deklaratë.
Kam një pyetje... Ulaj... këtu, pse s’keni përmendur një emër? Unë kam këllqe. Kam dalë këtu dhe kam thënë ka 3 pretendentë për pronarët, kam thënë dhe mendimin tim që prona u takon fiseve Balliu dhe Moçka. Ti s’ke përmendur askënd. E vetmja gjë që ke bërë është që dole pas ca ditësh dhe u viktimizove se të bëri të fala Artur Shehu. Të bëri të fala, ti s’kishe reaguar ndaj tij, çfarë lloj të falash të bëri? Të bëri të fala që s’i ke përmendur emrin? Të bëri të fala se je falsitet? S’po i futem fare si je pasuruar. As që më 30 maj ke qenë në vilën tënde luksoze jashtë shtetit atje ku ke marrë paratë nga Shqipëria në Itali a Irlandë”, tha Bido.
Komente










