TIRANE- Biznesmeni më i përfolur Kastriot Ismailaj ka thyer heshtjen e tij disa mujore dhe ka vendosur të flasë para Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Pas tre seancash gjyqësore në mungesë, Ismailaj dje ka lënë qelinë e tij dhe ka vendosur të dalë përballë gjykatës duke treguar se çështja penale kundër tij dhe kompanive që ai administron është stisur qëllimisht si formë presioni me qëllimin e vetëm, tërheqjen e tij nga procesi gjyqësor në arbitrazh, ku Shqipëria rrezikon të humbë një shumë financiare prej 130 milion euro. Ismailaj, pohoi se emri i tij është lakuar së fundi nga politika e cila po bën politikë me emrin e tij dhe nisur nga kjo situatë, biznesmeni i rikujtoi gjykatës që të mos ndikohet nga politika dhe akuzat e rreme, por të gjykojë drejt çështjen.

Ai pohoi se vendimi i prokurorisë për konfiskimin e parave bëhet vetëm me qëllim që ai të mos ketë mundësi të paguajë avokatët e tij në gjyqin e arbitrazhit, duke shtuar me bindje të fortë se gjyqin ai do e vijojë deri në fund dhe nuk do të tërhiqet. Lekët, për të kryer pagesat e avokatëve, biznesmeni Ismailaj pohoi se do i gjejë dhe do kryejë pagesat.

Pagesa mbi 300 mijë euro
Për regjistrimin vetëm të padisë civile, që kompania “Debt International Advisory” ka bërë në gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë, biznesmeni Kastriot Ismailaj ka paguar një shumë prej më shumë se 300 mijë euro. Ismailaj u shpreh se tarifa fillestare e gjykatës është paguar në mënyrë ligjore dhe tashmë procesi është në vijim dhe se nuk mund të tërhiqet nga ky gjyq.

Sipas, tij paratë kanë burime të njohura dhe jo të panjohura. Këto shuma kanë ardhur në Shqipëri përmes rrugëve ligjore, siç janë bankat e njohura dhe prestigjoze dhe jo me çanta apo dorazi. Në fjalën e tij, Ismailaj kërkoi nga prokuroria të verifikoj burimin e këtyre parave dhe të vërtetojë se ato nuk janë të ardhura nga krimi por nga aktiviteti i kompanive që ai ka jashtë Shqipërisë.

Lekët e fituara në 2010
Të njëjtin qëndrim para gjyqtarit Simoni mbajti edhe avokati mbrojtës, ai kërkoi që Gjykata të pushoi këtë proces gjyqësor pasi paratë e bllokuara janë të kompanisë tjetër ADC dhe janë fituar para vitit 2010. Kohë kur nuk ishte krijuar kompania DIA që ka përfituar nga marrëveshja me CEZ-in. Gjithashtu, avokati tha se në kohën kur këto para kanë ardhur në Shqipëri nuk kishte hyrë në fuqi ligji i “Antimafia” dhe nuk mund të gjykohet mbi bazën e një ligji që nuk ka qenë në Shqipëri. Pavarësisht pretendimeve të avokatit dhe Ismailajt, prokuroria i qëndroi kërkesës për konfiskimin e rreth 3.5 mln euro që janë bllokuar në llogarit bankare të të arrestuarit.

Gjykata, pasi dëgjoi palët vendosi të shtyjë seancën për t’i lënë kohë avokatëve të dorëzojnë disa prova shkresore, mes tyre edhe vendimet e prokurorisë së vitit 2012 kur hetimet për kompanitë e Ismailajt janë pushuar për mungesë të elementëve të veprës penale. Ndërkohë, Ismailaj po hetohet nga prokuroria e Tiranës për dy akuza, atë të mashtrimit me pasoja të rënda dhe pastrimit të parave.
 
DIA me qendër në ishujt British Virgin Ekspozonte se kishte punëtorë në Shqipëri
DIA është krijuar si shoqëri në British Virgin Islands(BVI) vetëm në 5 Korrik 2010, ndërsa në Shqipëri është regjistruar në 4 Gusht 2010, pra nuk kishte si të ekzistonte strukture dhe punonjës të DIA-s) përpara datës 5 maj 2014, siç pretendohet nga Ismailaj. Nga dëshmitë e dhëna nga Kastriot Ismailaj në prokurori dhe Qendrën Ndërkombëtare të Arbitrazhit Vjenë, rezulton se ky shtetas ka mohuar përfshirjen dhe rolin e tij në lidhjen e kontratës së datës 1 Shtator 2010.

Shtetasi Kastriot Ismailaj ka deklaruar se aksioner i DIA rezulton të jetë një shtetas zvicerian me inicialet U.D. dhe kontaktet me ketë person i ka mbajtur nëpërmjet një studioje ligjore dhe ai nuk është ortak i kësaj shoqërie por vetëm administrator i shoqërisë. Në fakt nga aktet e administruara në këtë procedim penal rezulton se ortak të shoqërisë DIA në BVI më momentin e krijimit kanë qenë pikërisht shtetasit Kastriot Ismailaj dhe Arian Laçi.

Propozim i DIA-s për mbledhjen e borxhit të OSSH është paraqitur sikur është hartuar nga një kompani e huaj, pikërisht “Pasut & Partners sa”, Vienë, Austri, për llogari të DIA Albania, në fakt është një mashtrim i kryer nga shtetasi Kastriot Ismailaj është dokument fiktiv.

Ndërkohë njësia hetimore Task-Forcë ka urdhëruar përgjimin e Kastriot Ismailajt, ku gjatë bisedave që ky i fundit ka kryer me personat që autorizonte për të kryer transferta bankare ka mësuar se shumat financiare nuk kishin një burim se nga ishin fituar, dhe pikërisht për këtë ai mashtronte duke pohuar se ishin të ardhura nga shitja e biletave të një kompanie turistike të quajtur “Alpha Tango Travel”, kompani kjo sërish fantazmë që është hapur dhe më pas mbyllur nga Ismailaj.

Në bisedat e përgjuara, prokuroria ka mësuar se këto para nuk ishin të tijat, por patjetër duhet ti transferonte jashtë shtetit, duke përdorur çdo mashtrim të mundshëm me qëllim justifikimin para bankës.
 
 
 
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 16Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)