CEZ/ Procedura që do ndiqet, rasti i
hetimit për vrasjen e Azem Hajdarit

TIRANE- Pavarësisht dokumenteve që publikohen çdo ditë në media, politika shqiptare vijon të kërkojë ndërhyrjen e prokurorëve ndërkombëtarë duke zhvlerësuar rolin e politikës shqiptare. Madje kjo dhe pasi ambasada amerikane ka deklaruar se vetëm do të asistojë por nuk do të realizojë hetimet.

Burimet thanë se Partia Demokratike kërkon ngritjen e një task –force me prokurorë të SHBA ose BE për hetimin e skandalit CEZ-DIA, duke shfrytëzuar precedentin e hetimeve në vitin 1998 për vrasjen e Azem Hajdarit dhe atë të 11 majit të 2012-ës, kur Kuvendi votoi projektligjin e qeverisë për të lejuar prokurorët e EULEX-it të hetojnë edhe në territorin shqiptar mbi akuzat e ish senatorit zviceran, Dick Marty.

Në një raport voluminoz, Dick Marty akuzonte UÇK-në se ka kryer trafik organesh të serbëve në territorin shqiptar. Vendimi i Kuvendi i çeli rrugë shtrimit të autoritetit të misionit të EULEX dhe strukturës së posaçme të ngritur nga BE për hetimin e akuzave, edhe në Shqipëri. Duke shfrytëzuar precedentin e para 3 viteve, PD do t’i kërkojë zyrtarisht Kuvendit të hënën, miratimin e ligjit për t’i dhënë autoritet një task-force me prokurorë të SHBA ose BE, për të hetuar në mënyrë të paanshme skandalin.

Grupi i prokurorëve do të varen nga Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë e cila do të vendosë në dispozicion të tyre, të gjithë infrastrukturën e nevojshme. Por pavarësisht se jemi në 25 vite demokraci, sërish drejtësia shqiptare mbetet e pabesueshme për të vendosur se cila është e vërteta dhe të realizojë drejtësinë. 

Çfarë është skandali i shumëpërfolur CEZ-DIA dhe cilat janë akuzat në ngarkim të disa politikanëve?
Çështja e DIA-s doli në dritë pas një artikulli të agjencisë investigative BIRN (Balkan Investigative Reporting Netëork), rreth 1 muaj më parë, e cila publikoi një raport të studios ligjore Clifford Chance. Kjo e fundit është studio që mbron interesat e shtetit shqiptar në gjyqin mes OSHEE-së dhe DIA-s, për prishje kontrate. Raporti bënte fjalë për dyshime se një ish-kryeministër shqiptar i gjykuar dhe më parë për korrupsion, si dhe një ish zyrtar i Entit Rregullator të Energjisë, kishin favorizuar DIA-n në këmbim të ryshfeteve.

Favorizimi ka të bëjë me përzgjedhjen e kompanisë së dyshimtë DIA, në pronësi të Kastriot Ismailajt, për mbledhjen e borxheve të CEZ-it. Favorizimi është bërë në këmbim të ryshfetit. Detajet e akuzave kanë rrjedhur pasi pikërisht DIA hodhi në gjyq kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike, OSHEE, për prishje kontrate, duke kërkuar 130 milionë euro në vitin 2013, kohë kur kjo e fundit quhej CEZ Shpërndarje dhe ishte nën pronësinë e gjigantit Çek të energjisë, “CEZ Grup”.

Sipas dëshmive të mbledhura nga studio ligjore Clifford Chance, mbështetur edhe në dëshmitë e ish drejtorit çek të CEZ, përshkrimi se një politikan shqiptar ishte i përfshirë në aferën DIA-CEZ përkonte me kreun e Kuvendit, Ilir Meta, i cili në kohën e tratativave mes CEZ-it dhe DIA-s ishte ministër i Jashtëm në Qeverinë Berisha, dhe më pas u bë ministër i Ekonomisë në vend të Dritan Priftit. Sipas një kërkese për t’i hedhur poshtë akuzat e ngritura nga DIA, zyra ligjore e OSHEE-së, Clifford Chance pretendon se Meta ka qenë një nga përfituesit e pagesave prej miliona eurosh, të përfituara nga kompania e mbledhjes së borxheve prej CEZ Shpërndarje gjatë viteve 2010 dhe 2011.

Pronari i DIA-s, Kastriot Ismailaj është në arrest, i akuzuar për pastrim parash dhe mashtrim, i dyshuar se ka orkestruar një skemë mashtruese të mbledhjes së borxheve të CEZ, në bashkëpunim me ish kreun e bordit të drejtorëve të CEZ Shpërndarje, Josef Hajsek. Skema erdhi në jetë pasi CEZ grup bleu 76 për qind të aksioneve të shpërndarësit të energjisë elektrike OSSH në vitin 2009 dhe duket se kishte për qëllim të influenconte në mënyrë të paligjshme politikanët shqiptarë si dhe Entin Rregullator të Energjisë Elektrike, ERE.

Sipas dokumentit të protokolluar nga Clifford Chance në gjykatën e arbitrazhit më 30 qershor 2015; DIA ka përfituar në total 4.5 milionë euro nga CEZ Shpërndarje, gjatë një periudhe gati një vjeçare nga Nëntori 2010 deri në Tetor 2011.

Këto para u paguan nga CEZ Shpërndarje për një raport të pavlerë për identifikimin e debitorëve, si dhe si një parapagesë për kostot operative të DIA për mbledhjen e borxhit. Ish-kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i ka hedhur poshtë akuzat, por dy ditë më parë në emisionin “Opinion”, ish-ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti tha se kreu i LSI-së i ka kërkuar që si ministër t’i bënte kërkesë me shkrim CEZ-it, që të pranonte DIA-n për mbledhjen e borxheve. Sipas Prifti, të paktën 500 mijë euro që DIA mori fillimisht nga CEZ-i kaluan, një pjesë e madhe prej 350 mijë eurosh për një kompani të afërt me Metën sipas tij, ndërsa 150 mijë të tjera në një kompani të vëllait të Petrit Ahmetit, kreu aktual i ERE-s, në atë kohë këshilltar pranë këtij Enti dhe autor i një studimi që DIA ja kishte paraqitur CEZ-it.  
 
Çfarë qëndrimi ka mbajtur mazhoranca për akuzat?
Kryeministri Edi Rama ka preferuar të qëndrojë jashtë çështjes së skandalit CEZ-DIA, duke mos shprehur një qëndrim konkret të tij. Por, nuk mungojnë reagimet e deputetëve të PS. Deputeti Erion Braçe i është përgjigjur akuzave në ngarkim të Metës, duke iu rikthyer akuzave ndaj ish ministrit të Financave, Ridvan Bode. Bode akuzohet se ka ndërhyrë në uljen e çmimit të energjisë që KESH i shiste CEZ-it dhe nga ana tjetër, kompania çeke vendoste një çmim tepër të lartë të energjisë elektrike të cilën ia shiste konsumatorit shqiptar. Nga ana tjetër, kreu i LSI-së Ilir Meta ka deklaruar se është i hapur ndaj çdo hetimi, qoftë ky edhe ndërkombëtar. Sipas tij, akuzat janë fabrikim.   
 
Opozita ka kërkuar hetim ndërkombëtar për skandalin CEZ-DIA, e mbështetur edhe nga kryetari i LSI-së dhe njëherazi kreu i Kuvendit, Ilir Meta. Si mund të kryhet hetimi ndërkombëtar në Shqipëri, kur ligji shqiptar e ndalon atë?
Kuvendi duhet të miratojë një ligj posaçërisht për këtë çështje. Kësisoj, Partia Demokratike paralajmëroi dy ditë më parë, për ta konfirmuar edhe dje nga kryetari, Lulzim Basha se të hënën do të dorëzojë në Kuvend projektligjin për lejimin e prokurorëve të huaj për ta hetuar ata skandalin CEZ-DIA dhe akuzat për ryshfet të kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Aktualisht ligji shqiptar e ndalon një strukturë të huaj hetimore, që të vijë në Shqipëri dhe të hetojë për çështjet e brendshme.

Ndaj, duhet të shprehet Kuvendi përmes miratimit të një ligji që të bëjë të mundur dhënien e autoritetit një strukture të posaçme hetimore, nga vendet euroatlantike, siç kërkon opozita, kërkesë e cila mbështetet në parim edhe nga LSI. Demokratët janë në fazën e hartimit të draftit dhe për legjitimitetin e kërkesës së tyre, do të shfrytëzojnë precedentin e 3 viteve më parë, miratimin nga Kuvendi të ligjit për lejimin e hetimeve në territorin shqiptar, për akuzat e Dick Marty-t, për trafik organesh nga UÇK në veri të Shqipërisë. Siç duket, e njëjta bazë ligjore do të vlejë edhe për hetimin e akuzave për skandalin CEZ-DIA.
 
Si do të funksionojë task-forca e prokurorëve të huaj?
Ligji i miratuar 3 vjet më parë me votë unanime në Kuvend, për rastin e akuzave të Dick Martyt, do të shërbejë si referencë në draftin e Partisë Demokratike, për të hetuar politikanët e përfshirë në skandalin CEZ-DIA. Task-forca, që do të ngrihet me prokurorë të vendeve partnere, pasi Kuvendi t’i çelë dritën jeshile hetimit ndërkombëtar dhe pasi Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla t’i drejtohet me një kërkesë prokurorive të vendeve të BE ose SHBA, do të ushtrojë autoritet të plotë në Shqipëri, por do të jetë në varësi të Prokurorisë së Përgjithshme.

Grupi i prokurorëve të huaj do të udhëzohet nga prokurorët shqiptarë, por me ndryshimin se dosjet do të jenë në dorë të task-forcës. Ndërsa Prokuroria e Përgjithshme do të vendosë në dispozicion të task-forcës të gjithë infrastrukturën e nevojshme.    
 
Si do të hetohen akuzat për korrupsion dhe a do të ketë mandat task-forca e prokurorëve ndërkombëtarë edhe për akuzat e tjera në ngarkim të politikanëve?
Hetimet do të fokusohen fillimisht vetëm në skandalin e përfolur në media dhe të dokumentuar edhe zyrtarisht nga studio ligjore Clifford Chance, ku zyrtarisht akuzohet kryetari i Kuvendit, Ilir Meta se ka lobuar për kompaninë DIA dhe ka përfituar prej saj ryshfet. Por, java e ardhshme mund të rezervojë surpriza, pasi burime pranë PD bëjnë të ditur se projektligji i demokratëve, do të përfshijë dhënien mandatit prokurorëve të huaj edhe për hetimin e akuzave të tjera për korrupsion apo krim të organizuar.

Ky mund të jetë një moment përplasje mes mazhorancës dhe opozitës, pas akuzave të kësaj të fundit në ngarkim të disa ministrave dhe deputetëve, si të përfshirë në afera korruptive dhe krim të organizuar. Nisur nga dakordësia e shprehur tashmë nga kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta i cili është dakord për një hetim ndërkombëtar për akuzat ndaj tij, ende s’është e qartë se çfarë qëndrimi do të mbajë mazhoranca nëse opozita kërkon shtrirjen e mandatit të task-forcës ndaj të gjitha akuzave për korrupsion dhe krim të organizuar. Megjithëse, kjo prek edhe përfaqësues të opozitës, ish ministrat e djeshëm, të cilët gjithashtu kanë qenë në fokusin e akuzave të PS për korrupsion dhe ryshfet.   


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 26 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Nju Jork, i vuri flakën një gruaje në metro, 33 vjeçari nën akuzë për vrasje e zjarrvënie

Nju Jork, i vuri flakën një gruaje në metro, 33 vjeçari nën akuzë për vrasje e zjarrvënie