CEZ, Rama: Do kërkojmë hetim
me ekspertizë ndërkombëtare

Gjatë aktivitetit "Ligjshmëria në energji - rezultatet e 1 viti", Kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe kreu i OSHEE-së Ardian Çela‏ kanë paraqitur arritjet e këtij operacioni të nisur një vit më parë. Kreu i qeverisë foli për hetimin e CEZ duke thënë se nëse Shqipëria do të humbte gjyqin në arbitrazh rrezikohej kolaps financiar. Rama theksoi nga ana tjetër se qeveria do të kërkojë hetim penal me ekspertizë ndërkombëtare për çështjen “CEZ”. Ndërsa ministri i Brendshëm paraqiti shifrat e operacioneve duke bërë me dije se 145 grupe pune në terren kanë ndërmarrë 164 mijë aksione, ku janë evidentuar 2826 raste të vjedhjes së energjisë dhe për këto raste policia ka bërë 1210 arrestime. Nga ana tjetër kreu i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Ardian Çela foli për efektet financiare të këtij operacione. Ai tha se, nga bilanci negativ që OSHEE kishte në vitin 2012 me 38 miliardë lekë, këtë vit pritet ta mbyllë me bilanc pozitiv me 10 miliardë lekë.

CEZ, Rama: Hetim me ekspertizë ndërkombëtare

Një vit pas aksionit kundër vjedhjes dhe abuzimit me energjinë elektrike, kryeministri Edi Rama theksoi se pala shqiptare do të kërkojë një hetim penal me ekspertizë ndërkombëtare për atë që ka ndodhur në gjithë sistemin energjetik para marrëveshjes së nënshkruar me çekët e CEZ. Rama nënvizoi se kriza dha abuzimi ka marë fund me qeverisjen që shkoi, ai premtoi se ky sektor është drejt rindërtimit ndërsa rritja e të ardhurave do të sjellë më shumë investime në këtë sektor.

“Ajo marrëveshje, që sot sulmohet në mënyrë të orkestruar për arsye që ne e dimë shumë mirë dhe jam i bindur që koha do ta provojë këtë, të shtyrë nga frika legjitime e atyre që duhet të përgjigjen për atë që i bënë sektorit energjetik, është një marrëveshje e negociuar jo në kulisa, as në zyrën e Kryeministrit, si pazaret e faktuara me dokumente, që do të jenë pjesë e hetimit penal që ne do të kërkojmë me mbështetjen e ekspertizës ndërkombëtare, por u negociua në Vjenë me pjesëmarrjen e 15 personave nga qeveria shqiptare dhe me seanca të regjistruara”, u shpreh Rama.

rama

Në fjalën e tij Kryeministri përsëriti se pala shqiptare nuk kishte asnjë mundësi për ta fituar çështjen e CEZ-it Arbitrazh. Rama theksoi se marrëveshja me kompaninë e CEZ është bërë me mbështetjen e Bankës Botërore dhe me fondin ndërkombëtar monetar. Kryeministri tha se nëse do të bëhej gjyqi atëherë Shqipëria do të përballeshe me një kolaps të madh financiar.

“Nëse do të humbnin gjyqin do të ishte një kolaps financiar dhe do të turpëroheshe Shqipëria. 720 miliardë borxheve të fshehura të padeklaruara si llogari të hapura mes palëve të treta ne ishim të detyruar të vendosnin në ekuilibër financat e vendit me fondin monetar ndërkombëtar të cilët sugjeruan që çështja e CEZ të zgjidhet me marrëveshje. Edhe Banka Botërore refuzonte të hynte në një marrëveshje. Shqipëria nuk merrte mbështetje financiare pasi nuk plotësonte kushtet për pa bërë reformën e energjisë. Është një marrëveshje e cila u negociua jo në zyrën e kryeministrit jo siç e bënit juve, por u negociuan në zyrat e komunitetit në Vjenë me pjesëmarrjen e 15 personave nga pala shqiptare dhe çdo gjë e regjistruar, ajo marrëveshje ishte një marrëveshje evropiane.” tha Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare pohoi se gjatë 2013 janë bërë 15 mijë lidhje të reja të energjisë ndërsa sot janë më shumë se dyfishi i tyre. Rama nënvizoi se çmimi i energjisë nuk është rritur sic pretendon opozita por është ulur pasi sipas tij e tregojnë faturat.

Në 2013 u bënë 15 mijë lidhje të reja ndërsa tani janë më shumë se dy fishi 34 mijë lidhje të reja këto nuk janë lidhje të reja për ata që nuk paguajnë por janë të reja edhe për ata që nuk kishin kontratë fare. Shikoni shifrat që vetëm në 9 mujorin e parë të këtij viti janë 503 milionë dollarë nga 297 milionë dollarë gjatë vitit 2013. Kompania nuk është më një kufomë që mbahet gjallë në mënyrë klinike por është një organizëm që ka filluar të ripërtërihet. Dhe kjo ripërtëritje financiare do të kthehest shumë shpejt në një shërbim për konsumatorin, janë para që do t’i kthehen për të pasur sektor të fuqishëm të energjisë 70% më shumë arkëtime në një 9-muijor krahasur anë vitin e tyre më të mirë. Cmimi i energjsië nuk është rritur por është ulur e tregojnë faturat e njerëzve dhe jo ajo baltë e turpshme që u ta nga opozita

Kreu i qeverisë përgëzoi ministrin e Energjisë Damian Gjiknurin i cili sipas tij ka udhëhequr një operacion historik. “Sot, ministri që udhëhoqi operacion historik është nën akuzë nga ata që janë përgjegjësit kryesorë të asaj që gjetëm 1 vit më parë, një kompani e marrë fund me 1 mliardë dollarë borxhe të krijuara në vetëm 6 vjet, nga 2007 deri në vitin 2014”. Frutet e para e reformës janë rrënjët e shëndetshme me këtë sektor i cili do të zhvillohet dhe do të bëhet një burim i madh fitimi për shqipërinë dhe shqiptar”, përfundoi Rama


Çela: Në vitin 2012 OSHEE ishte me bilanc negativ

“OSHEE nuk është më barrë për buxhetin e shtetit, por është shndërruar në kontribuese”. Kështu ka deklaruar këtë të martë, Kreu i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Adrian Çela në 1 vjetorin e analizës së aksionit për mbledhjen e borxheve nga debitorët e energjisë elektrike.

“Rritja e qëndrueshme e nivelit të arkëtimeve dhe ulja drastike e humbjeve ka çuar në përmirësimin e ndjeshëm të treguesve ekonomik të kompanisë. Në vitin 2012, shoqëria rezultoi me bilanc negativ -38 miliardë lekë. Këtë vit, pritet që bilanci i kompanisë të arrijë mbyllet pozitiv me rreth 10 miliardë lekë. OSHEE nuk është më barrë për Buxhetin e Shtetit, por një kontributore me rreth 3% të të ardhurave tatimore e doganore. Gjatë këtij viti janë paguar tre herë më shumë taksa krahasuar me dy vite më parë", tha Çela.

Sipas tij në 9-mujorin e vitit 2015 janë arkëtuar 500 milion USD. Thënë ndryshe, janë 150 milion më shumë se një vit më parë dhe 200 milion më shumë se në vitin 2013.
 
Sa i përket skemave lehtësuese për shlyrjen e borxheve, Çela tha se OSHEE u krijoi mundësinë mbi 358 mijë qytetarëve të firmosin aktmarrëveshje për shlyerjen e borxheve me këste.
 
Mbi 200 mijë abonentë përfituan ulje me 80% të kamatës, 129 mijë zgjodhën ta paguajnë borxhin me këste 2500 lekë/muaj ndërsa 28 mijë familjarë në skemën e ndihmës ekonomike përfituan nga këstet me 1000 lekë/muaj. Janë 200 mijë abonentë që sëbashku kanë përfituar 40 milion USD zbritje të kamatvonesave si rezultat i zbatimit të kësaj skeme lehtësuese,” u shpreh kreu i OSHEE.
 
Pak ditë më parë, OSHEE ofroi të tjera skema. Një e tillë është e vlefshme edhe për biznesin të cilit tanimë i reduktohet kamata me 50% nëse paguan njëherësh gjithë detyrimin. Për familjarët, kamata reduktohet me 70% nëse e paguan direkt detyrimin dhe 50% nëse e shlyen brenda 6 muajve nga lidhja e aktmarrëveshjes.
 
Në analizën e OSHEE thuhet se janë regjistruar rreth 33 mijë kontrata të reja gjatë vitit 2015.
 
Ardian Çela u ndal gjithashtu edhe në sektorin e investime, duke thënë se  në 2 vitet e fundit po investohen në rrjetin e shpërndarjes aq para sa nuk janë investuar në 5 vite.
 
Në rajonin e Tiranës ka filluar investimi në vlerën 2.5 miliard lekë. Rikonstruktuam n/stacionit Qendër, me pajisje moderne, që tashme i vjen në ndihmë dy n/stacioneve e tjera të kryeqytet, atij të Selitës dhe Traktora.  Për Tiranën qytet, pas më shumë se 10 vitesh, kanë nisur investimet në disa zona kryesore, si Don Bosko, Vasil Shanto, Selitë, Rruga e Kavajës, qyteti Studenti, Oxhaku, ish-Kinostudio. Vëmendje i kemi kushtuar zonave të urbanizuara vitet e fundit, si Babrru-Paskuqan-Bathore, Shkozë, Mëzes, në të cilat OSHEE po vendos linja, shtylla, kabina dhe transformatorë të rinj. Linja do të jetë e gjitha 20 kv, nga 6 që është aktualisht, me vlerë investimi 1.7 miliardë lekë,” pohoi ai.
 
Sipas tij investime po bëhen edhe në qytetete të tjera të vendit, ku një vëmendje e veçantë po u kushtohet zonave turistike. Çela përfundoi fjalën e tij duke deklaruar se rivendosja e ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike është beteja e çdo dite.

Tahiri: Ja arritjet e operacionit në një vit

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ka paraqitur rezultatet e arritura në një vit aksion për parandalimin e vjedhjes së energjisë elektrike. Tahiri u shpreh se ka pasur çdo ditë 145 grupe pune në terren që kanë ndërmarrë 164 mijë aksione. Gjatë këtyre aksioneve janë evidentuar 2826 raste të vjedhjes së energjisë. Policia ka bërë 1210 arrestime, 825 janë në kërkim ndërsa 822 po hetohen në gjendje të lirë. Gjithashtu gjatë operacioneve janë arrestuar 65 punonjës të vetë OSHEE-së për implikim në vjedhjen e energjisë.

tahiri

“Jo vetëm këto shifra por puna e bërë në terren kanë dëshmuar se ekipet OSHEE, policia mund të bashkohen me qytetarë duke mos lejuar vjedhjen e energjisë elektrike. Besoj se ky aksion ka dhënë kontribut edhe në luftën kundër korrupsionit të administratës. Ditën e parë të nisjes së aksionit e dija që problemi më i madh ishte brenda sallës”, u shpreh Tahiri.

Ministri më tej tha se aksioni e ka pastruar vetë kompaninë dhe policinë, por ai shtoi se ka ende punonjës që kontribuojnë në vjedhjen e energjisë elektrike dhe duhet ende shumë punë për të bindur qytetarët që të mos kryejnë një vepër të tillë penale.

“65 punonjës të OSHEE-së të identifikuar si kontribuues të vjedhjes së energjisë elektrike nuk janë pak. Ky aksion ka bërë edhe më të pastër vetë kompaninë dhe policinë. Nuk them që nuk ka ende punonjës që marrin kurajonë të favorizojnë vjedhjen e energjisë elektrike. Çdo qytetar ka një rol të vyer për ta bërë Shqipërinë një vend më të drejtë. Na duhet ende shumë punë për të bindur çdo qytetar që nuk është bindur ende. Kjo është një betejë që nuk mbaron kurrë. Ndaj Policia e Shtetit do të jetë tërësisht e angazhuar në ndihmë të OSHEE-së”, përfundoi Tahiri.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen