TIRANË -Në Gjykatën e Posaçme ka nisur gjyqi në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta në Gjykatën e Posaçme. Meta u paraqit në sallën e GJKKO brenda "kafazit" të qelqtë duke bërë shqiponjën dykrenare me 2 duar, ndërsa tha se procesi ndaj tij është i montuar. 

Ndërsa seanca e radhës u caktua për më 11 maj në orën 12:00 - për shkak të mungesës së Fatime Kryemadhit, dhe se avokatët e saj nuk kishin prokurë për ta përfaqësuar - brenda sallës gjyqësore kamerat e mediave u lejuan për të përcjellë drejtpërdrejt për publikun fazën e legjitimimit të palëve në proces.

Kreu i Partisë së Lirisë i ka kërkuar GJKKO-së që seancat gjyqësore ndaj tij, të transmetohen live për mediat. Për këtë kërkesë të ish-presidentit, GJKKO pritet të marrë vendim specifikisht.

SPAK u përfaqësua në seancën e parë të gjyqit në themel të dojes "Meta", nga prokurori i Posaçëm, Sotir Kllapi. 

Në seancën e sotme, gjykata pritet të shprehet nëse do të pranojë kërkesën për gjykim të shkurtuar, për tre të pandehurit e tjerë, nënën e Monika Kryemadhit, Fatimen, dhe Ema Çokun, mikeshë e ish deputetes, të dyja të akuzuara për pastrim parash, dhe ish kreun e AKEP Pirro Xhixho, i pandehur për korrupsion.

Ilir Meta ndodhet në paraburgim prej tetorit të vitit 2024, dhe SPAK e ka marrë të pandehur për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, lidhur me aferën Cez-Dia dhe lobimin e LSI-së në SHBA. E pandehur është edhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, ndaj të cilës ka masë detyrim paraqitje.

Sipas Prokurorisë së Posaçme Meta dhe Kryemadhi përdorën një sërë skemash korruptive, influencën dhe pushtetin e tyre politik me qëllim favorizimin e bizneseve të caktuara kundrejt shpërblimit të marrë apo të premtuar, për të pastruar paratë e korrupsioni dhe fshehën pasuri e nuk deklaruan shpenzime të konsiderueshme. Kur çështja u kalua për gjykim më 18 mars të këtij viti, Meta dhe Kryemadhi kërkuan pushimin e çështjes, me argumentin se nuk ekziston vepër penale, ose në alternative, rikthimin për hetime të mëtejshme.

Në seancën e sotme, gjykata pritet të shprehet nëse do të pranojë kërkesën për gjykim të shkurtuar, për tre të pandehurit e tjerë, nënën e Monika Kryemadhit, Fatimen, dhe Ema Çokun, mikeshë e ish deputetes, të dyja të akuzuara për pastrim parash, dhe ish kreun e AKEP Pirro Xhixho, i pandehur për korrupsion.

lajm në përditësim...

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:03
Gjyqi i Metës, Cakrani: E papranueshme që nuk transmetohet live, GJKKO ka frikë nga provat

GJKKO ende nuk ka marrë një vendim mbi kërkesën e Ilir Metës për tu transmetuar live seancat gjyqësore. Avokati i tij, Kujtim Cakrani në një komunikim për mediat tha se është e papranueshme që gjyqet nuk jepen live për publikun.

“Të gjithë gjyqet që nga 1995, Alisë, Nanos, gjyqi në Hagë, të gjitha gjyqet bëhen me kamera, online. Kur bëhet gjyqi në Hagë për krime kundër njerëzimit, imagjinoni mos të bëhet gjyqi i presidentit. Fakti që s’e merr vendimin, tregon që ka frikë nga provat. Nuk ka guxim ta transmetojë që të shohin shqiptarët montimin që i ka bërë SPAK çështjes së Metës. E dëgjuar gjykatën çfarë arsyetimi bëri, iu referuar një terroristi në Francë dhe jo Sarkozy. Gjyqi i Nanos është bërë në kushte të barabarta, janë bërë të hapur për gazetarët dhe mediat. Do u bëj ndërkombëtareve kërkesë të vijnë të shohin Metën në kafaz seancën e radhës, kjo është e papranueshme. E papranueshme të mbash mbyllur në kafaz presidentin apo kryetarin e bashkisë. Humbet seancë e të qenit një shtet i së drejtës, bëhesh shtet diskriminues. Vetëm në Shqipërinë e 2026, për turpin e këtyre deputetëve dhe të kësaj shoqërie që pranon një diskriminim të tillë”, tha Cakrani.

Ora 11:30
Meta në kafazin e qelqtë, avokati Cakrani debaton me tone të larta me gjyqtaren e GJKKO: Të mos mbahet aty gjatë seancave (VIDEO)

Ka nisur seanca në themel në Gjykatën e Posaçme për dosjen “Meta”. Gjykata lejoi kamerat e mediave të transmetojnë live fazën e ligjitimimit të palëve, kohë të në cilën u shfaq edhe ish-presidenti, i cili ishte izoluar në kafazin e xhamtë të sallës gjyqësore.

Për këtë vendim të gjykatës, avokati Kujtim Cakrani debatoi me tone të larta me gjyqtaren e seancës, duke i kërkuar që Meta mos të qëndrojë në kafaz gjatë seancës gjyqësore.

Cakrani: Ky xhami dhe kabina këtu nuk ka bazë ligjore, unë e di përgjigjen që do rrëzohet kërkesa, por për turpin tonë në 2026 mbahet në izolim, vetëm isis i turpëronte njerëzit kështu më publik. Turp për drejtësinë e re. Presidenti i republikës nuk përbën kërcënim për gjyqin. Ka një vendim në francë por ata i referohen terrorizmit. Ngrihuni në dinjitetin njerëzor hiqeni nga kafazi silleni pranë avokatit z meta. Gjëja minimale.

Gjyqtarja e Posaçme, Etleva Deda, u përgjigj duke thënë se pavarësisht vendosjes në kafazin e qelqtë të Metës, atij i garantohen të gjitha të drejta.

Gjyqtarja Etleva Deda: Ligji i garanton prezencën, të drejtën e fjalës, mbrojtjes, mundësinë për tu konsultuar me mbrojtjen në kushte kofidenciale që edhe mga kabina e qelqtë. Kabina përmbush të gjitha kushtet për sa më sipër, metës i janë garantuar të gjitha të drejtat e parashikuara në ligj.

Ora 11:24
Gjyqi në GJKKO për dosjen 'Meta', nuk shkon në seancë Fatime Kryemadhi

Fatime Kryemadhi, mamaja e Monika Kryemadhit nuk është prezent, por përfaqësohet nga avokatja e saj. Gjykata ka urdhëruar policinë për njoftimin e saj. Fatime Kryemadhi nuk i ka bërë të ditur gjykatës shkakun e mungesës ndërsa Komisariati nr. 1, i ka kthyer përgjigje SPAK se Fatime Kryemadhi është njoftuar për tu paraqitur në datën dhe orën e caktuar.

Ora 11:17
Në burg prej tetorit 2024, Report Tv sjell pamjet e Ilir Metës brenda në kafaz në GJKKO (VIDEO)

Kamera e Report Tv është futur në sallën e GJKKO-së ku po zhvillohet seanca e parë e gjyqit në themel për ish-presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi e të tjerë. Në videot që sjell Report Tv, Meta dëgjihet teksa thotë në kafaz se procesi ndaj tij është "i montuar me shpifje dhe kallëzues të rremë kundër shtetit". 

"Mbaj përgjegjësi për çdo veprim dhe shkelje timen", thotë Meta. 

GJKKO do të dalë me vendim për 2 kërkesa të Metës, për mosqëndrimin në kafazin e qelqtë dhe për transmetimin live të plotë.

Ilir Meta mbahet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024 dhe përballet me akuza për korrupsion në lidhje me aferën CEZ-DIA, kontratën lobuese të LSI-së në Shtetet e Bashkuara, si dhe për pastrim parash e fshehje pasurie.

Ora 10:56
Sot gjyqi në themel për dosjen 'Meta', Blushi: GJKKO të pranojë transmetimin live të seancave, ligji nuk e pengon

Deputeti dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka mbaërritur në GJKKO për të ndjekur në sallën e gjyqin seancën e parë në themel të dosjes "Meta". 

Blushi i bëri thirrje Gjykatës së Posaçme të pranojë kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për transmetimin live në media të seancave gjyqësore. Deputeti tha se nuk ekziston asnjë bazë ligjore që pendgon realizimin e kërkesës së Metës.

"Në emër të Partisë së Lirisë në nisje të seancës në themel, dua të përsëris thirrjen publike për transparencën që GJKKO, t’u mundësojë të gjithë mediave pa përjashtim, aksesin për transmetim live të kësaj seance. Nuk është një seancë e zakonshme, dhe për shkak të kësaj rëndësie, dua t’u mundësohet të gjithë mediave pa përjashtim transmetimi live, sepse transparenca dhe llogaridhënia janë një detyrim, për çdo institucion publik dhe për çdo funksionar publik. Nuk po bëjmë asgjë më shumë se sa po kërkojmë të garantohet një standard që vendin ynë e ka garantuar 30 vite më parë, kur transmetoheshin live gjyqet e ish-bllokmenëve. Nuk ka asnjë arsye përse mos të transmetohet live edhe kjo seancë nga sekonda e parë, te sekonda e fundit",- tha Blushi. 

"Nuk ka asnjë mbështetje ligjore në rast se gjykata do të refuzojë këtë kërkesë",- theksoi ai.