Çfarë duhet të dini për rajonet Donetsk dhe Luhansk

Çfarë duhet të dini për rajonet Donetsk dhe Luhansk

Presidenti rus, Vladimir Putin, njohu të hënën rajonet rusishtfolëse të Donetskut dhe Luhanskut në Ukrainën lindore si shtete të pavarura. Disa orë më herët, udhëheqësit separatistë të rajoneve publikuan një video me thirrjet për shpalljen e pavarësisë.

Vendndodhja

Rajonet Donetsk dhe Luhansk, të njohura kolektivisht me emrin Donbas, shtrihen në Ukrainën lindore, pranë kufirit me Rusinë. Rajoni përfshin si pjesë të kontrolluara nga Kievi, ashtu edhe zona të kontrolluara nga separatistët. Industritë e tij kryesore janë minierat e qymyrit dhe prodhimi i çelikut.

Popullsia

Shumica e 3.6 milionë banorëve që jetojnë në rajonet e Donetskut dhe Luhanskut flasin rusisht, si rezultat i një migrimi të punëtorëve rusë në këto rajone gjatë epokës sovjetike të pas Luftës së Dytë Botërore. Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, Moska në vitet e fundit ka lëshuar më shumë se 720,000 pasaporta ruse për afërsisht një të pestën e popullsisë së rajonit.

Kryengritësit morën kontrollin në vitin 2014

Separatistët pro-rusë në rajonet Donetsk dhe Luhansk morën ndërtesat qeveritare në vitin 2014 dhe i shpallën rajonet si "republika popullore" të pavarura. Ky veprim pasoi aneksimin e Krimesë nga Rusia.

Luftimet

Që nga viti 2014, më shumë se 14,000 njerëz janë vrarë në luftimet në rajonin e Donbasit midis separatistëve pro-rusë dhe forcave ukrainase. Ukraina dhe Perëndimi akuzojnë Rusinë për mbështetjen e separatistëve si ushtarakisht ashtu edhe financiarisht, një akuzë që Moska e mohon.

Në mes të luftimeve, një aeroplan nga Malajzia u rrëzua mbi Ukrainën lindore në vitin 2014. Të gjithë 298 personat që ishin në avion humbën jetën. Hetuesit ndërkombëtarë arritën në përfundimin se raketa ishte ruse dhe është hedhur nga një zonë e kontrolluar nga separatistët pro-rusë. Rusia ka mohuar përfshirjen.

Pavarësia

Pasi separatistët në rajonet Donetsk dhe Luhansk morën pushtetin në vitin 2014, organizuan një votim për të shpallur pavarësinë. Deri më tani, asnjë vend nuk e ka njohur. Të hënën, Putin shpalli njohjen e pavarësisë së rajoneve pas takimit me Këshillin rus të Sigurisë.

Udhëheqësit rajonalë

Secili prej rajoneve ka presidentin e vet të vetëshpallur. Në një votim të kontestuar nga Kievi, Denis Pushilin u zgjodh në vitin 2018 për të udhëhequr të ashtuquajturën Republikë Popullore të Donetskut, ndërsa Leonid Pasechnik është udhëheqësi i rajonit separatist të Luhanskut.

Procesi i paqes

Njohja e rajoneve nga Rusia i jep fund efektivisht marrëveshjeve të paqes të Minskut, të cilat nuk u zbatuan kurrë plotësisht. Marrëveshjet, të nënshkruara më 2014 dhe 2015, kërkonin një shkallë të lartë autonomie për të dy rajonet brenda Ukrainës.

Rajonet tjera të shkëputura

Rusia ka njohur më parë pavarësinë e dy rajoneve separatiste gjeorgjiane – Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut – pas një lufte të shkurtër me Gjeorgjinë në vitin 2008. Rusia që atëherë ka vendosur trupa në ato rajone dhe ka ofruar shtetësinë ruse për popullsinë e tyre./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Provat sugjerojnë se kundërajrorët rusë e goditën avionin e udhëtarëve para se të rrëzohej në Kazakistan

Provat sugjerojnë se kundërajrorët rusë e goditën avionin e udhëtarëve para se të rrëzohej në Kazakistan