Shumë vende kanë folur për përpjekjet e tyre për të prodhuar armë hipersonike, të cilat i konsiderojnë si vendimtare. Por cilat janë këto armë? Kush i disponon ato? Dhe sa revolucionare janë ato?
Çfarë janë armët hipersonike?
Armët hipersonike fluturojnë me shpejtësi të paktën mbi pesë herë më shpejt se shpejtësia e zërit dhe janë lehtësisht të manovrueshme, me aftësinë madje për të ndërruar kursin gjatë fluturimit. Ato ndryshojnë nga raketat balistike, të cilat gjithashtu mund të lëvizin me shpejtësi hipersonike, por e kanë trajektoren të paracaktuar dhe manovrueshmërinë të kufizuar.
Cilat janë llojet e ndryshme të armëve hipersonike?
Ekzistojnë dy kategori kryesore të armëve hipersonike: mjete hipersonike që mbarten nga një mjet tjetër fluturues; dhe raketa hipersonike me vetëdrejtim (kruz).
Këto të parat shkëputen për t’u lëshuar nga raketa, që i ka transportuar dhe “rrëshkasin” në hapësirë drejt objektivit me shpejtësi 5 herë më të lartë se shpejtësia e zërit. Raketat hipersonike kruz përdorin motorë të shpejtësisë së lartë.
Cila është domethënia e tyre?
Kapaciteti për të nisur armë me manovrueshmëri të lartë dhe shpejtësi hipersonike i jep vendeve një avantazh të konsiderueshëm, pasi armë të tilla mund të shmangin pothuajse të gjitha sistemet mbrojtëse që janë aktualisht në përdorim.
“Nuk ka rëndësi se cili është kërcënimi. Nëse nuk e shikon dot, nuk mund të mbrohesh ndaj tij”, i tha një audience në Uashington, Gjenerali John Hyten, ish-shef shtabi i ushtrisë amerikane.
Kur ishte komandant i Komandës Strategjike të Shteteve të Bashkuara në vitin 2018, zoti Hyten tha se “nuk kemi asnjë mbrojtje që do të neutralizonte përdorimin e një arme të tillë ndaj nesh... Mbrojtja jonë e vetme, janë kapacitetet që dekurajojnë vënien e tyre në përdorim”.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se megjithëse ekzistojnë disa radarë tokësorë, që mund të diktojnë armët hipersonike, ato nuk mjaftojnë për të dhënë në kohën e duhur paralajmërimin për sulmin. Zyrtarët, ndër ta edhe Gjenerali tashmë në pension Hyden, kanë bërë thirrje për ndërtimin e një sistemi radarësh në hapësirë.
Çfarë i dallon armët hipersonike nga raketat balistike?
Edhe raketat balistike munden të fluturojnë me shpejtësi hipersonike, por ato kanë trajektore të përcaktuar dhe manovrueshmëri të kufizuar.
Cilat vende po prodhojnë armë hipersonike?
Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina po prodhojnë armë hipersonike. Edhe vende të tjera po bëjnë punë kërkimore për këto lloj armësh, ndërsa disa vende kanë bërë pretendime të paverifikueshme se kanë testuar armë të tilla.
Në vazhdim një pasqyrë e vendeve që po prodhojnë aktualisht armë hipersonike.
Shtetet e Bashkuara
Ushtria amerikane kërkoi një fond prej 3.8 miliardë dollarësh për vitin fiskal 2022 për prodhimin e armëve hipersonike, si dhe 246.9 milionë dollarë për të bërë punë kërkimore për mbrojtjen ndaj armëve të tilla. Pjesa më e madhe e armëve hipersonike amerikane janë ende në fazën e prodhimit apo testimit. Të paktën një sistem i këtillë pritet të arrijë stadin operacional brenda këtij viti. Armët hipersonike amerikane mbartin mbushje konvencionale.
Rusia
Rusia është marrë me teknologjinë e armëve hipersonike që në vitet 1980. Zyrtarët ushtarakë rusë thanë më 19 mars se dërguan për herë të parë raketa hipersonike ndaj një objektivi në Ukrainë, që thanë se shërbente si një depo e nëndheshme armësh në pjesën perëndimore të vendit. Në vitin 2018, Presidenti Vladimir Putin u krenua me raketën hipersonike Kinzhal dhe mjetin hipersonik Avangard. Moska po prodhon edhe raketën hipersonike Tsirkon, që mund të niset nga bordi i një anijeje. Mediat ruse kanë pretenduar gjithashtu se sistemi Avangard është futur në funksionim që në dhjetor 2019.
Kina
Zyrtarët ushtarakë amerikanë dhe të shërbimeve të zbulimit thonë se Kina po prodhon raketa dhe mjete hipersonike, dhe se mund të ketë futur tashmë në përdorim të paktën një raketë që ka kapacitetin të transportojë mjete hipersonike. Zyrtarët amerikanë thonë se Pekini ka kryer “qindra” testime të armëve hipersonike gjatë periudhës 2016-2021, ndërsa Uashingtoni bëri vetëm nëntë testime gjatë të njëjtës periudhë. Gjenerali Mark Milley, shef shtabi i ushtrisë amerikane, e cilësoi si “shumë domethënës” një testim të rëndësishëm hipersonik të bërë nga Kina në gusht 2021.
“Po përjetojmë një nga zhvendosjet më të mëdha të fuqisë gjeostrategjike globale... Ndodh vetëm një herë në kaq kohë”, tha Gjenerali Milley.
Koreja e Veriut
Koreja e Veriut pretendon se ka testuar deri më tani me sukses nisjen e dy raketave hipersonike gjatë këtij viti – njërën më 5 janar, dhe të dytën më 11 janar, sipas njoftimeve të agjensisë shtetërore të lajmeve koreanoveriore. Zyrtarët amerikanë nuk i kanë konfirmuar deri më tani këto pretendime dhe kanë thënë se kanë qenë vetëm testime raketash balistike. Udhëheqësi koreanoverior Kim Jong Un ka thënë se raketat hipersonike do të rrisnin së tepërmi aftësinë e vendit të tij për të dekurajuar një sulm bërthamor, një pozicion ky që shumë ekspertë thonë se vendos në rrezik Korenë e Jugut.
Vende të tjera
Australia, India, Franca, Gjermania dhe Japonia po prodhojnë teknologjinë që nevojitet për armët hipersonike. Irani, Izraeli dhe Koreja e Veriut gjithashtu njoftohet se kanë përmbushur atë që konsiderohet si “puna themelore kërkimore” për armët hipersonike.