Maska është në qendër të çdo punimi të artistit Viktor Ferraj, shfaqur për publikun në galerinë FAB të Universitetit të Arteve.  Maska për të nuk është thjesht një mjet fshehjeje, por shumë mirë mund të jetë edhe liria për të qenë kushdo.

Cilido qoftë qëllimi, ftesa e artistit nuk është për të hequr maskat, por si nevojë për t’u shfaqur.

“Është ekspozita e tretë që bëhet në galerinë FAB me këto lloj krijimesh, këtë lloj koncepti, pas asaj që u bë në vitin 2023 dhe në njëfarë mënyre është edhe vazhdimësi e asaj ekspozite. Është e ndërtuar mbi një element që është elementi i maskës, jo vetëm si një objekt dhe si një mbulesë ose si një send, që i ka shërbyer njeriut për të mbuluar identitetin e vet, por edhe si një strukturë që i përket psikës njerëzore dhe e cila është e zhvilluar në kohë edhe sidomos që nga kohërat e lashta deri më sot.”, tha Viktor Ferraj për "Report TV".

Në veprat e këtij koleksioni, tiparet e fytyrës shpesh shkrihen, humbasin ose deformohen, duke i lënë vendin emocioneve të pastra: ankthit, euforisë, vetmisë apo dëshirës për t’u pëlqyer. Sot, artisti Viktor Ferraj, thotë se fytyra njerëzore ka pushuar së qeni thjesht anatomi; ajo është kthyer në një shfaqje.

“Sot faktikisht kjo lloj gjëje shfaqet më shumë, pasi ka të bëjë me ndryshimet ose me ndryshimin e identitetit, që ka filluar të shumëfishohet, të krijojë raporte të tjera. Edhe unë jam munduar të ruaj deri diku atë ndërtimin ta quajmë artizanal të këtij elementi, ashtu siç realizohej në kohëra e tjera, por e parë kjo me imazhe dhe me struktura imazhesh që kanë të bëjnë me jetën moderne.”, vijon artisti. 

Ekspozita “Mask” vjen e kuruar nga Petraq Papa dhe do të qëndrojë e çelur deri më 23 mars.