Çfarë ndodh pas SPAK-ut? 12 hapat që nga zgjedhja e drejtuesve tek zbarkimi i hetuesve të SHBA-BE në Tiranë

Çfarë ndodh pas SPAK-ut? 12 hapat që nga zgjedhja e drejtuesve tek zbarkimi i hetuesve të SHBA-BE në Tiranë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë miraton sot 8 anëtarët e parë të Prokurorisë së Posaçme, duke shënjuar kësisoj një nga pikat kulmore të zbatimit të reformës në drejtësi, e miratuar tre vite më parë. Po çfarë do të ndodhë pas themelimit të Prokurorisë së Posaçme ose SPAK-ut?

Report Tv dhe Shqiptarja.com publikojnë hapat e plotë që do të ndërmerren në vijim, deri në plotësimin dhe funksionimin e Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Menjëherë pas ngritjes së SPAK-ut do të nisin procedurat nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për zgjedhjen e drejtuesit (kryeprokurorit të posaçëm). Më tej, një komision i përbërë nga kryeprokurori i SPAK dhe dy prokurorë do t’i rekomandojnë Këshillit të Lartë të Prokurorisë zgjedhjen e drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Më pas kreu i Byrosë dhe kryeprokurori i SPAK nxjerrin një urdhër për organizimin e Byrosë së Hetimit. Kreu i Byrosë harton një udhëzim për rekrutimin e hetuesve. Por, për të mbikëqyrur dhe asistuar këto procese, në Tiranë do të zbarkojë një komision i përbërë nga ekspertë të drejtësisë penale të SHBA dhe BE.

Hapat pas ngritjes së Prokurorisë së Posaçme

1. Të gjitha dosjet në Prokurorisë e Krimeve të Rënda dhe prokuroritë e tjera për veprat penale të korrupsionit, për çdo vepër penale të kryer nga zyrtarët dhe zyrtarët e lartë, si dhe nga grupet kriminale, do zhvendosjen në Prokurorinë e Posaçme..

2. Këshilli i Lartë të Prokurorisë zgjedh kryeprokurorin e SPAK-ut në radhët e 8 prokurorëve të posaçëm, me mandat 3-vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje. Kandidatët kanë 30 ditë afat për të aplikuar nga shpallja e thirrjes. Më tej KLP vlerëson kandidatët brenda 45 ditëve. Por, KLP mund edhe të komandojë një një prokuror të posaçëm si drejtues të Prokurorisë së Posaçme për një periudhë kohore të përcaktuar, deri kur të zgjidhet kryeprokurori sipas ligjit, me mandat të plotë.

3. Drejtuesi Prokurorisë së Posaçme u cakton çështje prokurorëve të posaçëm bazuar në specializimin e tyre.

4. Një komision i përbërë nga ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga misionet e

Bashkimit Europian dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, do të zbarkojnë në Tiranë, për të dhënë udhëzime dhe këshilla për themelimin dhe zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Komisioni do të funksionojë për një periudhë 2-vjeçare, duke nisur nga momenti i themelimit të kësaj Byroje. Komisionit vëzhgon në mënyrë aktive procesin e rekrutimit dhe trajnimit të punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe miraton materialet e trajnimit të hetuesve dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

5. Një komision i përbërë nga drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe dy prokurorë të posaçëm me më shumë vite eksperiencë pune si prokuror, rekomandojnë një kandidat për drejtor të Byrosë Kombëtare të Hetimit, sipas disa kritereve dhe rregullave të parashikuara hollësisht në ligj,.

6. Këshilli i Lartë i Prokurorisë emëron kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi një herë. KLP emëron kandidatin e propozuar nga komisioni i lartpërmendur.

7. Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme nxjerrin një urdhër të përbashkët për organizimin e brendshëm të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

8. Prokuroria e Posaçme ngre një komision të përbërë nga tre prokurorë të posaçëm për monitorimin e veprimtarisë së drejtorit të Byrosë së Hetimit. Anëtarët e komisionit zgjidhen çdo vit me short.

9. Drejtori i Byrosë së Hetimit harton një rregullore për mënyrën e zgjedhjes së hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

10. Drejtori i Byrosë së Hetimit emëron hetuesit e Byrosë me me pëlqimin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Gjithashtu, drejtuesi i Byrosë cakton hetuesin që të punojë me një prokuror të Prokurorisë së Posaçme.

11. Drejtori i Byrosë së Hetimit, me pëlqimin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, përzgjedh nga radhët e hetuesve një zëvendësdrejtor.

12. Dy hetues të Byrosë së Hetimit, zgjidhen me short nga drejtori i Byrosë, për një mandat gjashtëmujor, për të monitoruar telekomunikimeve dhe lëvizjet e parave të kryetarëve, gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, drejtuesit, prokurorëve dhe punonjësve të Prokurorisë së Posaçme, Drejtorit, Zëvendësdrejtorit dhe hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, oficerëve të shërbimeve të Policisë Gjyqësore, si dhe punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur