Analistët pohojnë se rezultati i zgjedhjeve të sotme është vështirë i parashikueshëm sikundër edhe koalicionet e reja pas zgjedhjeve që janë të pashmangshme dhe deri tash asnjëherë nuk ka ndodhur që një parti e vetme të fitojë vota të mjaftueshme për të qeverisur e vetme.
Kjo ka bërë që ngritja e qeverive të jetë punë e vështirë, ndërsa rrëzimi i tyre shumë i lehtë. Asnjë qeveri nuk e ka çuar deri në fund mandatin e saj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Diplomatët kanë bërë thirrje që menjëherë pas zgjedhjeve të formohet shpejt një qeveri që do të përballet me sfidat që e presin Kosovën, në radhë të parë me ripërtëritjen e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Bisedimet janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.
Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e deritashme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i ka rezistuar trysnisë amerikane dhe evropiane për pezullimin apo heqjen e tyre.
Diplomatët amerikanë presin që kjo të ndodhë pas zgjedhjeve për të rihapur bisedimet dhe derisa në muajin gusht sekretari Mike Pompeo, emëroi zotin Mathew Palmer si të dërguarin e posaçëm për Ballkanin, të enjten presidenti Donald Trump, emëroi ambasadorin Richard Grenell, si të dërguarin e tij të posaçëm për bisedimet e paqes midis Kosovës dhe Serbisë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, presidenti Trump u kishte shkruar presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që të shfrytëzojnë kohën e duhur për të arritur një marrëveshje pajtimi, duke theksuar se "do të mirëpriste të dy presidentët në Shtëpinë e Bardhë, për të kremtuar atë që do jetë një marrëveshje historike".
Vazhdimi i bisedimeve mund të pritet pas zgjedhjeve në Kosovë dhe diplomatët shpresojnë që kjo të ndodhë para se Serbia të hyjë në periudhën e zgjedhjeve që mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm./VOA
Lajmi kryesor: