Vetëvendosje fiton në Kosovë! Albin Kurti flet si kryeministër: Ftesë LDK-së për koalicion

KOSOVE- Lëvizjes Vetëvendosja (LVV) me në krye Albin Kurtin  kryeson zgjedhjet e parakohshme në Kosovë.  Teksa janë numëruar 95% të votave ku pas një gare të fortë votash mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosja (LVV), kjo e fundit kryeson garën me 25.90% të votave.

Qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, zgjodhën sot përfaqësuesit e tyre për në Kuvendit e Kosovës ku më pas do të zgjidhet e Qeveria e re me mandat 4 vjeçar.

Në një deklaratë për mediat kreu i LVV, Albin Kurti është shprehur se, ai dhe partia e tij janë të gatshëm që të ftojnë LDK për një koalicion paszgjedhorë për krijimin e qeverisë së re. Po ashtu Kurit ka deklaruar se do të mbajë të gjitha premtimet që ka bërë më herët.

“Sigurisht se ne gjithmonë i kemi konsideruar LDK-në si partnerë në opozitë. Kemi bërë hapa të bashkërenduar. Fatkeqësisht nuk arritëm ta shndërrojmë në projekt të përbashkët si deshëm. Së bashku do t’i kemi 60 deputetë. Unë si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës preferoj një qeveri stabile dhe patjetër e shoh si partnerë LDK-në. Nesër do ta ftoj LDK-në për të krijuar koalicionin.”- tha Kurti.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti pasi shpalli fitoren dhe foli si kryeministër para mediave, iu bashkua festës së simpatizantëve të VV-së në sheshin kryesor të qyteti të Prishtinës. Ai përgëzoi  kandidaten e LDK-së, Vjosa Osmani për fushatën që ka bërë, dhe shtoi se ajo dha një model për shumë gra dhe vajza shqiptar.

Në këto zgjedhje, të drejtë vote kishin më shumë se 1 milion e 900 mijë qytetarë. Ndërsa sipas KQZ, në zgjedhje morën pjesë 42,68% të votuesve, shifër kjo që tregon një rritje krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.

Ndërkohë Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, deklaroi se pas 12 vitesh partia e tij do të kalonte në opozitë duke pranuar kështu humbjen e zgjedhjeve. Nga ana tjetër ish-kryeministri Ramush Haradinaj nuk ka preferuar të komentojë rezultatin por ka thënë se sot Kosova tregoi qytetari europaine.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte certifikuar 25 subjekte politike, prej tyre, 20 parti politike, 4 koalicione dhe 1 kandidat të pavarur.

 Ndarja e qyteteve në bazë të rezultateve të zgjedhjeve:
VV – Gjilan, Kaçanik, Kamenicë, Obiliq, Prishtinë, Prizren, Ferizaj, Vushtrri, Hani i Elezit

LDK – Dragash, Istog, Fushë Kosovë, Lipjan, Pejë, Podujevë, Suharekë, Viti

AAK-PSD – Deçan, Gjakovë, Klinë, Rahovec, Junik

PDK – Drenas, Mitrovicë, Skenderaj, Shtime

Nisma-AKR-PD – Malishevë

KDTP – Mamushë

Lista Serbe – Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillugë, Partesh, Kllokot, Mitrovica e Veriut

Përgjithësisht procesi i votimit u karakterizua nga një frymë e qetë zgjedhore por nuk munguan disa parregullsi që kishin të bënin me listat e zgjedhësve dhe ushtrim presioni ndaj votuesve.

Që në orët e para të procesit të votimit,  në Mitrovicë policia me urdhër të prokurorisë ndaloi dy komisionerë pasi ata kishin lejuar votues serb që të votonin me dokumenta të Serbisë, në kundërshtim me udhëzimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Sipas Koordinatores Nacionale për Zgjedhjet, Laura Pula, në rang vendi u arrestuan apo ndaluan 15 persona për keqpërdorim të votës dhe incidente të tjera në qendrat e votimit.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare vijnë pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, pas ftesës nga Gjykata Speciale për intervistim. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 01:25
Kosova e tha fjalën e saj. Albin Kurti dhe Lëvizja 'Vetëvendosja', janë fituesit e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.

Kosova e tha fjalën e saj. Lëvizja 'Vetëvendosja' e Albin Kurtit, fituese e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.

Sipas KQZ, pas numërimit të 95,2 % të votave, Lëvizja Vetëvendosja është renditur e para me 25,74% , në vend të dytë LDK me 25,07%  kurse në vendin e tretë dhe të katërt PDK dhe AAK6+PSD, përkatësisht me 21,27 dhe 11,59%. Subjektet e tjera 10,14%

Në bazë të rezultateve, asnjë forcë politike nuk e ka të mundur krijimin e qeverisë pa koalicion.

Analistët politikë të cilët kanë përcjellë gjithë fushatën zgjedhore të partive politike, dhe zotimet e tyre për vija të kuqe kundër njëri tjetrit, do t’i harrojnë ato për të kërkuar mundësinë më të mirë që të kapen me pushtetin, pasi ky ka qenë qëllimi i tyre në kërkesën për zgjedhje të reja, dhe ky është qëllimi i tyre edhe tani.

Ditën e sotme votimi nisi në 895 qendra votimi dhe orari zyrtarë është mbyllur në orën 19:00. Të drejtë vote kishin 1.9 milion votues, të cilët do të zgjedhin 120 deputetë të ri, ndërsa në zgjedhjet marrin pjesë 25 subjekte politike. Sipas KQZ kanë votuar 43,24 % e numrit të përgjithshëm të votuesve. Rreth 39 000 vota janë konsideruar të pavlefshme.

Ora 01:10
Albin Kurti zbret në sheshin 'Skënderbeu' si fitues i zgjedhjeve, falënderon edhe Vjosa Osmanin

Albin Kurti thotë të mos i urohet Vetëvendosjes fitorja, por popullit të Kosovës, e sipas tij, ky është ‘çlirimi i tretë’ i kosovarëve. Ai në një fjalim të gjatë ka falenderuar edhe kundërshtaren e tij, Vjosa Osmanin e LDK’së, të cilën e ka konsideruar inspirim për gratë.

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje ka dalë para mbështetësve të tij në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

 “6 tetori i vitit 2019 e shënon fillimin e entuzsiasmit të tretë. I pari ishte çlirimi i Kosovës në qershorin e 99’ës, i dyti ishte shpallja e pavarësisë, ndërsa i treti është tetori dhe fitorja e Vetëvendosjes. Tash e hapim një kapitull të ri me faqe të bardhë, sepse ju jeni ata që na keni sjell këtu”, ka thënë Kurti.

Ai thotë se tash secili do të jetë i barabartë, e sfidat që ka pasur VV’ja, veç e kanë rritur.

 “Nuk do të ketë më njerëz që pasurohen brenda natës, e as brenda javës. Të gjithë do të jeni të barabartë sepse ne do t’i përmbushim premtimet tona, sepse do t’ju shërbejmë juve. Kemi pasur shumë pengesa e sfida, shumë vështirësi e të këqija, por ato na kanë kalitur”. ka shtuar më pas Kurti.

 “Edhe ata që kanë sulmuar, veç na kanë kalitur në këtë fitore të madhe. Edhe kundërshtarët e mi në këto zgjedhje i falenderoj për konstruktivitetin. Në veçanti dua ta falenderojë zonjën Vjosa Osmani. Ajo me fushatën e saj ka inspiruar shumë gra që të aktivizohen në shoqëri, në ekonomi… Prandaj unë dua që të bashkëpunojë me Vjosën” , ka thënë Kurti.

Lideri i VV’së ka thënë se Qeveria nuk do të jetë për partinë e tij, por VV’ja do të jetë për cdo qytetar të Kosovës.

Ora 00:36
Aktivistët e Vetëvendosjes mblidhen në sheshin 'Skënderbeu' për të festuar

Shumë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” për të fituar fitoren në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë. Ata shihen duke festuar me flamurin kombëtar dhe me disa flamuj të shteteve të tjera.

Ora 00:17
Shpend Ahmetin mes lotësh në humbjen fatale në Prishtinë

Shpend Ahmeti i PSD-së po e humb keq Prishtinën. Ai nuk ka kursyer as lotët nga humja e thellë në Prishtinë. Megjithatë Kryetari i Partisë Socialdemokrate, ka thënë se edhe pse ende nuk ka përfunduar numërimi i të gjitha votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, rezultatet janë pothuajse të qarta dhe ka uruar kundërshtarët.

Ora 00:14
Ish-kryeministri i Suedisë: Fitorja e Vetëvendosjes tregon zemërimin e popullit të Kosovës

Ish-kryeministri i Suedisë, Carl Bildt, i ka komentuar zgjedhjet që u mbajtën sot në Kosovë dhe rezultatin në favor të Vetëvendosjes.

VV’ja e Albin Kurtit po prin me 25.99 për qind të votave, ndërsa janë numëruar mbi 80 për qind të votave.

E këtë e ka komentuar ish-kryeministri suedez që tash është bashkëdrejtues i Këshillit Evropian.

Ai në një postim në Twitter të shoqëruar me një fotografi nga emisioni në Televizioni 7, ka shkruar se rezultati pro Kurtit tregon revoltë të popullit të Kosovës ndaj politikës deri tani.
“Me 75 për qind të votave të numëruar, duket se Vetëvendosje e Albin Kurtit do të udhëheqë. Edhe pse jo shumë e papritur, kjo padyshim që tregon një zemërim të madh në politikën kosovare”, ka shkruar Bildt

Ora 23:59
Haradinaj: Sot treguam se jemi vend europian


Në një mesazh në rrejtët sociale, Haradinaj vlerëson zhvillimin normal të zgjedhjeve. Haradinaj thotë se sot Kosova tregoi se është një vend europian. Kreu i AAK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur bindjen se vendimi i tij për t’ia kthyer sovranit vendimmarrjen, pikërisht në kohë udhëkryqi për Kosovën, sot u vërtetua që ishte veprim i drejtë.

“Fillimisht dua t’i falënderoj strukturat e Aleancës, aktivistët e mbështetësit e në veçanti secilin votues, që besuan dhe e votuan koalicionin AAK-PSD, duke u shprehë mirënjohjen time të thellë për punën e palodhshme dhe besimin e palëkundur që na e falën. Po sot, dëshiroj të falënderoj institucionet shtetërore që kishin barrën e organizimit të zgjedhjeve dhe mbarëvajtjen e tyre, për përgjegjësinë e lartë të treguar në detyrë, përgjatë gjithë këtij procesi që ende po vazhdon. Për këtë meritore janë të gjitha partitë politike, pa dallim. Uroj që me të njëjtin nivel maturie, të mbyllet edhe ky cikël elektoral, duke i hapë rrugë pa vonesa, konstituimit të Kuvendit, dhe institucioneve të reja demokratike në vend. Kosova sot nuk dallon nga vendet me demokraci të avancuar, duke dëshmuar se jemi po aq europian sa secili vend tjetër në Europë, dhe kërkesat tona për integrim dhe respektim të shtetit e sovranitetit tonë, janë të drejta të pamohueshme, ashtu siç është e paprekshme, Kosova e 17 shkurtit. Kosovë, na presin sfida!”, ka thënë Haradinaj.

Ora 23:58
Albin Kurti: Do të punoj që 50-të marrëveshjet e nënshkruara me Shqipërinë të bëhen realitet

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas numërimit të 80 për qind të votave në një intervistë ekskluzive për T7 ka deklaruar se VV-ja ka fituar. Ai ka ftuar qytetarët që të dalin në sheshin e Prishtinës dhe të festojnë. Kurti ka thënë se që nga nesër do t’i fillojë përpjekjet për themelimin e Qeverisë.

Kurti shtoi se erdhi dita dhe se ajo se çka ka ndodhur sot në Kosovë është fitore historike e popullit të Kosovës.

“Lëvizja Vetëvendosje është fituese e këtyre zgjedhjeve. Pjesëmarrja masive bëri që ne ta vërtetojmë atë që e thamë në mëngjes. Ne pas pak do të nisemi drejt sheshit Skënderbe ku do ta festojmë fitoren tonë. E shpëtuam Republikën nga kapja e shtetit. Çka ka ndodhur sot është një ndërhyrje e popullit tonë në skenën politike në mënyrë që drama të përfundojë, në këtë mënyrë ata e shpëtuan shtetin nga politikanët”, ka deklaruar Kurti.

Tutje ai ka thënë se Qeveria Kurti do t’i plotësojë të gjitha premtimet e dhëna gjatë fushatës elektorale.

“Unë do të bëj përpjekjet maksimale që legjislatura e shtatë ta ketë qeverinë sa më parë. Bisedimet për koalicionin e ri qeverisës do të jenë bisedime që do të reflektojnë menjëherë. Ne do t’i realizojmë të gjitha zotimet që i kemi dhënë sepse erdhi dita”, ka deklaruar Kurti.

Në lidhje me marrëdhëniet me Shqipërinë, Albin Kurti tha se do të punojë që 50 marrëveshjet e nënshkruara të bëhen realitet.

Ora 23:52
Fjolla Morina uron Albin Kurtin: Urime Bablok se ua hongre hallvën

Duket se fitorja e LVV ka gëzuar të gjithë simpatizantët e saj.

Edhe këngëtarja Fjolla Morina ka publikuar një imazh të Albin Kurtit ku i ka uruar fitore.

Fjolla Morina: Urime Bablok se ua hongre hallvën

 

Ora 23:46
Vjosa Osmani: Sonte nuk mund të shpallet fituesi, fitore e madhe e opozitës


Edhe pse nga numërimi i më shumë se 80% të votave,  Vetëvendosje prin para LDK-së me rreth gjashtë mijë vota më shumë, kandidatja e LDK-së, Vjosa Osmani ka thënë se rezultati i sotëm tregon fitore të madhe të opozitës.

“Në radhë të parë dua të falënderoj të gjithë qytetarët për pjekurinë e treguar në këtë proces zgjedhor e në veçanti për pjesëmarrjen masive që rezultoi me largimin e partive që deri tani kanë keqqeverisur e me fitoren e madhe të opozitës. Dua të falënderoj në veçanti përkrahësit e LDK-së për mbështetjen e madhe e që na dhanë mundësinë që për vetëm një muaj ta ngrisim partinë tonë e ta rikthejmë fuqishëm. Për sonte pajtohemi që s’mund të shpallet fituesi meqenëse do të presim deri në numërimin e votës së fundit. Rezultati do të përcaktohet nga mërgata dhe votat me kusht siç duket”, ka deklaruar ajo.

 “Natyrisht që do të presim rezultatin final, sepse siç e keni parë dallimi ishte herë te ne herë te na. Dallimi tani është 0.7 për qind dhe është i domosdoshëm numërimi i votave me kusht dhe mërgatës që mund ta bëjnë dallimin. Në fund do të respektojmë në tërësi vullnetin e sovranit”, ka thënë ajo.

Sipas saj, LDK-ja është e hapur për të negociuar me VV-në për të qeverisur me vendin.

Ora 23:38
KQZ: Rezultatet preliminare publikohen në mesnatë


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur konferencën e radhës.

“Numërimi i fletëvotimeve bëhet për një kohë të shkurtër në vendvotim, por procesimi apo shfaqja e tyre mund të marr kohë dhe ka një dinamikë në bazë të vendvotimeve. Po besojmë se do të arrijmë të shfaqim rezultatet deri në mesnatë” – tha Valmir Elezi.

Ora 23:26
Simpatizantët e LVV-së fillojnë të festojnë me fishekzjarrë

Duket se tashmë Lëvizja Vetëvendosje ka filluar festën e fitores së këtyre zgjedhjeve.

Festa duket se është duke ndodhur në selinë e VV-së në lagjen “Bregu i Diellit”, në Prishtinë.

Në video e shperndare nga Koha.net shihet se si disa simpatizantë janë duke hedhur fishekzjarre.

Ora 23:18
Numërohen 80 % të votave në Kosovë, LVV vijon kryesimin



Janë numëruar më shumë se 80% të votave në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosja deri më tani ka marrë 26.02 % të votave, ndërsa ndiqet nga LDK me 25.03 % të votave. Vendin e tretë e mban PDK me 21.15% të votave.

Rezultatet Preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta.

Ora 23:13
Albin Kurti: Nesër ftesë LDK për një koalicion paszgjedhorë për krijimin e qeverisë së re

Sipas KQZ, vazhdon ende numërimi i votave. Deri tani kryesonë Lëvizja Vetëvendosja me 26.04% e ndjekur nga LDK me 24,97%. Në vendin e tretë renditet 21,07% dhe AAK+PSD me 11,57%.

Teksa Lëvizja Vetëvendosja ka nisur fitoren e bazuar në rezultatet paraprake, kreu i VV Albin Kurti ka deklaruar se nesër ai do ti bëjë ftesë LDK për një koalicion paszgjedhorë për krijimin e qeverisë së re.

“Unë si kryeministër i ri preferoj që qeveria e ardhshme të jetë stabile, e shoh partner LDK-në dhe sa më parë të fillojmë bisedimet për formimin e këtij koalicioni. Sonte s’do t’i thërras, por qysh nesër në mëngjes”, ka thënë Kurti për TV Dukagjinin

Ora 22:55
Kadri Veseli pranon humbjen: PDK-ja shkon në opozitë


Gati 4 orë pasi janë mbyllur qendrat e votimit, kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka pranuar humbjen për zgjedhjet e zhvilluara sot në Kosovë dhe ka thënë se ai dhe partia që drejton do të kalojë në opozitë.

“Kemi punuar shumë që t’i punojmë këto zgjedhje, por nuk fituam. Qytetarët kanë dhënë verdiktin e tyre dhe ne e pranojmë. PDK-ja do të kalojë në opozitë. Por ne do të vazhdojmë t’i shërbejmë kombit dhe popullit”, ka thënë Veseli.

Ai ka falënderuar anëtarët dhe aktivistët e PDK-së për fushatën që zhvilluan

“Kemi ndarë momente të jashtëzakonshme bashkë. Anëtarëve dhe aktivistëve u them ndjehuni krenar me punën tuaj, se edhe unë ndjehem krenar me ju. Besimi im në ju është i palëkundur”, ka thënë Veseli.

Ai është larguar pa pranuar pyetje nga gazetarët. Kujtojmë se Vetëvendosje dhe LDK-ja janë në garë për vendin e parë. Aktualisht janë numëruar rreth 75 për qind të votave, e VV-ja është 25,93 për qind, LDK-ja 25,22 për qind ndërsa PDK-ja 21,35 për qind.

Ora 22:38
Kosovë/KQZ: Lëvizja Vetëvendosja ende kryeson me rreth 3000 vota më tepër se LDK

Në Kosovë vazhdon ende numërimi i votave. 

Teksa janë numëruar rreth 75 % e votave, të dhënat zyrtare tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë në një garë të ngushtë se cili subjekt do të jetë partia e parë. 

Vetëvendosje ndodhet në vendin e parë me 25.93, e pasuar nga LDK me 25.23 dhe PDK me 21.37

Për momentin diferenca mes VV dhe LDK është rreth 3000 vota.

Numërimi ende vazhdonme ritme të shpejt...

 

Ora 22:31
Kosovë/KQZ: Janë numëruar deri tani 70% e votave. Kryeson Lëvizja Vetvendosja me 25.91%

Në Kosovë vazhdon ende numërimi i votave. Sipas KQZ, deri tani janë numëruar rreth 70 % e votave.

Në vendin e parë renditet Lëvizja Vetvendosja me 25.91%,  në vendin e dytë LDK 25.24%, në vendin e tretë PDK 21.39%, në vendin e katërt  AAK+PSD dhe në fund Lista serbe me 11.75%, 5.84 %.

Numërimi ende vazhdon...

Ora 22:16
Vuçiç: Lista Serbe fituese, votat shprehin dashurinë për Serbinë


“Lista Serbe e ka arritur fitoren më të madhe dhe më bindëse në historinë e saj”, ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një konferencë për media në Beograd, pas përfundimit të procesit të votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.

“Lista Serbe ka arritur fitoren më bindësi. Ajo ka marrë 98. 07 për qind të votave të votuesve serbë. Ata do ta kenë një përfaqësim të fuqishëm politik në Kuvendin e Kosovës dhe do të mund të luftojnë për interesin e popullit të vet”, ka thënë Vuçiç raporton REL.

Ai ka shtuar se serbët e Kosovës kanë votuar në këtë mënyrë dhe, sipas tij, kanë dalë në votime në numër të madh “për shkak se kanë dashur të tregojnë dashurinë e madhe ndaj atdheut të tyre, Serbisë dhe këtë askush nuk mundet, nuk guxon dhe nuk do të mund t’ua marrë serbeve Kosovës”.

Siç ka thënë Vuçiç, rezultati i Listës Serbe në zgjedhjet e Kosovës, është obligim i madh për shtetin e Serbisë që të kujdeset dhe të luftojë për popullin e tij në Kosovë.

Ora 21:59
Numërohen gati 60 përqind, LVV del e para


Kur janë numëruar gati 60 për qind të votave, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë në vend të parë duke kaluar LDK-në.

VV-ja ka 25.47 për qind të votave apo 117831 vota, ndërsa LDK-ja ka 25.42 për qind të votave apo 117589 vota.

PDK-ja është partia e tretë që tashmë ka arritur numrin e 100 mijë votave. Ajo ka 100502 apo 21.72 për qind të votave.

Ora 21:46
Numërohen 34% të votave, ja kush kryeson në Kosovë


Teksa zyrtarisht janë numëruar rreth 34% e votave, KQZ ka publikuar rezultate paraprake të zgjedhjeve në Kosovë. Sipas KQZ zgjedhjet deri më tani Lidhja Demokratike e Kosovës kryeson me 25.21%. Lëvizja Vetëvendosje me 24, 3%. Partia Demokratike e Kosovës me 22,6%.

Ora 20:54
Numërohen 13 % të votave, LDK vijon kryesimin

Deri më tani janë numëruar rreth 13 përqind e votave të zgjedhjeve parlamentar në Kosovë. Nga numërimi i deritanishëm i votave prijnë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Nga 13 përqind të votave PDK-ja ka 18.803 vota ose 21 përqind, VV-ja ka 17.633 ose 20.28 përqind dhe LDK-ja, ka 21.232 ose 24.42 përqind. Ndërsa koalicioni AAK-PSD, ka 12.343 vota ose 14.20 përqind, ndërsa koalicioni Nisma –AKR ka 4.644 ose 5.34 përqind. Lista Serbe deri tash ka marr 7.932 ose 9.12 përqind.

Ora 20:54
Zgjedhjet në Kosovë. KQZ: Lëvizja Vetvendosja renditet e para me 26,03 %

Në Kosovë vazhdon ende numërimi i votave.

Sipas Komisionit Zgjedhor, deri tani janë numëruar 70 % e votave. 

Lëvizja Vetvendosja renditet e para me 26,03 %, në vendin e dytë LDK me 25,35%, në vendin e tretë DK 21,62% dhe nw vendin e katët AAK+ PSD me 11,74%

Numërimi ende vazhdon...

Ora 20:39
Zgjedhjet në Kosovë/ KQZ nxjerr rezultatet paraprake, ja kush kryeson


 

KQZ ka publikuar rezultate paraprake të zgjedhjeve në Kosovë. Sipas KQZ zgjedhjet deri më tani i kryeson  Lidhja Demokratike e Kosovës që ka marrë 18.399 vota ose 23,87%.

Në vend të dytë renditet Partia Demokratike E Kosovës me 16.488 vota ose 21,39%. Në vendi t tretë renditet Lëvizja Vetëvendosje me 15.299 ose 19,85%. Më pas vjen AAk-Psd Koalicioni 100% KOSOVË me 10.723 vota ose  13,91%.

Ora 20:39
Kosovë, Vetëvendosje prin në Mitrovicë

Në Mitrovicë janë numëruar 4500 vota, apo rreth 18 për qind, të cilat e vendosin Lëvizjen Vetëvendosje të parën.
Komisioni Qendror Zgjedhor ka filluar numërimin e votave.
Rezultatet e para në Mitrovicë ku janë numëruar mbi 4500 vota, prin Lëvizja Vetëvendosje me 1612, shkruan Gazeta Express.
Pas VV’së është PDK’ja që ka marrë mbi 1500 vota, ndërsa LDK është e treta.

Ora 20:34
Çfarë do ketë pas 6 tetorit? Ja skenarët për formimin e qeverisë, kështu pritet të jetë koalicioni i ri

“Koalicioni më i mundshëm, nëse do të fiton VV-ja, të del subjekti i parë politik, do të jetë koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, por nëse del LDK-ja e para, koalicioni do të jetë LDK-PDK ose varianti tjetër LDK-AAK, PSD, NISMA dhe AKR për t'i lënë në opozitë Vetëvendosjen dhe PDK-në”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Analistët politikë të cilët kanë përcjellë gjithë fushatën zgjedhore të partive politike, dhe zotimet e tyre për vija të kuqe kundër atij, apo këtij subjekti politik, edhe pas 6 tetorit konsiderojnë se me mbylljen e kutive të votimit, dhe pritjes për shpalljen e rezultatit final të zgjedhjeve, ngadalë do t’i harrojnë edhe vijat e kuqe për të kërkuar mundësinë më të mirë që të kapen në pushtet, pasi ky ka qenë qëllimi i tyre në kërkesën për zgjedhje të reja, dhe ky është qëllimi i tyre edhe tani.

Madje përveç harresës së vijave të kuqe, do të harrohet edhe premtimi për ta zhveshur Hashim Thaçin nga kompetencat e uzurpuara për përfaqësim të Kosovës në bisedimet me Serbinë, dhe për t’i marr mbi vete ato kompetenca kryeministri dhe qeveria, ashtu sikur u zotuan gjatë fushatës.
Kështu së paku mendon profesori universitar dhe analisti politik, Jeton Kelmendi, sipas të cilit, vijat e kuqe si premtim do të mbahen vetëm nga VV-ja, por jo edhe nga subjektet tjera politike.
”Unë mendoj se partitë politike nuk do ta mbajnë fjalën e dhënë për vijat e kuqe ndaj njëri tjetrit, me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje. Të gjitha partitë tjera politike, ato deklarata që i kanë dhënë gjatë fushatës, do ti harrojnë sepse kanë qenë vetëm mashtrime. Tani pas përfundimit të zgjedhjeve të gjitha partitë, përveç Vetëvendosjes, do të veprojnë sipas interesit të tyre dhe jo sipas zotimeve në fushatë”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online“.

Sa i takon koalicionit pas zgjedhor, Kelmendi atë e sheh në dy tre variante të mundshme, por gjasat sipas tij janë tek koalicioni LDK-Vetëvendosje, vetëm nëse Vetëvendosje del subjekt politik fitues i zgjedhjeve.

Në variantet tjera, koalicioni pas zgjedhor mundë të jetë në kombinimin LDK- PDK, ose LDK-AAK me koalicionin NISMA dhe AKR.

“Koalicioni më i mundshëm, nëse do të fiton VV-ja, të del subjekti i parë politik, do të jetë koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, por nëse del LDK-ja e para, koalicioni do të jetë LDK-PDK ose varianti tjetër LDK-AAK, PSD, NISMA dhe AKR për ti lënë në opozitë Vetëvendosjen dhe PDK-në”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Jeton Kelmendi mendon se edhe në rastin tjetër, nëse PDK del parti fituese dhe merr mandatin për ta formuar qeverinë, atëherë për partner kryesor do të zgjedh LDK-në, sepse kanë traditë të bashkëqeverisjes. 

Ora 20:31
Numërohen 8% e votave, udhëheqin LDK dhe PDK

 

Lidhja Demokratike e Kosovës prin me 22 për qind të votave të fituara, pas numërimit të 8 për qind të votave të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.

Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, PDK-ja është e dyta pas numërimit të 8 për qind të votave, me 20 për qind të votave të fituara.

Vetëvendosje është e treta me 18 për qind të votave të fituara, ndërkaq Lista Serbe ka fituar 12 për qind të votave në këtë fillim të numërimit të votave.

Ora 20:28
Marko Gjuriq: Numër rekord i votuesve serbë, në zgjedhje

Politikani serb, Marko Gjuriq, ka thënë për mediet serbe se dalja e banorëve serbë të Kosovës në zgjedhje ka qenë më e madhja ndonjëherë.

“Ne kemi mbi 1 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e kaluara. Mitrovica, Shtërpca, Graçanica janë vendet ku serbët kanë votuar bindshëm më shumë se shqiptarët”, ka thënë Gjuriq për Pink.
Pastaj kryesuesi i Zyrës për Kosovën në Serbi, Gjuriq, ka thënë se kjo ka ndodhur përkundër faktit se persona të caktuar janë munduar të pengojnë serbët që të dalin në këto zgjedhje nacionale në Kosovë.

“Ka pasur një tendencë që të priten krahët e serbëve në Kosovë. Një fushatë ka ndodhur kundër Listës Serbe, por serbët kanë treguar fuqi dhe nuk janë frikësuar”.

Ndryshe, politikanët serbë që nuk i takojnë Listës serbe, janë ankuar vazhdimisht që kanë pasur kërcënime të shumta dhe shantazhe. Njëri ndër ta, Nenad Rashiq, është ankuar vazhdimisht se po linçohet pasi kishte dalë kundër Listës Serbe.

Ora 20:25
Haziri: Ka ndodhur rikthimi i madh pas 12 vjetësh, LDK parti fituese

Shefi i shtabit zgjedhor të LDK-së, Lutfi Haziri, në një konferencë për medias sonte ka bërë të ditur se kjo parti është e para në zgjedhjet e sotme parlamentare.
“Jemi përpara VV-së. E sigurt është që LDK e ka një diferencë ndaj partisë së dytë dhe një diferencë të madhe ndaj partisë së tretë. Në orën 21:30 do të dalim më të sigurt, do të mundohemi që deri në votën e fundit të qartësohet. Opozita është fituese e madhe dhe LDK është fituese. Rikthimi i madh ka ndodhur pas 12 vjetësh dhe LDK kthehet si parti fituese”, është shprehur Haziri.Ai ndërkaq nuk ka dashur të spekulojë për një koalicion të mundshëm për formimin e qeverisë së re.

Ora 20:19
​Tahiri: PDK fituese, “exit-poll-et” nuk kanë qenë asnjëherë të sakta

Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës tha se nga informacionet që i kanë marrë prej terrenit, PDK do të jetë partia e parë ne shumicën e komunave, por që kjo do të konfirmohet kur të numërohet edhe vota e fundit. Ai tha se PDK ka shënuar një fitore me një dallim shumë të vogël nga partia e dytë.
Në konferencën e parë të kësaj partie pas orës 19:00, Tahiri ka ftuar komisionerët dhe vëzhguesit që të qëndrojnë në qendrat e votimit meqë siç tha ai ka ende shumë qytetarë që po presin për të votuar.“Nga të gjitha informacionet që kemi nga terreni PDK do të jetë parti e parë në shumicën e komunave të Republikës së Kosovës por presim një fitore më të vogël se zakonisht por jemi të sigurt që do të konfirmohet kur të numërohet edhe vota e fundit në këtë proces. Jemi të bindur që në këto zgjedhje PDK ka shënuar një fitore me një dallim shumë të vogël nga partia e dytë, megjithatë jemi fitues të këtij procesi”, tha Tahiri.

Ora 20:16
Daka: Në Kosovë partitë festojnë para kohe, prisni rezultatet e KQZ


Në një lidhje telefonike  me Report Tv, kryetarja e KQZ në Kosovë Valdete Daka ka deklaruar se të gjitha qendrat e votimit janë mbyllur dhe nuk janë shënuar incidente. Daka ka deklaruar se procesi i votimit ka nisur dhe se institucioni që ajo drejton do të bëjnë përditësimet në orët në vijim.

"Na intereson qe procesi të mbyllet mirë. Ka filluar numërimi dhe shumë shpejtë do të dalin rezultatet tona. Exit Poll-et janë më ndryshe se tona. Ka qenë një ditë e mbarë dhe një ditë me sukses. jemi të lumtur që kemi mbyllur një proces të tillë. Kshu ndodh në Kosovë, partitë fillojnë festojnë para se të dalin rezultatet. Në fakt rezultatet i kemi paraprake. " ka deklaruar Daka.

Ora 20:15
Kush është fitues, sipas exit-pollit të televizionit publik

 

 

 

 

 

RTK-ja dhe Instituti i Prishtinës për Studime të Opinionit Publik, PIPOS, sapo kanë publikuar exit-pollin për epilogun e zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura sot, për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Udhëheqësi i institutit PIPOS, Fisnik Halimi, para prezantimit ka sqaruar mënyrën se si është realizuar ky exit-poll.

Ai ka thënë se kjo është një teknikë e matjes së shpejtë të rezultateve, e cila realizohet përmes intervistave gjatë ditës, të cilat ky institut i merr menjëherë pasi qytetarët e kryejnë obligimin e tyre në vendvotime.
“Kjo teknikë realisht është shumë e saktë, por i ka mangësitë e veta dhe duhet marrë me një dozë të vogël rezerve. Por, ne si PIPOS i kemi marrë të gjitha parapërgatitjet që margjina e gabimit të jetë minimale dhe të pasqyrojë rezultatin ashtu siç do të jetë pas numërimit”, ka theksuar Halimi.

Ndërkohë, në bazë të këtij exit-polli fituese e zgjedhjeve del të jetë Lëvizja Vetëvendosje me 28,1 për qind të votave, e ndjekur nga LDK-ja me 27,9 për qind dhe PDK-ja me 25,8 për qind.

Ndryshe, exit-pollet janë rezultate jozyrtare dhe që realizohen në bazë të anketave.

Në bazë të ligjit, institucioni që ka të drejtë të publikojë rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë është vetëm Komisionin Qendror Zgjedhor.

Ora 19:51
Nis festa e partive në Kosovë, PDK e VV-ja shpallin fitoren

Vetëm pak minuta kanë kaluar nga mbyllja e procesit zgjedhor në Kosovë, por pavarësisht kësaj, disa parti kanë filluar 'festën'.

Kështu Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë shpallur fitoren njëkohësisht edhe pse nuk janë numëruar votat.

Është ish ministri i drejtësisë, Abelard Tahiri nga PDK-ja i cili ka thënë se PDK-ja është fituese e këtyre zgjedhjeve. Njëkohësisht edhe Lëvizja Vetëvendosje e shpalli fitoren nga zyrtarë të lartë të kësaj partie.

Ndërkohë rezultatet përfundimtare nga KQZ-ja pritet të publikohen pas disa orëve.

Ora 19:36
I nominuari për Kryeministër, Ramush Haradinaj lavdëron numrin e madh të daljes në votime

Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, pa dashur ta komentojë rezultatin zgjedhor në këtë fazë të hershme, ka thënë se ka rritje për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndër të tjera Haradinaj ka lavdëruar edhe daljen e një numri të lartë të votuesve kosovarë në zgjedhje.

"Dua të veçoj tri momente nga ky proces zgjedhor. Së pari, është treguar pjekuri dhe procesi ka shkuar shumë mirë. Pastaj, është votuar vetëm me dokumente të Republikës së Kosovës, gjë që ndodhë për herë të parë dhe është pozitive. Dhe së fundmi, u vërtetua që është më së miri kur vullneti i kthehet sovranit dhe ai vendosë për të ardhmen e vet”, tha Haradinaj.

Ora 19:35
Vetëvendosja: Ne jemi fituesit e zgjedhjeve


Pas mbylljes së procesit të votimin në Kosovë,  Lëvizja “Vetëvendosje” ka dal me një konferencave për media duke deklaruar se ata janë fituesit e këtyre zgjedhjeve. Besnik Bislimi, zyrtar i lartë i partisë së Albin Kurtit, theksoi se megjithëse besojnë se janë fituesit të zgjedhjeve do të presin rezultatin përfundimtarë.

“Ja kemi dal për fitore. Raportimet që kemi nga reportet e nxjerrin VV si fituese të këtyre zgjedhjeve. Për neve është e rëndësishme vota e sovranit, por derisa të kemi rezultatet do ta shtyjmë fitoren.. I bëjmë thirrje komisionarëve dhe vëzhguesve. Fitorja është në kutitë e votimit. Porosia ime është që ta ruani votën”, është shprehur ai.

Ora 19:15
Mbyllen qendrat e votimit në Kosovë, rezultati paraprak: 44.02 % të votuesve morën pjesë në zgjedhje



Janë mbyllur qendrat e votimit në Kosovë.  Sipas KQZ deri në orën 19:00 kanë ushtruar të drejtën e votës 44.02% të votuesve. Ndërkohë në disa qendra votimi ata persona që orari i përfundimit zyrtarë të zgjedhjeve i ka zënë brenda ambienteve të qendrës së votimit do të lejohen që të kryejnë votimin.

Ora 19:08
Kush është fitues, sipas exit-pollit të televizionit publik

RTK-ja dhe Instituti i Prishtinës për Studime të Opinionit Publik, PIPOS, sapo kanë publikuar exit-pollin për epilogun e zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura sot, për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Udhëheqësi i institutit PIPOS, Fisnik Halimi, para prezantimit ka sqaruar mënyrën se si është realizuar ky exit-poll.

Ai ka thënë se kjo është një teknikë e matjes së shpejtë të rezultateve, e cila realizohet përmes intervistave gjatë ditës, të cilat ky institut i merr menjëherë pasi qytetarët e kryejnë obligimin e tyre në vendvotime.
“Kjo teknikë realisht është shumë e saktë, por i ka mangësitë e veta dhe duhet marrë me një dozë të vogël rezerve. Por, ne si PIPOS i kemi marrë të gjitha parapërgatitjet që margjina e gabimit të jetë minimale dhe të pasqyrojë rezultatin ashtu siç do të jetë pas numërimit”, ka theksuar Halimi.

Ndërkohë, në bazë të këtij exit-polli fituese e zgjedhjeve del të jetë Lëvizja Vetëvendosje me 28,1 për qind të votave, e ndjekur nga LDK-ja me 27,9 për qind dhe PDK-ja me 25,8 për qind.

Ndryshe, exit-pollet janë rezultate jozyrtare dhe që realizohen në bazë të anketave.

Në bazë të ligjit, institucioni që ka të drejtë të publikojë rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë është vetëm Komisionin Qendror Zgjedhor.

Ora 18:59
Dalin Exit Poll-et: LDK 30%, VV 30%, PDK 22% dhe PSD 10%

Teksa orari ligjor i procesit të votimit në Kospvë ka përfunduar, nuk kanë vonuar dhe rezultateve të Exit Poll-eve të para.

Sipas Exit Poll-it  të Klan Kosovës, PDK ka marrë 22%, LDK 30%, VV 30 dhe PSD 10%.

Ora 18:31
Koordinatorja Nacionale për Zgjedhjet: Në Kosovë sot janë ndaluar apo arrestuar 15 persona për incidente zgjedhore

Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, Laura Pula, njofton opinionin se gjatë procesit zgjedhor që është duke u zhvilluar sot, deri më tani janë raportuar disa raste të ndryshme por, pas verifikimit të të gjitha këtyre informatave nga prokurorët në teren, janë vërtetuar 16 raste me 20 persona të cilët lidhen me procesin zgjedhor.

Në rajonin e Prizrenit janë pesë raste me pesë persona, ku të gjithë janë të ndaluar për veprën penale “Cenim i fshehtësisë së votimit” nga neni 215.

Në rajonin e Pejës kemi një rast me dy persona të ndaluar për veprën penale “Keqpërdorim i të drejtës së votimit” nga neni 213.
Në rajonin e Gjakovës i kemi gjashtë raste kundër gjashtë personave, pesë persona janë të ndaluar dhe një person në kërkim, për veprat penale “Pengimi i procesit të votimit” nga neni 214, “Cenim i fshehtësisë së votimit” nga neni 215, dhe për veprën “Asgjësimi i dokumenteve të votimit” nga neni 217.

Në rajonin e Gjilanit kemi një rast me një person të ndaluar për veprën penale “Parandalim i ushtrimit të së drejtës për të votuar” nga neni 209.

Në rajonin e Mitrovicës i kemi dy raste me pesë persona të ndaluar, prej të cilëve dy për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve” nga neni 211, si dhe tre për veprën penale “Pengimi i procesit të votimit” nga neni 214.

Ora 18:27
Prokurorja në Gjakovë: Janë arrestuar dy persona për shkak të incidenteve të shkaktuara në qendrat e votimit

Prokurorja Mane Syla ka folur për Televizionin 7 rreth ecurisë së zgjedhjeve në rajonin e Gjakovës.

Ajo tha se janë kryer dy arrestime për shkak të incidenteve të shkaktuara në qendrat e votimit.

Syla ka treguar se organet përgjegjëse kanë reaguar menjëherë pasi janë njoftuar për incidente në rajonin ku ajo vepron.

“Për rastet ku jemi lajmëru që ka pasur incidente, menjëherë kemi marrë veprime konkrete. Dy raste i kemi pasur”, ka thënë Syla

“Njëri ka qenë për fotografim të votës, ndërsa tjetri ka qenë rast i sulmit. Ka ndodhur rreth orës 6 të mbrëmjes”, është shprehur ajo.

Ora 18:16
Arrestohet vëzhguesi i një partie politike në Gjakovë, kërkohej nga policia

Në Gjakovë, policia ka arrestuar një vëzhgues të një partie politike, por arrestimi i tij nuk ka qenë i lidhur me ditën e zgjedhjeve dhe procesin zgjedhor.

“Është arrestuar një vëzhgues i një partie politike në njërën prej shkollave në Gjakovë. Por, kjo nuk ka pasur të bëjë me procesin zgjedhor. Ai ka qenë në kërkim nga policia për vepra të mëhershme”, ka thënë zëdhënësi i policisë.

Ende nuk dihet se cilës forcë politike i përkiste personi i arrestuar

Ora 17:48
Nisma Socialdemokrate ka njoftuar se në Drenas ka pasur shumë parregullsi në procesin e votimit.

 

Nisma Socialdemokrate ka njoftuar se në Drenas ka pasur shumë parregullsi në procesin e votimit. Sipas Nismës, militantët e PDK-së të ndodhur para humbjes, janë duke ushtruar presion te votuesit.Komunikata e plotë e Nismës:
Nisma Socialdemokrate dega në Drenas është duke e përcjellë dhe monitoruar hap pas hapi procesin zgjedhor nëpërmjet komisionerëve dhe vëzhguesve tanë. Militantet e PDK-së të ndodhur para humbjes së sigurt në disa qendra të votimit po mundohet të ushtroj presion votuesve duke qëndruar para shkollës personat të caktuar tentojnë të manipulojnë me vullnetin e qytetareve. Presion mbi votuesit kanë raportuar komisioneret dhe vëzhguesit tanë në Qendrat e Votimit në Komoran dhe në Sankovc. Po ashtu edhe mediet kanë raportuar në lidhje me lënien e letrave me numrat e subjektit të PDK-së në kabinat e votimit në Shkollen fillore “Rasim Kiqina” në Drenas.I bëjmë thirrje KQZ-së dhe të gjitha institucioneve relevante të marrin masa konform ligjeve dhe udhëzimeve në fuqi me të vetmin qellim që të kemi zgjedhje të lira dhe demokratike. Duke qenë se kanë mbet edhe pak orë deri në mbyllje të qendrave të votimit iu bëjmë thirrje të gjithë qytetareve pa dallim të dalin dhe të votojnë, duke kryer ketë obligimin qytetar ne kontribuojmë të gjithë së bashku në ndërtimin e shtetit ligjor dhe demokratik. NISMA Socialdemokrate kërkon që të mbrohet vota si vullnet i lirë i qytetareve të Republikës së Kosovës.

Ora 17:44
Bota po ndjek zgjedhjet në Kosovë, ja çfarë shkruajnë mediat e huaja

Agjencitë botërore po raportojnë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, duke vlerësuar se rezultati i tyre është thelbësor për vazhdimin e dialogut Beograd-Prishtinë.

Reuters raporton se negociatat me Beogradin u ndërprenë një vit më parë, pas vendosjes së tarifës për mallrat serbe.
Reuters citon Arton Demhasaj nga Qendra Kërkimore Koha në Prishtinë,  të ketë deklaruar se detyra e parë e qeverisë së re do të jetë rifillimi i negociatave me Beogradin.

"Qeveria te ardhshme do të jetë qeveri e dialogut, dhe vetëm kur të mbarojë dialogu, ne do të duhet të adresojmë çështje reale siç janë korrupsioni, arsimi dhe ekonomia," tha Demhasaj për Reuters.
Agjencia e lajmeve amerikane AP vlerëson se temat kryesore në këto zgjedhje përfshijnë rinovimin e dialogut me Beogradin, por edhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe uljen e papunësisë së lartë, e cila është më shumë se 25 për qind.

AP kujton se zgjedhjet, e katërta që nga shpallja e pavarësisë në 2008, janë thirrur që kur kryeministri Ramush Haradinaj dha dorëheqjen në korrik, kur ai u ftua nga Specialja.

AP vlerëson se asnjë parti politike nuk ka të ngjarë të fitojë shumicën, dhe tashmë është vërtetuar se është e vështirë për të formuar një qeveri koalicioni.

Agjencia italiane ANSA thotë se rezultati i zgjedhjeve konsiderohet thelbësore për të vazhduar dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit.

Ora 17:39
Televizioni kroat transmeton lajmin për zgjedhjet në Kosovë duke shfaqur flamurin e Serbisë

Televizioni kroat HRT ka njoftuar për zhvillimin e zgjedhjeve në Kosovë, me flamurin e Serbisë... 

“Në Kosovë sot mbahen zgjedhjet parlamentare, të pestat në 12 vitet e fundit”, deklaroi spikerja që po paralajmëronte kronikën, teksa prapa saj ishte shfaqur flamuri i Serbisë, shkruan “Index.hr”. 

Lapsus grafik...? Kroacia e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Ora 17:36
Më shumë se 72 mijë votues në Prishtinë

Nga rezultatet që ka publikuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në orën 15:00, në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë deri në atë orë kanë dalë më shumë se 36 përqind e votuesve. Nga kjo përqindje, gjithsej janë 72.080 votues, ndërsa numri total i votuesve të regjistruar është 195.554.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar statistika rreth numrit të atyre që po marrin pjesë në këto zgjedhje të parakohshme, nëpër të gjitha komunat.
Nga 99,88 për qind e qendrave të votimit në gjithë Republikën e Kosovës kanë votuar 566 mijë e 190 persona, shifër kjo e cila mund të ndryshojë në momentin kur do të përditësohen shifrat edhe me të dhënat nga 4 qendra të votimit të tjera. Përkthyer në përqindje deri në orën 15:00 kanë votuar 29. 25 për qind e gjithë atyre që kanë të drejtë vote.

Ora 17:34
Zgjedhjet në Kosovë/ Bashkurti në Report Tv: Kosova ka nevojë për lidership të ri, jo autoritar

Pas një fushate parazgjedhore të qetë e pa incidente, kosovarët sot u janë drejtuar  qendrave të votimit të cilat janë hapur që nga ora 7:00 e mëngjesit, e do të mbyllen në ora 19:00 të mbrëmjes. Për të komentuar procesin zgjedhor në Kosovë, në studion e lajmeve në Report Tv ka qenë i ftuar, Diplomati Lisen Bashkurti.

Bashkurti ka thënë se pas luftës kahet politike janë ndarë sipas zonave dhe traditave të luftës dhe kjo do të ndikojë edhe në zgjedhjet e sotme. Në pesë emrat për kandidat për postin e kryeministrit, Bashkurti ka thënë se Kosova nuk do më lider autoritar dhe të fortë.

"Ndonëse Haradinaj ishte i fortë politikisht, nuk mori mbështetje të madhe. Patriotizmi si pjesë kryesore e luftës, tashmë lidhet me një qeverisje gjithëpërfshirëse. Që adreson çështje të përditshme dhe nuk abuzon me patriotizmin. Këto lider janë jashtëkohorë. Duhet ta kuptojnë. Ndihet nga dinamika e zgjedhjeve që ka ndryshuar shumë tek partitë e reja. Kosovarët duan një jetë më të mirë përveç patriotizmit. Kosova ka nevojë për lidership të ri që di të jetë i balancuar legjitim transparent. Kosova duhet të mësojë nga gabimet e Shqipërisë e të njëri tjetrit më shumë se nga sukseset" ka thënë Bashkurti.

Ora 17:31
Pse Facebook-u na njoftoi sot se ka zgjedhje në Kosovë?

 

Qytetarët e Kosovës me të drejtë vote po votojnë sot nga ora 07:00 deri në orën 19:00, për të zgjedhur 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Këtë proces zgjedhor, që udhëhiqet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), po e vëzhgojnë edhe 30 mijë vëzhgues nga organizata vendore e ndërkombëtare.

Ndryshe nga herët tjera, këtë herë edhe rrjeti social Facebook i ka kushtuar vëmendje ditës së zgjedhjeve.

Për herë të parë në Kosovë, Facebook-u i njoftoi përdoruesit për ditën e zgjedhjeve me njoftimin: “Është dita e zgjedhjeve! Informohu rreth votimit dhe shpërndaje që votove”

Në qendrën e ndihmës të Facebook-ut, ekziston një shpjegim pse shohim një njoftim të tillë rreth votimit. Në përshkrimin zyrtar të rrjetit social, thuhet:

“Mund të shihni përkujtues në ditën e zgjedhjeve se është koha për të votuar. Këta përkujtues mund t’ju ndihmojnë të zbuloni se si të regjistroheni, çfarë të prisni në ditën e zgjedhjeve dhe ku është vendosur vendi juaji i votimit. Ne i dërgojmë këto njoftime sepse duam t’i ndihmojmë të gjithë të ngrenë zërin e tyre gjatë zgjedhjeve. Ne nuk paguhemi për këto njoftime. Ne ju tregojmë atyre njerëzve se janë mjaft të rritur për të votuar, pa marrë parasysh kë e mbështesin”.

Njoftimi i Facebook-ut se ka zgjedhje në Kosovë tregon numrin e njerëzve që kanë votuar (dhe kanë bërë status për këtë) së bashku me informacionet e tjera për zgjedhjet, duke u lidhur në mënyrë automatike me ueb-faqen zyrtare të KQZ-së.

I pyetur nga Gazeta Express se nëse Facebook-u ka qenë i lidhur me KQZ-në në ndonjë formë për të lëshuar këtë njoftim, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, mohoi se KQZ-ja ka të bëjë me këtë.

Duket se algoritmi i Facebook-ut, duke u bazuar në atë se çfarë postojnë mediat, në mënyrë automatike e di për ditën e zgjedhjeve në një vend të caktuar dhe lëshon një njoftim të tillë. 

Ora 17:16
Denoncim: Zyrtari i PDK-së rrahu vëllanë e kryetarit të Degës së LDK-së në Mitrovicë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se është sulmuar nga një aktivist i PDK-së në Mitrovicë, vëllai i kryetarit të degës së LDK-së në këtë komunë

Përmes një njoftimi drejtuar mediave, nga LDK-ja thuhet se është sulmuar Fidan Kamberi, arsimtar i shkollës fillore “Bislim Imeri” në Kçiq të Madh të Mitrovicës.
“LDK-ja konfirmon se Fidan Kamberi është vëllai i kryetarit të Degës së LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi. Fidan Kamberi ka qenë i angazhuar nga shkolla “Bislim Imeri” për t’u kujdesur për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, thuhet në njoftim.

Fidan Kamberi ka marrë lëndime serioze dhe po trajtohet në emergjencën e Spitalit të Mitrovicës.

“LDK-ja kërkon nga organet kompetente kapjen sa më të shpejtë të autorëve të këtij sulmi dhe ndriçimin e motivit të tij. LDK-ja kërkon nga subjektet garuese të ndikojnë për parandalimin e sulmeve të tilla”, shkruhet në njoftim. 

Ora 17:09
Zgjedhjet në Kosovë/ Kryetarja e KQZ, Valdete Daka për Report Tv: Pjesëmarrja është në rritje, incidentet në Veri jo për masa radikale


Në Kosovë sot po zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sipas KQZ-së, në këto zgjedhje të drejtë vota kanë 1.937.868  qytetarë.

Mbi 554 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës kanë shfrytëzuar të drejtën për të votuar deri në orën 15:00 ose thënë ndryshe rreth 30 % të votuesve.

Këtë shifër e ka bërë të ditur edhe Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, e cila në një lidhje telefonike për Report Tv ka thënë se procesi zgjedhor është duke shkuar në rregull.

"Procesi ka shkuar mire zgjedhje. Kemi patur edhe disa incidente të vogla. Janë incidente pak a shumë të pritshme që mund të menaxhohen që nuk e demtojnë procesin zgjedhor. Kryesisht kosovarët votojnë orët e pasdites. Deri në orën 15:00 kemi rritje të votuesve. Duke marrë parasyshë zgjedhjet e 2017. Në orët e mëtejshme do të kemi më shumë. Deri më tani deri në orën 15:00 ka qenë diku deri rreth 30 % por përqindja ka ndryshuar. Përqindjet e tjera do të kenë pas orë 19:00. Natyrisht ata qytetarë vijnë tek qendra e votimit do të lejohen të votojnë edhe pas orës 19:00. Ata që kanë qenë aty deri në mbyllje të votimit në orën 7, do të lejohen. Në këto raste në Mitrovicë nuk më duken raste të rënda apo është duke ndodh ndonjë gjë e jashtëzakonshme ose për të marrë vendim radikal." ka deklaruar Valdete Daka.

Ora 16:42
Euronews për Zgjedhjet Parlamentare në Kosovë

Prestigjozja 'Euronews' i ka kushtuar një vëmendje të veçantë zgjedhjeve parlamentare që po zhvillohen në Kosovë.

Sipas saj, 'Kosova po voton drejt një pikë kthese politike në Evropën Juglindore' dhe se  'perspektiva e marrëdhënieve me Serbinë është çështja themelore e këtyre zgjedhjeve".

EuroNews  shkrun se "Programet e Partive kryesore, të përfshira në mosmarrëveshje me njëra tjetrën, kanë të bëjnë me probleme konkrete, të tilla si papunësia, korrupsioni dhe krimi, por është e qartë se një normalizim i marrëdhënieve me Beogradin gjithashtu do të nxiste stabilitetin ekonomik në vend dhe marrëdhëniet me Bashkimin Evropian" .

Në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, esencialisht janë vetëm tre forca politike konkuruese.

Euronews në shkrimin e saj i kushton disa rreshta edhe kandidatëve kryesorë për postin e Kryeministrit.

"Lidhja Demokratike e Kosovës, një formacion i qendrës së djathtë,  ka për kandidate një grua, Vjosa Osmanin, e vetmja nga kandidatët kryesorë, e cila edhe për shkak të moshës, 38 vjeçe, nuk ka patur një lidhje direkte me luftën guerilje të viteve 90, e cila derivoi në krijimin e UÇK-s dhe bombardimet e NATO-s .

Partia Demokratike e Kosovës, ish krahu politik i ushtrisë çlirimtare të Kosovës,  ka për kandidat Kadri Veseli, ish kryetari i parlamentit të kaluar.

Ish kryeministri Ramush Haradinaj, i cili u largua nga posti në muajin korrik pas akuzave për krime lufte nga një gjykatë ndërkombëtare, kandidon për tu rikthyer në postin vakant që ai la nën siglën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

Po sipas Euronews, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara shpresojnë që nga votimet e sotme të dalë një kryeministër që do të favorizojë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë .

Ora 16:38
Vëllezërit binjakë nga Klina votojnë me një dokument, arrestohet njëri dhe një komisionere

Në shkollën fillore “Dëshmorët” në Klinë është arrestuar një komisionere dhe një votues.

Vlora Latifi nga DnV ka thënë se arrestimet janë bërë për shkak se dy vëllezër kanë votuar me të njëjtin dokument.

“Një komisionere dhe një votues, vëllai i dytë që ka votuar me të njëjtin dokument , janë arrestuar nga policia në Klinë”, ka thënë Latifi.

Dyshohet se vëllezërit kanë qenë binjakë dhe janë identifikuar nga vëzhguesit vendorë.

Komisionerja do të zëvendësohet për të vazhduar procesin zgjedhor.

Ora 16:34
Deri në 15:00/ Numri i votuesve në rritje, 60 mijë më shumë se në zgjedhjet e fundit


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri në orën 15:00 kanë votuar 29.28% votues me të drejtë vote. Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka tha se procesi i votimit deri tani ka shkuar mirë me disa parregullsi, për të cilat tha se me këto merren organet përgjegjëse siç janë Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit. Daka gjithashtu ka bërë edhe krahasimin e numrit të votuesve me zgjedhjet e vitit 2017.  “Proces i votimit është duke vazhduar pa ndonjë problem që do të dëmtonte këtë proces zgjedhor. Po ashtu duke u mbështetur në të dhënat që janë dërguar nga 2491 vendvotime apo rreth 98 përqind të tyre, numri i qytetarëve më të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 15:00 është 554 mijë e 750 votues apo 29.28 përqind nga 1 milion e 937 mijë e 868 votues me të drejtë vote. Deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e  Kosovës në vitin 2017 kishin votuar 497 mijë e 120 votues apo 27.75 përqind e votuesve”, tha Daka.

Ora 16:33
Votimi deri në orën 15:00, ky është dallimi mes zgjedhjeve të vitit 2017 dhe 2019

Nga 99.88 për qind e qendrave të votimit në gjithë Republikën e Kosovës kanë votuar 566 mijë e 190 persona, shifër kjo e cila mund të ndryshojë në momentin kur do të përditësohen shifrat edhe me të dhënat nga 4 qendra të votimit të tjera. Përkthyer në përqindje deri në orën 15:00 kanë votuar 29. 25 për qind e gjithë atyre që kanë drejtë vote.

Ndërsa në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017 deri në orën 15:00 sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë dalë 506 mijë e 125 votues apo përkthyer në përqindje 27.73 %.

Pra krahasuar me vitin 2017, në këto zgjedhje deri në orën 15: 00 kanë dalë për të votuar më shumë 60 mijë qytetarë, apo me përqindje rreth 2 % më shumë.

Ora 16:24
Sensori i identifikon si votues potencial, ankohen votuesit

Në Vushtrri, Në shkollën “Lutfi Musiqi”, disa personave iu është ndaluar votimi për shkak se sensori i identifikimit të bojës blu në gisht i ka nxjerrë ata votues të mundshëm edhe pse ata nuk kanë votuar dhe as firmosur se kanë votuar në listat e votuese vrenda qendrave të votimit

 Veç këtij rasti, në Vushtrri nuk ka pasur incidente dhe deri tani gjithçka ka shkruar me rregull.

Deri në këto momente, në Vushtrri, kanë votuar më shumë se 22 mijë njerëz, rreth 30%.

Ora 15:28
Ambasadori amerikan Kosnett: Jam krenar që Kosova po bën zgjedhjen e saj

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Phlip Kosnett, ka bërë të ditur se ekipet e ambasadës kanë qenë në të gjithë Kosovën duke vëzhguar zgjedhjet sot.

Kosnett përmes Twitter-it ka shkruar se ndihet krenar kur Kosova bënë zgjedhjen e saj për një të ardhme paqësore dhe të prosperuar.

“Ekipet e ambasadës dhe unë kemi qenë në të gjithë Kosovën duke vëzhguar zgjedhjet sot. Ndihem krenar kur Kosova bënë zgjedhjen e saj për një të ardhme paqësore dhe të prosperuar”, ka shkruar Kosnett.

Ora 15:18
LDK: institucionet të mundësojnë zgjedhje të drejta dhe një proces i mirëfilltë

Lidhja Demokratike e Kosovës u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të ushtrojnë kompetencat e tyre në mënyrë që të mundësohen zgjedhje të drejta dhe një proces i mirëfilltë.

Përmes një konference për shtyp, shtabi zgjedhor i LDK-së ka shprehur shqetësimet për disa parregullsi dhe disa shkelje ligjore të cilat kanë ndodhur në disa vendvotime.

Zëdhënësja e shtabit zgjedhor, Doruntina Maloku, ndër tjera tha se LDK-ja ka një bashkëpunim  të shkëlqyer me të gjitha organet e zbatimit të ligjit në mënyrë që të mundësohet një proces i drejtë. “Ne bëjmë thirrje që gjitha institucionet e zbatimit të ligjit të ushtrojnë kompetencat e tyre që të organizohet një proces ferr dhe demokratik në të cilin respektohen në përpikëri vullneti i qytetarëve”, tha Maloku.

Duke i ftuar qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, ajo theksoi se qytetarët nuk duhet ta shesin besimin dhe votën e tyre sepse sipas saj duhet të mbrohen vlerat demokratike për të cilat sipas saj kanë luftuar. Kujtojmë se LDK-ja ka 2 mijë e 843 komisionarë dhe 5 mijë e 870 vëzhgues, të cilët do ta monitorojnë procesin e zgjedhjeve.

Ora 15:15
Zgjedhjet në Kosovë/ Deri në 15:00 votuan 30% e qytetarëve


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka njoftuar se deri në orën 15:00, kanë votuar 29.48% për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Të drejtë vote në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që po zhvillohen sot, kanë 1.937.868 votues të regjistruar. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka bërë thirrje për kujdes nga të gjitha palët për mbarëvajtje të procesit.

Ora 15:12
Një i vdekur jashtë qëndrës së votimit në Pejë

Një person është gjetur i shtrirë pa shenja jete jashtë qendrës së votimit në shkollën Fillore ‘Xhemajl Kada’, të Pejës.

Ai është dërguar në spital nga ekipet emergjente mirëpo nuk ka rritur që të mbijetojë.

Rasti është konfirmuar nga drejtori i spitalit, Skender Dreshaj.

Ende nuk ka informcion për shkaqet e vdekjes

Ora 15:06
Në Fushë Kosovë, emra të vdekurish në listë

Një qytetare nga Fushë-Kosova i ka thënë ekipit të Televizionit 7 se teksa ka votuar sot për zgjedhjet parlamentare të Kosovës, e ka parë në listë emrin e babait të saj që ka vdekur në vitin 2012.

Ajo thotë se familja e saj ndihen të ofenduar pasi edhe 8 vite më parë ka ndodhur e njëjta histori.

 “Babai im ka vdekur që 7 vjet dhe e pati emrin në listë. Ky është ofendim për ne. Jam ankuar dy herë më parë dhe emri i tij akoma është në listën e votimit”, ka thënë ajo.

Ora 14:55
Në Qendrën e Paraburgimit në Prizren votojnë të burgosurit

KMDLNJ ka njoftuar se në Qendrën e Paraburgimit në Prizren kanë votuar të burgosurit e këssaj qëndre.

Nga numri total prej 90-të burgosurve, të drejtë vote kishin 79 vetë, 11-të nga ta ishin shtetas të huaj, që nuk janë në Listën Përfundimtare të votuesve të Republikës së Kosovës, për zgjedhejt e 6 tetorit 2019-të, pa të drejtë vote.
Nga 79 vetë ( të burgosur), të drejtën për të votuar e shfrytëzuan 63 të burgosur, 14-të të tjerë refuzuan të votojnë , ndërsa 2 nga ta ishin pa dokumente identifikimi.
Procesi është udhëhequr nga KQz, përktësishtë KKZ në Prizren dhe monitoruar nga Qendra Rajonale e KMDLNJ-së në Prizren.

Ora 14:32
Ministrja e Arsimit Besa Shahini voton në Prishtinë

Pas Gent Cakaj, edhe Ministrja e Arsimit Besa Shahini, e shoqëruar nga bashkëshorti ka shkuar në Kosovë për të shprehur vullnetin e saj përmes votës

Ajo do të votojë në Dardan Molliqaj, pranë qendrës së votimit në Prishtinë.

Ka qenë vetë ministrja që ka publikuar një foto në ‘Facebook’, ku shfaqet e buzëqeshur.

‘Ne votuam’, shkruan Shahini përkrah fotos.

 

Ora 14:20
Diplomati suedez Karl Bild për zgjedhjet në Kosovë

Diplomati suedez Karl Bild ka komentuar procesin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme që sot po mbahen në Kosovë.

Përmes një shkrimi në Twitter, Bild ka shkruar se me krijimin e qeverisë së re, shpreson që të adresohen cështjet e pazgjidhura rajonale.

“Sot votuesit në Kosovë, shkojnë në kutitë e votimevë për të zgjedhur një parlament të ri. Pas zgjedhjes së qeverisë së re, shpresojmë që të adresohen cështjet e pazgjidhrura në rajon”, ka shkruar ai në Twitter.

Edhe GLPS-së ka bërë thirrje për të dalë sa më shumë qytetarë në votime.

“GLPS u bënë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës të shfrytëzojnë të drejtën e tyre themelore për të votuar. GLPS uron për një proces të qetë dhe demokratik. Stafi ynë do angazhohen sot për të monitoruar qendrat kryesore në të gjithë Kosovën”.

 

Ora 14:07
Katër persona të arrestuar për keqpërdorimin e votës

Katër persona janë ndaluar në stacionin policor në Prizren, pasi që të njëjtit dyshohet se kanë për keqpërdorimin e votës, saktësisht fotografimin e saj. Lajmin e ka konfirmuar për medie, zëdhënësi i policisë në Prizren, Vesel Gashi,

kosova-sot.info/www/delivery/lg.php?bannerid=0&campaignid=0&zoneid=42&loc=https%3A%2F%2Fwww.kosova-sot.info%2Flajme%2F414899%2Fkater-raste-arrestimi-per-fotografim-te-votes-ja-ne-cilin-qytet%2F&referer=https%3A%2F%2Fwww.kosova-sot.info%2F&cb=8e703dfc56" style="height:0px; width:0px" />“Mund të ju konfirmojë se Policia e Kosovës, në bashkëpunim me prokurorinë kemi ndaluar katër persona të cilët dyshohet se kanë keqpërdorur votën”, thuhet në përgjigjen e Gashit.

Edhe në fshatin Krushefc të Komunës së Pejës, një person ka fotografuar votën. Lidhur me rastin personi  është shoqëruar në stacion policor.

Ora 13:58
VV-ja i përgjigjet akuzave të PDK-së për blerje votash

Lëvizja Vetëvendosje u është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike të Kosovës se kanë blerë vota në Prizren. PDK-ja ka lëshuar një komunikatë para disa orëve, ku pretendonte se një aktivist i VV-së është kapur duke blerë vota në ambientet e shkollës “Abdyl Frashëri” në Prizren. Ajo pretendon se aktivisti i VV-së e kishte fotografuar votën, por ai, sipas VV-së ka qenë votues i PDK-së.

Zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka, ka deklaruar se është PDK-ja ajo që është kapur në flagrancë dhe po akuzon të tjerët.

“Në qendrën e votimit 2003, në ambientet e SHFMU Abdyl Frashëri në Prizren, kryesuesi i vendvotimit, Ardi Pulaj i LVV e ka vënë re një qytetar duke fotografuar votën. Menjëherë e ka lajmëruar policinë, policia e ka shoqëruar qytetarin në stacion, për ta intervistuar. Vota, e cila u bë e pavlefshme, u pa nga komisionerët se ishte për PDK”, ka shkruar Manxhuka.

Ai gjithashtu u ka bërë thirrje votuesve që të mos i fotografojnë votat e tyre.

Ora 13:51
AAK nuk ka asnjë ankesë për zgjedhjet

Në zyrat e AAK-së është mbajtur një konferencë për media. Në emër të koalicionit AAK-PSD ka folur Blerim Kuçi, i cili ka thënë se sipas matjeve të komisionerëve të këtij koalicioni deri në ora 11:00 kanë dalë në votime 9.32 për qind e qytetarëve të vendit. Po ashtu, Kuçi ka thënë se nuk është shënuar ndonjë incident i madh. “Procesi zgjedhor është duke shkuar pa ndonjë problem të madh. 'Ka ndonjë vrejtje të vogël, por s’është gjë e madhe'. Dalja deri në ora 11:00 9.32 për qind, sipas komisionerëve të koalicionit AAK-PSD”, ka thënë Kuçi nga konferenca e drejtpërdrejtë. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të dalin sa më masivisht në këto zgjedhje.

Ora 13:47
Kjo është komuna me numrin më të ulët të atyre që kanë dalë për të votuuar deri në orën 12

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri në orën 11:00 kanë votuar 9.64 për qind apo 174 mijë 669 qytetarë me të drejtë vote.

Komuna e cila ka daljen më të ulët të qytetarëve në zgjedhje, është Dragashi.

Deri tani sipas rezultateve të KQZ-së, në këtë komunë kanë votuar 2 mijë e 336 qytetarë apo  5.72 për qind.

Ora 13:40
Motra gjen vëllain e vdekur në listën e votimit në Prishtinë

Shqipe Makolli nga Prishtin, është shprehur për 'Indeksonline' se është shqetësuar dhe mllefosur pasi sot kur ka shkuar ta shfrytëzojë të drejtën e saj për të votuar, në listë në Shkollën e Medresesë në Prishtinë, ka parë edhe emrin e vëllait të saj i cili kishte vdekur 12 vite më parë. Ajo ka thënë se vëllai i saj ka vdekur kur ishte 24 vjeç dhe se një gjë e tillë e ka prekur tej mase.

“Kur shkova pashë emrin e vëllait të vdekur që ishte thirrur për të votuar. E vërtetova që ishte pikërisht emri dhe data e tij e lindjes 30.12.1981. Ju thashë se ky nuk është në këtë botë dhe fshijeni menjëherë. Ata më thanë se nuk guxojnë, por me insistimin tim e bënë"

Kujtojmë që të drejtën kushtetuese për të votuar e kanë shfrytëzuar rreth 102 mijë qytetarë, përkatësisht 6 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1 milion e 937 mijë e 369 qytetarë.

Ora 13:31
Serbi Sllobodan Petroviç i LSL-voton me dokumenta të Kosovës

Sipas RadioKim në gjuhën serbe, në Llapnasellë votimi por rrjedh pa pengesa. Rreth orës dhjetë, të drejtën e votës e ka shfrytëzuar edhe kryetari i LSL-së, Sllobodan Petroviqi, i shoqëruar nga bashkëshortja. Edhe këtu mëngjesi zgjedhor nuk ka pasur parregullsi, si dhe materialet kanë arritur me kohë.

Menaxheri i qendrës zgjedhore në Llapnasellë, Lubisha Karaxhiq, tha se, “Nuk janë vënë re kurrfarë gabimesh, materiali ka arritur me kohë, para hapjes së vendvotimit. Është dërguar një sasi më e madhe listash të votimit në krahasim me numrin e votuesve. Ky është vendvotim për banorët e Llapnasellës, por ka mjaft raste që në vendvotimin numër tre të vijnë shumë votues që votojnë me kusht. Dokumentet që i merr në konsideratë komisioni në vendvotim janë vetëm letërnjoftimet e Kosovës”.

Ora 13:27
Shoqërohet në polici pejani, fotografoi votën

Pavarësisht se zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë po zhvillohen në një atmosferë të qeta, nuk ka munguar edhe ndonjë incident. Një rast i tillë ka ndodhur në fshatin Krushefc të Komunës së Pejës. Zëdhënësi i policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova ka deklaruar se “Rreth orës 9:36 jemi informuar për një rast ku një person ka fotografuar votën, lidhur me këtë janë angazhuar hetuesit rajonalë përgjegjës. Lidhur me rastin personi që e ka fotografuar votën është shoqëruar në stacion policor. Jemi në pritje të vendimit të Prokurorit për cilësimin e rastit në fjalë”

Ora 12:11
Zgjedhjet në Kosovë/ KQZ: Votuan mbi 174 mijë persona, pjesëmarrja deri në 11:00, 9%

Në një konferencë për mediat, Valdete Daka, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka thënë se deri në orën 11:00 në Kosovë, kanë votuar rreth 9.64 për qind nga 1 milionë e 937 mijë e 868 votues.

“Ju njoftoj se duke u mbështetur në informacionet e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, procesi i votimit është duke vijuar. Po ashtu, duke u mbështetur në të dhënat që kemi marrë nga rreth 94 përqind e vendvotimeve numri i qytetarëve me të drejtë votë që kanë votuar deri në orën 11:00 është 174 mijë e 669 votues, nga 9.64 për qind, nga 1 milion e 937 mijë e 868 votues”. “Deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e  Kosovës të vitit 2017, kishin votuar 150 mijë e 244 votues, apo 8.45 përqind e votuesve. Të dhënat e detajuara për pjesëmarrjen e votuesve në çdo komunë dhe në çdo qendër votimi i gjeni në ueb faqen e KQZ-së të cilës mund t’i referoheni”, ka thënë Daka në një konferencë për media.

Ora 12:01
Zgjedhjet në Kosovë/ 11 autobusë me 2000 serbë drejt Kosovës për të votuar, synohet fitorja e Listës Serbe

Burime për Report Tv bëjnë me dije se janë nisur 11 autobus nga Serbia drejt Kosovës për të marrë pjesë në Zgjedhje. Deri më tani bëhet me dije se kanë hyrë në Kosovë rreth 2000 persona, ku synohet të garantohet fitorja e Listës Serbe, por flitet edhe për "misionin" e tyre të fshehtë për të krijuar incidente në Veri. Kjo sepse ato u janë drejtuar qendrave të votimit me letërnjoftim serb, por që sipas ligjit për të votuar duhet të jesh i pajisur me dokumente të dhëna nga shteti Kosovar. Kjo ka sjellë edhe përplasjen e vetme, deri në këto orë në veri, siç bëri të ditur më herët edhe zëdhënësi i KQZ-së në Kosovë Valmir Elezi në prononcim për Report TV.  

Ora 11:12
Zëdhënësi i KQZ-së së Kosovës për Report Tv: Arsyeja pse ndodhi incidenti në Mitrovicën e Veriut

Në një prononcim për Report Tv, zëdhënësi i KQZ-së në Kosovë, Valmir Elezi ka zbardhur incidentit në një qendër votimi në veri të Kosovës. Ai ka deklaruar se gjithçka ka ndodhur se një votues është paraqitur në qendrat e votimit me dokumente serbe, gjë e cila sipas ligjit nuk është e lejueshme. Ai ka njoftuar gjithashtu se rezultatet paraprake do të dalin shumë shpejt.

"Janë hapur të gjitha është vonuar disa minuta, përgjithësisht në bazë të informacioneve procesi i votimit po vijon normalisht. Procesi i votimit edhe në veri të Kosovës po vijon, një dokument të Serbisë me vete ka pasur një ekstrat të Kosovës. Për identifikim duhet të jenë dokumente nga Kosova, në mënyrë që të përdoret për identifikim të votuesve. Në 11:30 do të kemi një konferencë lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve. Numërimi bëhet në vendin e votimit, dalin rezultatet për subjekteve politike, Rezultati do arrijmë që t'i nxjerrim sa më shpejt", tha Elezi për Report Tv.

Ora 11:11
Zgjedhjet në Kosovë, Fatmir Limaj: Mundësi e jashtëzakonshme për vendin

I fundit nga kandidatët për kryeministër që ka hedhur votën për zgjedhjet parlamentare të parakohshme në Kosovë, ishte kreu i NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Pas ka kryer procesin e votimit, Fatmir Limaj është shprehur për mediat, se votimi i sotëm është një mundësi e jashtëzakonshme që vendi të bëjë hapa të rëndësishme përpara.

“Sot shfrytëzuam një mundësi të jashtëzakonshme që ka do qytetar. Pres që vota sot do ti japë perspektivë dhe mundësi të jashtëzakonshme që vendi të bëjë hapat e duhur.”.-tha Limaj.

Më herët, votuan edhe katër kandidatët e tjetër për Kryeministër, Vjosa Osmani, Albin Kurti, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli.

Ora 10:57
Incidenti në Mitrovicën e Veriut, ndalohen dy komisionerë

Dy komisionarë janë ndaluar nga Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë së Kosovës, ndalimi i tyre është bërë pasi dyshohet se kanë lejuar persona që të votojnë në kundërshtim me udhëzimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut.

Dy të ndaluarit janë komisionerë, njëri kryesues i vendvotimit dhe zyrtari i identifikimit në qendrën e votimit 3805B/12D, në shkollën “Sveti Sava”.

Njoftimi i Prokurorisë së Shtetit:

Ndalohen dy persona zyrtarë për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve

Prishtinë, 6 tetor 2019 – Prokurori i Shtetit njofton opinionin se në Mitrovicën e veriut, me urdhër të prokurorit, janë ndaluar dy persona të dyshuar se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve” nga neni 211 të KPRK-së.

Koordinatorja Nacionale për zgjedhje, Laura Pula, në koordinim me kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Shyqyri Syla, pas marrjes së informacioneve se është lejuar votimi në kundërshtim me rregullat e KQZ-së, nga ana e dy komisionerëve, (kryesuesi i vendvotimit dhe zyrtari për identifikim në qendrën e votimit 3805B/12D, në shkollën “Sveti Sava”, në Mitrovicën e veriut), janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme duke ndaluar të dyshuarit dhe duke kryer verifikimet procedurale

Ora 10:56
Vjosa Osmani: Ditë historike! Votimi të kryhet pa presione

Kandidatja për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, ka votuar në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik.

I shoqëruar nga bashkëshorti i saj, Osmani është shprehur para gazetarëve se sot është një ditë historike për Kosovën.

Po ashtu, Osmani ka bërë apel për një proces të rregullt dhe gjithçka të shkojë pa presione.

 “Thirrja ime është për të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e kësaj dite historike. Besojë shumë që nëpërmjet një procesi fer të lirë dhe demokratik Kosova sot, do të ketë arsye për të festuar. Uroj që gjithçka të shkojë pa asnjë presion “, ka deklaruar Vjosa Osmani para gazetarëve.

Procesin e votimit e kanë përfunduar edhe Presidenti Hashim Thaçi, Albin Kurti, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj.

Ora 10:28
Thaçi: Votim për të ardhmen euroatlantike të Kosovës

Rreth orës 10:00, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u paraqit bashkë me bashkëshorten e tij, për të votuar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.

Pasi votoi, Thaçi në një prononcim të shkurtër për mediat, apeloi që qytetarët të dalin të votojnë pasi vendoset e ardhmja e tyre dhe Kosovës.

“Dëshirojmë që t’i urojmë qytetarët e Kosovës, i ftojë ata që të votojnë për të mirën e tyre. Do të jetë një votim për të ardhmen euroatlantike të sigurte të Kosovës. Urime të gjithëve”, ka deklaruar Thaçi pas hedhjes së votës së tij.

Ora 10:15
Haradinaj: Proces i rëndësishëm, votohet për fatin e Kosovës

Kandidati për postin e Kryeministrit, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij ka votuar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që po mbahen në Kosovë. 

Në një prononcim për mediat, pasi votimit, Haradinaj i ka cilësuar këto zgjedhje si shumë të rëndësishme, ndërsa ka bërë apel që qytetarë të dalin masivisht për të votuar.

“Edhe ne votuam. I lus të gjithë qytetarët të votojnë. Vetëm me votë vendosim vetë. Është sukses për Kosovën një demokraci kaq  e mirë. Urime këto zgjedhje, urime të gjithëve. Jemi në proces të rëndësishëm. Të gjithë duhet të vendosim si është e drejta për vendin tonë. Ata që votojnë vendosin për fatin e tyre.”,-u shpreh Haradinaj.

Ramush Haradinaj kërkon që të jetë përsëri Kryeministër i Kosovës, pas dorëheqjes së tij me 19 korrik, për shkak se u thirr për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme në Hagë e cila trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë.

Ora 10:13
Çfarë pritet të ndodhë pas zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë?

Analistët pohojnë se rezultati i zgjedhjeve të sotme është vështirë i parashikueshëm sikundër edhe koalicionet e reja pas zgjedhjeve që janë të pashmangshme dhe deri tash asnjëherë nuk ka ndodhur që një parti e vetme të fitojë vota të mjaftueshme për të qeverisur e vetme.

Kjo ka bërë që ngritja e qeverive të jetë punë e vështirë, ndërsa rrëzimi i tyre shumë i lehtë. Asnjë qeveri nuk e ka çuar deri në fund mandatin e saj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Diplomatët kanë bërë thirrje që menjëherë pas zgjedhjeve të formohet shpejt një qeveri që do të përballet me sfidat që e presin Kosovën, në radhë të parë me ripërtëritjen e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Bisedimet janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.

Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e deritashme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i ka rezistuar trysnisë amerikane dhe evropiane për pezullimin apo heqjen e tyre.

Diplomatët amerikanë presin që kjo të ndodhë pas zgjedhjeve për të rihapur bisedimet dhe derisa në muajin gusht sekretari Mike Pompeo, emëroi zotin Mathew Palmer si të dërguarin e posaçëm për Ballkanin, të enjten presidenti Donald Trump, emëroi ambasadorin Richard Grenell, si të dërguarin e tij të posaçëm për bisedimet e paqes midis Kosovës dhe Serbisë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, presidenti Trump u kishte shkruar presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që të shfrytëzojnë kohën e duhur për të arritur një marrëveshje pajtimi, duke theksuar se "do të mirëpriste të dy presidentët në Shtëpinë e Bardhë, për të kremtuar atë që do jetë një marrëveshje historike".

Vazhdimi i bisedimeve mund të pritet pas zgjedhjeve në Kosovë dhe diplomatët shpresojnë që kjo të ndodhë para se Serbia të hyjë në periudhën e zgjedhjeve që mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm./VOA

Ora 09:51
Zgjedhjet në Kosovë, Kurti i bindur në fitore: Mbrëmjen ta shndërrojmë në festë masive

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Alin Kurti, bashkë me bashkëshorten dhe vajzën e tij, i është drejtuar godinës së Fakultetit Juridik për të hedhur voton.

Kandidati i VV për Kryeministër, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të dalin në zgjedhje dhe të votojnë për të ardhmen e tyre.

I bindur në vitoren e VV-së, Kurti u shpreh se duhet të votohet masivisht dhe më pas në orët e mbrëmjes të festohet fitorja.

“Sot është një ditë e veçantë, të gjitha partive u përgjigjet populli. Nuk ka rëndësi nëse je i pasur, i varfër, nga qyteti ose jo, të gjithë jemi të barabartë. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve  ta shfrytëzojnë këtë shans unik për karakterin dhe të jashtëzakonshëm për nga pesha. Të presim në orët e mbrëmjes që votimin masiv ta shndërrojmë në një festë masive”,-tha Kurti.

Ora 09:49
Cakaj voton në Prishtinë: Zgjedhjet, vendimtare për fatin historik të Kosovës

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj, ka votuar për zgjedhjet e parakohshme që po zhvillohen ne Kosovë.

Cakaj, si një shtetas kosovar, ka udhëtuar drejt Prishtinës për të votuar, ndërsa përmes një statusi në profilin e tij në Facebook, ka theksuar se Shqipëria do ta mbështesë gjithmonë Kosovën.

Ministri Cakaj shkruan se zgjedhjet në Kosovë janë shumë të rëndësishme pasi do të përcaktohet sesi do të marrin rrjedhë disa procese të rëndësishme për këtë vend.

“Sapo votova në Prishtinë për të kryer një detyrim themelor politik, kësaj radhe si qytetar i Republikës së Kosovës. Votimi në zgjedhjet e përgjithshme kësaj rradhe është shumë më shumë sesa një akt deklarimi politik për Kuvendin a Qeverinë e ardhshme.

Në të vërtetë, kësaj rradhe Kosova voton për të përcaktuar rrjedhën e një game të gjerë procesesh që do të jenë vendimtare për fatin historik të saj. Republika e Shqipërisë do ta mbështes gjithmonë dhe pa kushte Republikën e Kosovës. Pafundësisht krenar me Republikën e Kosovës.”,-shkruan Cakaj.

Ora 09:34
Voton Kadri Veseli: Ditë e jashtëzakonshme për Kosovën e shenjtë

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka qenë politikani i parë, i cili i ka votuar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që po zhvillohen në Kosovë.

Vesili ka votuar në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.

Pas votimit, kandidati për kryeministër nën siglën e PDK-së, e ka cilësuar si të jashtëzakonshme këtë ditë.

“Sot është një ditë e mirë e jashtëzakonshme për Kosovën tonë të shenjtë. I uroj qytetarët, do t’i hapin perspektivën Kosovës, fëmijëve tanë, përhajr na qoftë të gjithëve”, ka thënë Veseli.

Ora 09:30
Kreu i Listës Serbe: Nuk e kuptoj pse nuk lejohet votimi me letërnjoftim serb

Pas incidentit të ndodhur në Mitrovicën e Veriut, ku komisionerët serbë u përplasën për mënyrën e votimit, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç ka reaguar për mediat.

Në një prononcim për T7, Rakiç ka theksuar se të gjithë ata që kanë emrin në listë duhet të votojnë, ndërsa e ka cilësuar si të pakuptimtë që nuk lejohet që të votohet me letërnjoftime serbe.

“Secili duhet me kuptu që emri i secilit që është në listë duhet me votu, nuk e kuptoj pse nuk guxojë me votu me letërnjoftimin serb, kur emri i atij personi figuron në listë”, ka thënë Rakiç.

Kreu i Listës Serbe, u ka bërë apel serbëve të Kosovës që të dalin masivisht në zgjedhje, në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet.

“Qysh keni mujt me pa serbët e Mitrovicës kanë dal masivisht me votu, po dalim për një jetë më të mirë për ta ngritë zërin”, ka thënë ai.

Ora 08:58
Kosova voton, Thaçi: Pjesëmarrje sa më të madhe! Procesi të jetë i lirë dhe i drejtë

Në Kosovë ka nisur procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare të parakohshme.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u ka bërë apel qytetarëve që të dalin të votojnë si dhe për një proces elektoral të lirë dhe të drejtë.

“Sot Kosova zgjedh legjislaturën e re, që do të nxjerrë edhe qeverinë e re të Kosovës, e cila duhet të përmirësojë jetën e qytetarëve tanë dhe të përballet me sfidat që i kemi përpara. Prandaj, ftoj për një pjesëmarrje sa më të madhe, për një proces elektoral të drejtë, të lirë dhe fer. Kemi ndërtuar traditë të zgjedhjeve të mira dhe të pranuara nga të gjithë. Sot le të fitojë Kosova.”-shkruan Thaçi në Facebook.

Ora 08:23
Zgjedhjet në Kosovë, serbët përplasen mes njëri-tjetrit në Mitrovicën e Veriut

Që prej orës 07:00, në Kosovë po votohet për të zgjedhur qeverinë e re, pas dorëheqjes nga posti i Kryeministrit i  Ramush Haradinajt.

Mediat kosovare kanë raportuar se është shënuar incidenti i parë, pasi në qendrat e votimit në Mitrovicën e Veriut, Zveçan dhe Leposaviç ka pasur përplasje të komisionerëve mes njëri-tjetrin.

Shkaku i përplasjes mësohet se ka qenë mënyrë e votimit, pasi disa prej komisionerëve kanë kërkuar që të votohet me letërnjoftim serbë, ndërsa të tjerët kanë kërkuar që të votohet me letërnjoftim të Kosovës.

Në Mitrovicën e Veriut, të drejtën për të votuar e kanë 80 mijë qytetarë.

Ora 08:08
Amerika me sytë nga Kosova, Kosnett: Çdo votë ka rëndësi

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë po ndiqen me interes të madh nga bashkësia ndërkombëtare, të cilët u kanë bërë thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë.

Kreu i diplomacisë amerikane në Kosovë, Philip Kosnett, përmes një statusi në Twitter ka theksuar se çdo votë e qytetarëve të Kosovës, ka rëndësi e për këtë duhet të dalin të votojnë.

“Në Kosovë, si në Amerikë, çdo votë numërohet. Çdo zë ka rëndësi. Cilado qoftë pikëpamjet tuaja, këdo që të mbështesni – më 6 tetor, dilni dhe votoni. Për veten, për vendin tënd, për të ardhmen tuaj”, -shkruan Kosnett.

Ora 07:59
Kryetarja e KQZ: Kujdes me procesin, gjithçka i faturohet Kosovës

Në Kosovë ka nisur votimi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku ndër votuesit e parë ka qenë kryetarja e Komisionit të Zgjedhjeve, Valdete Daka.

Pas votimit, Daka u ka bërë thirrje qytetarëve, partive politike, që të kenë kujdes, pasi i gjithë procesi zgjedhor është në duart e tyre.

“Pasiqë e kam kryer obligimin tim kushtetues dhe qytetar. I ftoj të gjithë qytetarët, të gjitha subjektet politike, komisionet që ditën e sotme të kenë kujdes dhe nga ky moment procesi është në duart e tyre. Ta kemi parasysh se gjithçka që do të ndodhë i faturohet Kosovës, e jo atyre. Suksese të gjithëve e punë të mbarë.”, -tha Daka.

B.K./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Bim: 07/10/2019 08:19

    Si në çdo shtet europian mbas 4-5 orësh dihen rezultatet në një proçes ma histerizma è ngatërrim e. Tek ne as në ne Afrikë nuk ndodh që mbas 2 ditësh ka zona ku akoma nuk ka filluar numerimi

    Përgjigju
  • Emi: 07/10/2019 01:33

    Ky ka vujte shum per popullin shqiptate dhe e meriton.

    Përgjigju
  • erti: 06/10/2019 23:53

    kosova pra votoi me qetesi jo si partit ktu qe pri njeri t vdek ne liste bojn namin,per 3 ore doli rezultati i zgjedhjeve,ktu ne rrofshin reformat zgjedhore,qe duan 7 dite me i numru votat

    Përgjigju
  • Erwin: 06/10/2019 23:28

    Rrini si m** tani ju te gjithe klasa politike ne shqiperi me gjithe reformen tuaj zgjedhore qe do 7 dite te numeroj votat e 7 jave te dal rezultati.bravo per 4 ore 80% e votave te numeruara vertet bravo

    Përgjigju
    • Justice: 07/10/2019 00:31

      Per me teper edhe kur kane vetem nje kandidat

  • mark lesh preng gjon pali: 06/10/2019 19:34

    Lajmi i i dites zgjedhje ne emiratin kriminal te dardanistanit ku turiqt shqipfoles me miqte serbe te Rames bejne votime per te zgjedhur te njejtet majmuna qe e kane shkerdh... shtetin e tyre ketu e 20 vjet

    Përgjigju
    • Trnakop Kacija: 07/10/2019 08:41

      E fort te paska djeg kuo fitore e Shqiptareve - si duket ti je nje prej atyre qe ke shit vajzen ose motren te ndonje shka plak ne Serbi.

  • Mala: 06/10/2019 10:14

    Fitore po!por e PDK-se, e cila vertet do te festoje, sic ka festuar tash sa vjet,LVV mer hisen e lepurit, me te drejte festimi per aq sa I dha besim sovrani.

    Përgjigju
  • Robert: 06/10/2019 07:41

    Qytetari e vertete! Jo si ne Shqiperi qe kane frike te perballen me realitetin dhe secila pale i ben bisht petgjegjesise. Cdo popull ka qeverine qe meriton. Radhes tjeter o njerez mos shikoni e mos u shitni per timonierin e vetem ne timon por te miren tuaj.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mbledhja e qeverisë, 275 mijë familje dhe individë përfitojnë nga 15 mijë lekë shpërblim për fundvitin

Mbledhja e qeverisë, 275 mijë familje dhe individë përfitojnë nga 15 mijë lekë shpërblim për fundvitin