TIRANE-Arrestohet në Komunën e Parisit një anëtar i fisit Lici në Shkodër. Ai është Barush Bregu 33 vjeç, ndërsa Report Tv ka siguruar foton e të riut që është prangosur mesditën e sotme. Bregu është i dënuar me 4 vite burg për kultivim të bimëve narkotike, e kryer në bashkëpunim në vitin 2016, si dhe me masë sigurie "Arrest në burg", për armëmbajtje pa leje. Report Tv mëson se Bregu në vitin 2012 ka ndryshuar emrin nga Bajram në Barush.

Gjate aksionit në shtatorin e kaluar në banesën e vëllait të vrarë të Licëve, Fatbardh Lici, është gjetur një armë zjarri automatike e cila kishte gjurmët e gishtave të Bregut. Prej 8 vitesh ai është një nga njerëzit kryesorë të vrasjeve për llogarit të grupit Lici.

Dikur shok me Asmer Bilalin, tashmë i arrestuar si pjesë e grupit 'Bajri', policia thekson se Barush Bregu është i skeduar si pjesëtar i një grupi kriminal, pa specifikuar emrin, që Report Tv mësoi se bëhet fjalët për grupin e fisit Lici dhe se është  i dyshuar edhe si autor për ngjarje të tjera të rënda  kriminale të ndodhura në qarkun Shkodër më parë, si dhe autor i dyshuar për “trafikim të lëndëve narkotike".

Po gjatë operacionit  të ditës së sotme u arrestua në flagrancë dhe Bajram Çekorja 21-vjeç, banues në Shkodër për përkrahje të autorit, pasi e ndihmoi që të fshihej në Tiranë. Dy të rinjtë u arrestuan në një banesë të marrë me qira te Komuna e Parisit. Pas arrestimit mesditën e sotme në Tiranë të Bregut dhe shokut të tij, ata janë  transportuar në qytetin e Shkodrës dhe ditën e hënë do të dalin para gjykatës për t'u njohur me masën e sigurisë.

Burime pranë policisë pohojnë se operacioni 'Kompleksi' është në vijim. Ndërhyrja e RENEA-s sot zgjati një orë dhe erdhi pas 10 ditësh vëzhgim. Operacioni u ndoq nga afër nga gazetari i Report Tv, Arsen Rusta, ku u panë agjentë të RENEA-s me snajperë të vendosur në pika të larta të pallateve. Report Tv publikon pamjet e momentit të arrestimit të dy shkodranëve, të cilët ranë në pranga, pasi policia bllokoi zonën për dy orë. Sa i përket grupit 'Bajri', ai u godit në shtator të vitit të kaluar në Shkodër dhe në Tiranë duke sjellë shumë arrestime (lexo ketu). 

Në dy vitet e fundit si pasojë e përplasjes së dy fiseve në Shkodër janë shënuar disa viktima dhe të plagosur. Dy vëllezërit Astrit dhe Brahim Bilali janë dy viktimat e fundit nga seria e përplasjes. Ata u vranë në datë 30 mars, ndërsa në 26 prill u arrestuan dy persona të cilët akuzohen se kanë ndihmuar ekzekutori kryesor, Ibrahim Lici, i cili është shpallur në kërkim.

Ibrahim Lici 26 vjeç është djali i Mustafa Licit anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës dhe kryetar i një partie ne aleance me Partinë Demokratike. Ibrahimi ka qenë i arrestuar së bashku me vëllanë e tij, Muhamed Lici, në mars të 2017 pasi drejtonin një grup kriminal që u vendosnin gjoba tregtarëve të Zdrales në Shkodër.

Muhamet Lici i dënua me 13 vite burg, ndërsa  gjykata e la të lirë Ibrahim Licin, i cili ishte kthyer në një 'dhimbje koke' për policinë e Shkodrës. 4 të rinjtë kanë planifikuar dhe realizuar vrasjen e Ibrahim e Astrit Bilalit në derën e shtëpisë së tyre, teksa ky krim ndodhi në vijimësinë e hakmarrjes mes familjeve Lici dhe Bajri. Astrit Bilali  i cili mbetur i vdekur së bashku me të vëllanë e tij me 30 mars të këtij viti, është babai i Astmer Bilali, ish kampionit boksit  i arrestuar si pjesë e grupit "Bajri" në Shkodër.

I arrestuari Barush Bregu

Bajram Çekorja , i arrestuar për përkrahje të Barush Bregut