Cristiano Ronaldo do prezantohet sot te Al-Nassr para 25 mijë tifozëve. Me kontratë deri në 2025, CR7 do bëhet lojtari më i paguar në botë teksa të shumta kanë qenë kritikat për kalimin e tij në Arabinë Saudite. Duket se 37-vjeçari e ka menduar mirë dhe një kalim i tillë në një kampionat të "dorës së tretë" nuk është rastësor.
Ronaldo vijon të mrekullohet nga ideja se mund të luajë edhe njëherë në Champions League dhe një gjë të tillë ia siguron Al-Nassr. Klubi është pronë e fondit saudit të investimeve, me këta të fundit që zotërojnë edhe dy klube të tjera në Arabi, ndërsa qëndrojnë edhe pas Newcastle në Premier League.
Klubi anglez është në vendin e tretë në Premier League dhe kanë një shans që sezonin e ri të jenë pjesë e Champions League. Një gjë e tillë sipas Marca ka bindur Ronaldon që të firmosë në Arabinë Saudite, me shpresën se do luajë me Newcastle sezonin që vjen në Champions League, duke u huazuar nga Al-Nassr. Duket se Ronaldo e ka vendosur në pikat e kontratës një kusht tillë, para se të binte dakord me kalimin në Arabi.