Pierre-Emerick Aubameyang është lënë jashtë listës së Champions League nga Chelsea. Trajneri Graham Potter ka konfirmuar lajmin, teksa sulmuesi është jashtë 25 emrave të përfshirë për duelet e pjesës së mbetur në Champions.
Jashtë edhe Benoit Badiashile, afrimi i janarit që i kushtoi Chelseas 40 milionë euro. Pjesë e grupit Enzo Fernandez, që u bashkua me Blutë për shifrën rekord të 121 milionë euro.
Mykhailo Mudryk, i cili u bashkua me Chelsea për 70 milionë euro nga Shakhtar Donetsk dhe i huazuari Joao Felix u përfshinë në listë.
"Pierre është një profesionist dhe unë e kuptoj se ai do të zhgënjehet. Ishte një vendim i vështirë. Ne kishim tre emra të rinj që u futën. Ishte ai që mbeti jashtë. Nuk është absolutisht asgjë e keqe kundër tij. Ai nuk ka bërë asgjë të keqe", tha trajneri Potter.