Shteti Islamik numëron rreth 20 000 deri në 31 500 luftëtarë në radhët e tij në Siri dhe në Irak, sipas vlerësimeve të reja të agjencisë amerikane të shërbimit sekret (CIA), një vlerësim i mëparshëm i të cilit përmendte shifrën 10 000 xhihadistë anëtarë të ISIS.

"CIA theksoi se Shteti Islamik numëron rreth 20 000 deri në 31 500 luftëtarë në Irak dhe në Siri duke u bazuar në një studim të ri të raporteve të të gjitha burimeve të shërbimit sekret mes muajve maj dhe gusht", deklaroi Ryan Trapani, një zëdhënës i agjencisë.

"Më parë , numëroheshin më pak se 10 000 luftëtarë", shtoi ai.

CIA ia atribuon këtë rritje një rekrutimi më të madh që prej muajit qershor, pas fitoreve në terren dhe shpalljes së kalifatit, një aktivitet më intensiv në luftimet dhe burimet e reja të informacionit", theksoi Trapani.
Shtetit Islamik shpalli një kalifat në fund të muajit qershor me në krye liderin e tij, irakianin Abou Bakr al-Baghdadi.

Presidenti amerikan, Barack Obama premtoi dje se do të shkatërrojë Shtetin Islamik duke i sulmuar në Irak dhe në Siri, ku ISIS lufton kundër regjimit të Bachar al-Assad dhe grupeve të tjera rebele.
SHBA mori dje mbështetjen e 10 vendeve arabe në fushatën e ndërmarrë nga presidenti amerikan, por regjimi sirian, mbështetur nga Rusia, paralajmëroi Uashingtonin kundër goditjeve ajrore në territorin e tij pa marrëveshje./ATSH/