TURQI- Pavarësisht se luan në kategorinë e dytë, Sokol Cikalleshi ka shënuar dy gola për ekipin e tij duke i dhënë dhe kreun në renditje. Bomberi shqiptar i ka dhënë fitoren skuadrës së tij, Akhisarspor në transfertën përballë Fatih Karamurug. 2-3 ka fituar skuadra e Cikalleshit, ndërsa kavajasi gjeti rrjetën në minutat e 22' dhe 29' për ta çuar avantazhin në 0-3, dhe pse më pas diferencat do të ngushtoheshin.
Duket se 29- vjeçari po bën mirë në Ligën 2 të Turqisë, dhe këta janë golat e tretë dhe të katërt për të në këtë fillim sezoni. Dy të parët i gjeti nga pika e penalltisë. Ai mund të jetë tashmë zgjedhja e parë në qendër të sulmit për trajnerin Edy Reja në ndeshjet e parafundit të cilat Shqipëria do të zhvilloje më 11 dhe 14 tetor përballë Turqisë dhe Moldavisë të vlefshme për eleminatoret e EURO 2020. Herën e fundit që Cikalleshi luajti për kombëtaren, shënoi dy herë përballë Francës dhe Islandës.