Etapa e tretë e Turit të Holandës 2025 u ndërpre para kohe pas një incidenti serioz sigurie, kur një automjet u afrua në drejtim të kundërt me pelotonin, duke shkaktuar panik dhe kaos në rrugë.

Gara po ecte normalisht kur çiklistët u përballën me makinën, e cila injoroi udhëzimet e motoçikletave të organizatorëve dhe paralajmërimet e dyfishta për të ndaluar.

“Shoferi vazhdoi udhëtimin, pavarësisht paralajmërimeve, duke shkaktuar kaos në rrugë”, raportojnë organizatorët.

Për shkak të mungesës së masave mbrojtëse dhe rrezikut të lartë, çiklistët vendosën të ndalonin garën për arsye sigurie. Pak minuta më vonë, organizatorët konfirmuan në një deklaratë pezullimin e etapës dhe mbështetën vendimin e ekipit dhe sportistëve.

Turi i Holandës nuk ka eskortë policore dhe mbështetet vetëm në protokollet e sigurisë nga organizatorët, gjë që e bëri incidentin edhe më shqetësues.
Situata thekson nevojën për masa shtesë mbrojtjeje në gara ku rruga është e hapur për trafikun e zakonshëm.

Pas ndërprerjes, Ethan Hayter mban kryesimin e përkohshëm në klasifikimin e përgjithshëm. Organizatorët po vlerësojnë mundësinë që në dy etapat e mbetura të ndryshojnë itinerarin, për të garantuar sigurinë e sportistëve.