Pas garës së kronometrit, ditën e diel është zhvilluar edhe gara çiklistike e rrugës në Kampionatin Kombëtar të Çiklizmit, event që është organizuar nga Federata Shqiptare e Çiklizmit. Në garën e rezistencës, me intenerar Tiranë-Rrogozhinë-Tiranë, për kategorinë elite, i pari që ka prerë finishin ka qenë Ylber Sefa. Pas tij kanë mbërritur Eugert Zhupa dhe vetëm 2 sekonda më pas ka kaluar finishin i treti Olsian Veliaj. Nën kushte të vështira atmosferike, për shkak të temperaturave të larta, gara është mbyllur me sukses edhe nga kategoritë e tjera pjesëmarrëse, teksa në kliometrat e fundit ka pasur një rivalitet të shtuar, sidomos për vendin e tretë në podium.
Ja rezultati i gares se kronometrit ne kampionatin e ciklizmit
Pas garës dy çiklistët Zhupa dhe Sefa u shprehën mjaft të lumtur për suksesin në këtë garë, se do të vijojnë punën për të përfaqësuar sa më mirë çiklizmin shqiptar edhe në arenën ndërkombëtare. Sakaq për presidentin e Federatës Shqiptare të Çiklizmit, z.Skënder Anxhaku, edhe gara e rezistencës ka treguar një nivel të kënaqshëm dhe për këtë gjë ai ka përgëzuar trajnerët dhe sportistët për punën e madhe që ata kanë bërë. Në mbyllje është bërë edhe ceremonia e dorëzimit të medaljeve për të dyja garat, atë të rrugës dhe kronometër, ku sportistët janë ngjitur në podium për të marrë çmimet e tyre. Telesport