Cimbalo, një studim për 
pluralizmin  e besimit në Shqipëri

Cimbalo, një studim për <br />pluralizmin  e besimit në Shqipëri
TIRANË- Në studimet e deritashme, nga vendës e të huaj, shumë pyetje janë bërë për virtytin shqiptar të tolerancës sipas disave; të bashkëjetesës në një kuadër të objektivizuar prej historisë dhe të pragmatizmit ndoshta, sipas disa të tjerëve. Por një pyetje thelbësore thuajse nuk është shqiptuar asnjëherë, dhe kjo është pyetja që merr përsipër të zgjidhë Giovanni Cimbalo në librin e tij të fundmë, botuar në Itali e në Shqipëri vetëm me një vit ndërmjet: Po shteti shqiptar, institucionet e tij, a kanë pasur ndonjë meritë në këtë realitet?  Studiuesi italian Giovanni Cimbalo, profesor në Universitetin e Bolonjës, ka promovuar dje në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë librin “Pluralizmi i besimit dhe komunitetet fetare në Shqipëri”.

Libri është përkthyer nga gjuha italiane në gjuhën shqipe nga Flora Koleci dhe ka dalë në shtyp nga botimet “Naimi”. Ky libër është pjesë  e kolanës “Studime të së drejtës së krahasuar”: e drejta kishtare dhe të drejtat njerëzore, raporti i fesë me shtetin në Shqipëri. Parë në rrafshin e së drejtës së krahasuar përmes një “formulës juridike”, Giovanni Cimbalo gjen çelësin për të shpjeguar harmoninë fetare në Shqipëri.

I konsederuar një nga monografitë më serioze që zbardh nga pikëpamja historike raportet e shtetit shqiptar me komunitetet fetare përmes aspektit juridiksot në mesditë Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin i Kalabrisë, Universitetin e Palermos, Universitetim Mesdhetar të Shqipërisë promovuan sot në Tiranë monografinë “Pluralizmi i besimit dhe komunitetet fetare në Shqipëri” të autorit Giovanni Cimbalo, Universiteti i Bolonjës, i cili botohet prej shtëpisë botuese “Naimi”. Ky libër është pjesë e kolanës Studime të së drejtës së krahasuar: e drejta kishtare dhe të drejtat njerëzore, themeluar dhe drejtuar nga vetë autori në Università degli Studi di Bologna.

Përmes kumtesave të tyre profesorët Francesco Altimari, Matteo Mandala, Jorgo Bulo, Shaban Sinani, Evis Alimehmeti dhe Gjergj Sinani analizuan me hollësi vlerat e këtij studimi shkencor. Sipas tyre, studimi i G. Cimbalo-s është shkruar me kulturë historike e juridike, me njohje të së shkuarës dhe të së sotmes së popullit shqiptar. Eshtë një libër me shumë të vërteta që i duhen dijes albanologjike. Si një “ishull” me shumicë islame në një gadishull ku mbizotëron ortodoksia, Shqipëria ka zgjuar interesin e studiuesit italian Giovanni Cimbalo, profesor në universitetin e Bolonjës, për të analizuar veçoritë e marrëdhënieve mes shtetit dhe komuniteteve fetare, duke zbuluar në të njëjtën kohë “enigmën” e tolerancës fetare këtu, ndryshe nga vendet e tjera ballkanike dhe më larg tij.

Përtej perceptimeve apo shpjegimeve romantike të tipit “besa”, “kanuni”, “mikpritja”, prof. Cimbalo e gjen “çelësin magjik” tek infrastruktura ligjore. Një analizë krahasuese mes normave dhe ligjeve të miratuara prej fillimit të shtetit shqiptar, gjatë monarkisë, regjimit komunist deri më sot e ka lejuar autorin të depërtojë më thellë në historisë e këtij vendi, për të hedhur më shumë dritë mbi ndryshimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve institucionale mes komuniteteve fetare dhe shtetit; të kuptojë ç’ndikim ka pasur kjo në formimin e mendësisë mbi përkatësinë fetare dhe ç’trajtë ka sot ushtrimi dhe pjesëmarrja në jetën fetare.

Prof. Giovanni Cimbalo, i pranishëm në takim, pasi falënderoi referuesit, tha: “Nga shqyrtimi i historisë kushtetuese, del se, që në zanafillë të shtetit të vet, Shqipëria moderne e ka ndër parimet e saj themelore ndarjen mes shtetit dhe fesë, laicitetin e institucioneve, e kryesisht, pluralizmin fetar, i parë si formant i rëndësishëm i sistemit ligjor, një prej përbërësve themelorë për ndërtimin e unitetit kombëtar, si vlerë e epërme për vendin.

Ky qëndrim bëri të mundur që i vetmi shtet në Europë me shumicë myslimane, të përpunojë një trajtë dhe vizion pluralist për islamin dhe të kapërcejë pengesat për proselitizëm të besimeve të tjera jo islame, edhe pse ky i fundit ka epërsi shifrash. Dekreti i vitit 1923, me anë të të cilit sistemi shqiptar vendosi kriteret për njohjen e personalitetit juridik civil për komunitetet fetare, përbën, ende sot, një prej normave më të përparuara për rregullimin e marrëdhënieve me kultet dhe një mjet të admirueshëm për parandalimin e konflikteve ndërfetare, një instrument juridik që nuk i zbehet vlera e origjinalitetit që mbart”. 

Shkrimi u publikua sot (12.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

NBA/ LeBron fiton 'betejën' me Curry-n, mposhten kampionët e Boston

NBA/ LeBron fiton 'betejën' me Curry-n, mposhten kampionët e Boston