Shfaqja “Piter Pan” është premiera e re e Cirkut Kombëtar, që po vihet në skenë te ArTurbina, ku ushtrimet akrobatike, realizohen në të njëjtën hapësirë ku interpretohen edhe shfaqje teatrore. Për fat, këtu, sidomos lartësia, ofrojnë më shumë mundësi për ta.

“Kjo shfaqje bazohet në fabulën e Piter Panit dhe është plot surpriza, që nga skenografia e kostumografia, deri te numrat e lartësive. Falë hapësirës së ArTurbinës, do të realizohen numra shumë të vështirë dhe shumë të bukur. Shfaqjet do të jenë çdo ditë në orën 11:00.”, thotë Brunilda Demollari, mjeshtre pranë Cirkut Kombëtar.

Cirku Kombëtar ka mbetur pa çadrën e tij që prej vitit 2021. Hapësira ku dikur ajo ishte vendosur në qendër të Tiranës, sot shfrytëzohet privatisht për parkim. Artistët japin të detyruar të përshtasin shfaqjet e tyre në hapësirat e kufizuara të teatrove.

Por më në fund ka një lajm të mirë! Edhe pse ende nuk dihet ku do të jetë vendndodhja, brenda vitit 2026, cirku pritet të ketë sërish çadrën e vet.

“Është miratuar buxheti për çadrën e Cirkut, për arenën e Cirkut. Jemi në hapat e parë duke në bisedime me bashkinë për të gjetur një vend të përshtatshëm, një vend adekuat për vënien e çadrës dhe besoj që shumë shpejt brenda vitit që vjen, fëmijët, familjet do të kenë një çadër të re cirku.”, thotë për “Report TV” Jehona Varfi, drejtore e Cirkut Kombëtar.

Buxheti për çadrën e re të Cirkut është 40 milionë lekë të reja dhe përfshin arenën, skenën, pajisjet teknike dhe elementët e sigurisë.

Aktualisht, me gjithë vështirësitë infrastrukturore, Cirku Kombëtar vazhdon të japë shfaqje dhe të tërheqë interes të lartë nga publiku.

“Ne kemi rritur në fakt numrin e premierave dhe jemi fokusuar kryesisht tek tema sociale artistike për fëmijë. Në muajin tetor - nëntor dhamë premierën ‘Inteligjenca artificiale’, një tematikë e cila po na shqetëson shumë kohët e fundit. Ishte një premierë e cila tërhoqi shumë publik. Pas asaj premiere ka pasur një bum të kërkesave për të ardhur në cirk, aq sa nuk arrijmë dot ndonjëherë dhe të përmbushim me vendet që janë në dispozicion. Kishim dhe ‘Circus Show’ në fillim të dhjetorit dhe ajo ishte e bazuar komplet në cloën. Pati gjithashtu dhe ajo një sukses. Ndërkohë sot kemi premierën e Piter Panit që ne themi edhe në cirk pavarësisht që është shfaqje për fëmijë por ndoshta edhe për ne të rriturit sepse të gjithë në vetvete nga pak jemi Piter Pan.”

Sipas Varfit, ky interes për shfaqjet justifikon edhe rritjen e çmimit të biletave, që sipas saj do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë artistike.

“Ne kemi bërë një studim që kjo rritje të vijë në shërbim të publikut, në rritje të cilësisë artistike, duke ruajtur, të themi, deri diku buxhetin e familjes që të jetë i aksesueshëm dhe i përballueshëm që ata të vijnë dhe të shohin shfaqjet e cirkut. Do të thotë rritje e cilësisë artistike. rritje e numrit të premierave, përmirësim në skenografi, në materiale për cirkun dhe të tjera.”

Bileta nga 100 lekë të reja, është rritur në disa kategori çmimesh. Çmimet fillojnë nga 300 lekë për fëmijë dhe 400 lekë për të rritur deri në 500 lekë në rastet e premierave dhe në 1000 lekë për netët gala.