Afrimi i festave të fundvitit shoqërohet me një rritje të ndjeshme të çmimeve, jo vetëm të produkteve ushqimore, por edhe të artikujve bazë të shportës.
Në një vëzhgim të bërë nga REPORT TV në tregun e 5 Majit, një nga tregjet më të frekuentuara të kryeqytetit, vihet re se çmimet janë më “të kripura” se një vitet e kaluara, duke rënduar ndjeshëm xhepat e qytetarëve.
“Çmimet më keq s’ka. 1000 lekë pesë kokë mandarina.”
“Çmimet? Mos pyet fare. Rriten pensionet dhe menjëherë dhe çmimet.”
Edhe vetë tregtarët pranojnë se vitet e kaluara çmimet kanë qenë ndjeshëm më të ulta, kryesisht për shkak të prodhimit vendas dhe importeve më të lira.
“Para ka qenë shumë më lirë. Ka pas prodhim të bollshëm dhe zhdoganimet kanë qenë më të lehta. Sot është shtrënguar gjithçka. Nafta ka qenë më lirë, sot është 1700-1800 lekë. Transporti ndikon. Mallrat nuk vijnë me ujë, vijnë me naftë",- thotë një tregtar.
“Edhe blerje nuk ka, se njerëzit nuk kanë lekë",- shprehet një tjetër.
Qytetarë të tjerë e shohin këtë situatë si pjesë të një zinxhiri faktorësh si rritja e naftës, kostot e jetesës dhe kërkesa e shtuar në prag festash. Megjithatë, pensionistët mbeten kategoria më e prekur.
“Më e shtrenjtë se viti tjetër, normal. Rritet niveli i jetesës, nafta, gjithçka ndikon. Edhe fundviti jep të vetën. Po i kemi vënë zbukurimet, edhe çmimet janë më lart. Qejfi gjithmonë paguhet."
“Do ishte mirë t’i shihnim çmimet pak më të ulta, sidomos për ne pensionistët. Kudo në botë, kur vijnë festat, bëhen ulje. Këtu ndodh e kundërta: i rrisin çmimet dhe pastaj thonë se bëjnë ulje.”
Sipas INSTAT përgjatë muajit nëntor kategoria e çmimeve dhe pijeve joalkoolike u rrit me 1.5% krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.
Komente












Po leje se flasin kot. Ne jemi si kokrra e molles. Te degjosh kryeministrin dhe bindesh qe je ne rrugen e duhur dhe e gjithe bota na ka zili.
Përgjigju