Çmimi i lartë i naftës nuk vjen nga qeveria, por nga situata e luftës në Lindjen e Mesme, tha deputeti Erion Braçe. Ai nënvizoi se akti normativ për taksën kombëtare dhe akcizën nuk ka ndikim pasi peshën kryesore e ka mbajtur Bordi i Transparencës. Edhe pse e lëvdoi punën e Bordit, Braçe tha se ka rezerva për transparencën pasi fsheh modelin e tregut.

“Çmimet e larta të naftës lidhen me situatën në një rajon të botës që është edhe ndër më prodhueset. Çmimet nuk erdhën nga qeveria, por erdhën të larta për shkak të një situate në një rajon prodhues të naftës, me ndikim në të gjithë botën. Akti është pa ndikim, është përdorur nga data 3-8 prill dhe 8-9 prill dhe efekti ka qenë 37 milionë lekë. Ai që ka pasur ndikimin më të rëndësishëm ka qenë Bordi i Transparencës dhe ka bërë një punë të lavdërueshme në aspektin e përcaktimit të çmimeve. Frekuenca e mbledhjes së Bordit dhe shqyrtimi i çmimit të hidrokarbureve ka bërë që të kemi kontroll më të mirë të çmimit, edhe pse mbeten të larta. Ajo që kam rezervë në raport me Bordin lidhen me transparencën. Mungesa e transparencës fsheh modelin e tregut që kemi, një broker që furnizon me naftë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, depoziton naftën në depozita dhe kjo sasi nafte ka një çmim nafte nga dita që del për të shkuar në pompë. Në këtë skemë ka edhe paspagim, edhe para që jepen me interesa, para që gjenden për ta blerë këtë sasi nafte. Brokeri bën shpeshherë edhe rolin e bankës, e palejuar”, tha Braçe.

Deputeti socialist adresoi edhe rieksportin e energjisë elektrike në Kosovë duke thënë se “janë përfshirë zyrtarë të të dyja vendeve” dhe çmimet e larta i bëjnë nder kontrabandës.

Duke iu rikthyer Bordit të Transparencës, Braçe kërkoi llogari për standardin e “naftës greke” që shitet deri në 13 lekë më shtrenjtë.

“Shikoj që ka dy çmime në tabelë dhe shkon në diferencë deri në 13 lekë për litër. Çfarë standardi nafte është ky që shkruhet në tabelë naftë greke? Çfarë standardi është që shënohet në tabelë dhe është 13 lekë më e shtrenjtë?”, tha Braçe.


Lajmi kryesor:

LIVE TV- Akti normativ për uljen e akcizës/ Malaj: Synon të mbrojë konsumatorin! PD: Politikë shpopullimi, alibi për të mos ulur taksat