Prej së premtes, çmimi i naftës ka prekur ‘pikën’ prej fillimit të luftës në Iran pasi tani shitet 224 lekë/litri, sipas vendimit të Bordit të Transparencës. Eksperti i ekonomisë, Eduart Gjokutaj, thotë gjatë një lidhjeje direkte në Report Tv se sektori i bujqësisë ëshë më i godituri. Kjo do të rrezikojë prodhimin dhe nënsektorët si blegtoria apo peshkimi.

“Në bujqësi është kuptuar dhe shpjeguar edhe nga ekspertët direkt të sektorit, por edhe në tërësi nga të gjithë ata që e studiojnë ekonomi që nuk është më një rrezik i vetëm transporti por është një rrezik prodhimi, një rrezik i lidhur me proceset e prodhimit bujqësor dhe çfarë lidhen me tregun. Nuk flasim vetëm për bujqësinë, por flasim edhe për blegtorinë, peshkim dhe ata çfarë janë pjesë të nënsektorëve të bujqësisë”, u shpreh Gjokutaj.

Këtij mendimi i bashkohet edhe eksperti i bujqësisë, Eduart Sharka, i cili thotë se kjo ka evidentuar politikat e dobëta në bujqësi. Ai thotë se i duket paradoksale heqja e subvencionit të naftës në momentin kur fermerët kishin nevojë.

“Kanë dalë në pah të gjitha dobësitë e politikave të ndjekura në bujqësi sepse sektori është specifik, ka nevojë për politika të veçanta të cilat do të shërbenin që në raste të tilla krize të ishin si amortizatorë. Unë mendoj që kemi politika të gabuara subvencionimi që kanë të bëjnë në masën e subvencionimit. Mua më duket paradoksale që në momentin që fermerët kishin më shumë nevojë se kurrë për këtë subvencion, për këtë naftë, u hoq kjo skemë dhe pa ndërmarrë një masë tjetër që të të kompensonte heqjen e kësaj skeme”, tha Sharka.

Sipas Gjokutajt, masat më të para që duheshin ndërmarrë do të ishte ulja e tri taksave kryesore: taksës së qarkullimit, akcizës dhe TVSH-së.

“Ajo çfarë së pari duhet të jetë një mekanizëm më fleksibël për të gjithë barrën fiskale, pra jo vetëm për akcizën, një fazë e lëvizshme e taksës. Kush janë tre taksat kryesore? Kuptohet, taksa e qarkullimit, akciza dhe TVSH-ja që vendoset mbi atë çfarë dihet. Këtë që bën dogana, po e bën ironikisht Bordi i Transparencës”, tha eksperti duke shtuar: “Transparenca mungon për arsye se duhet të sqarohen këto gjëra për të kuptuar publiku se si i merr këto vendime.”

Gjokutaj thekson se nevojitet një paketë e plotë që trajton barrën fiskale me mekanizma fleksibël dhe jo të kuptohen thjesht si ndihmë sociale.

Eksperti Sharka nënvizon se pasoja më e rëndë do të jetë varësia nga importi ndërsa shpjegoi si ky zinxhir ka efekte të njëpasnjëshme.

“Kemi një tendencë të humbjes së sovranitetit ushqimor, të varjes nga importi. Çmimet varen nga mekanizmi kërkesë-ofertë, dëmtimi i serave të fermerëve nga përmbytjet, mungesa e subvencionit uli prodhimin, ulja e prodhimit çon në pakësimin e ofertës rritjen e kërkesës dhe kemi këto çmime. TVSH-ja në ushqimet e shportës është një nga shkaqet kryesore të rritjes së çmimeve, jemi në disavantazh me vendet e tjera”, tha Sharka duke u shprehur se kostot në bujqësi “do të rriten me 50%.”

Ajo që qytetarët duhet të bëjnë, këshilloi ai, është të presionojnë qeverinë që të ndërhyjë siç ka ndodhur në vendet e tjera të rajonit dhe Bashkimit Europian.