Opozita u nda në Parlament për çmimin e karburanteve i cili ka pësuar rritje për shkak të situatës në Iran dhe mbylljes së ngushticës së Hormuzit.
Partia Demokratike ka propozuar uljen e taksës së qarkullimit nga 27 në 7 lekë, ndërsa Partia e Lirisë propozoi pezullimin e plotë të kësaj takse, së bashku me atë të karbonit, 3 lekë për litër.
“Ne sot jemi i vetmi vend në rajon dhe ndoshta në Evropë që nuk kemi një masë lehtësuese. Karburanti rëndon sumë xhepat e shqiptarëve. Në shpenzimet e përditshme tonat, karburanti shkon deri në 7.2% të shpenzimeve ditore”, tha deputeti demokrat Eno Bozdo.
“Kërkojmë uljen e çmimit të naftës dhe po u referohem edhe protestave të fermerëve apo qëndrimin e Shoqatës së Transportit Publik, por edhe të bizneseve të cilat vijojnë të përballojnë në supet e tyre një barrë të shtuar”, tha kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.
Socialistët u shprehën kundër në relacionin e tyre në Komisionin e Ligjeve.
“Pezullimi i taksës së karbonit dhe të qarkullimit nuk garanton arritjen e një qëllimi të dekaruar dhe cenon koherencën e sistemit fiskal”, tha Ermal Pacaj.
Porosinë e Berishës për të shkarkuar urgjentisht chat GPT, në PD e kanë zbatuar menjëherë. Deputeti Strazimiri ishte informuar nga inteligjenca artificiale në lidhje me ngushticën e Hormuzit.
“Pyesni ChatGPT sa gram naftë merr Shqipëria nga Ngushtica e Hormuzit. Ne marrin zero gram nga Ngushtica e Hormuzit. Kështu thotë ChatGPT”, tha Strazimiri.
Kryetari i Komisionit, Ulsi Manja tha se është e palogjikshme ulja e taksës dhe rikujtoi se PS është votuar 4 herë pikërisht me këtë politikë fiskale.
“Kjo është çështje qëndrimi politik, program dhe vizion i një mazhorance që ka dalë dhe ëhtë votuar, ka të paktën 4 mandate me këtë vizion që për naftën ky është qëndrimi ynë sepse ne e lidhim këtë qëndrim që kemi me një sistem të tërë politikash sociale”, tha Manja.
Nismat e opozitës pritet të shkojnë në fund të këtij muaji në parlament dhe pritet që të rrëzohen me votën e socialistëve të cilët javën e kaluar gjithashtu votuan kundër që nismat të kalonin me procedurë të përshpejtuar.

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, reagoi për rrëzimin e projektligjit për naftën duke u shprehur se ishte i pritshëm dhe hodhi akuza se kryeministri Rama “majmet” e madje “i fabrikon qëllimisht” edhe kur nuk ka. Ish-presidenti thotë se kryeministri po “e godet egërsisht” këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë.
“Rrëzimi në Komisionin Parlamentar të Ligjeve i projektligjit të Partisë së Lirisë për uljen e çmimeve të larta të karburanteve ishte i pritshëm, pasi ky kryeministër jo vetëm lumturohet, por edhe majmet më shumë nga krizat.
Ai jo vetëm nuk mjaftohet duke ua transferuar barrën e krizave tërësisht qytetarëve më të pambrojtur, por i shfrytëzon ato pa asnjë kufi, thjesht dhe vetëm për përfitime korruptive, siç u pa pas tërmetit tragjik, gjatë pandemisë COVID-19 dhe siç po ndodh edhe sot me krizën aktuale.
Madje, edhe kur vendi nuk përballet me kriza reale, është po ai që i fabrikon qëllimisht ato sepse nuk ngopet së vjedhuri shqiptarët.
A nuk ishte ky që shpiku të ashtuquajturën krizë energjetike, për të justifikuar sjelljen e dy “tigrave” rrangallë nga Bangladeshi, të cilët nuk prodhojnë asnjë kilovat energji? A nuk ishte ky që shpiku krizën e mbetjeve vetëm me qëllim grabitjen e qindra milion eurove me inceneratorë, si ai që nuk ekziston i Tiranës, apo si ata që nuk punojnë?
Ndaj dhe nuk habitemi sepse që nga viti 2017 kur mori i vetëm, jo vetëm timonin e tepsinë, por edhe Ministrinë e Bujqësisë, ai e godit egërsisht këtë sektor jetik për ekonominë e vendit.
Rezultatet e kësaj politike antikombëtare dihen, sepse mjafton të krahasojmë përgjysmimin e numrit të gjedhëve, nga 492 mijë krerë në vitin 2017, në 226 mijë krerë aktualisht, si edhe të numrit të të imtave (dele dhe dhi) nga 3,1 milion krerë në vitin 2017, në 1,9 milion krerë aktualisht.
Përgjysmimi i blegtorisë ka prodhuar edhe 2-3 fishimin e çmimeve të produkteve vendase blegtorale, që sot tregëtohen më shtrenjtë edhe se në vendet më të zhvilluara të Bashkimit Europian.
Kjo politikë ka ecur paralelisht me vetë shpopullimin e zonave rurale dhe krahinave të tëra të Shqipërisë, sepse ky ka qenë edhe qëllimi kryesor i axhendës antikombëtare të shpopullimit, të godasë fort veçanërisht fermerët dhe bujqësinë, këtë sektor jetik për ekonominë e vendit.
Taksat e shtuara te karburantet, nga 40% në qeverisjen Berisha në 60% në qeverisjen Rama, kanë ndodhur për shkak të një administrate aktuale tërësisht të korruptuar fiskale, e cila rritjen e informalitetit e kompenson me shtimin e taksave që duhet të paguajnë qytetarët, politikë që sjell vetëm falimentimin e prodhimit vendas dhe fermerëve.
Partia e Lirisë e ka një ndër 5 prioritetet kryesore mbështetjen e bujqësisë për popullimin e Shqipërisë, për rritjen e prodhimit bujqësor dhe blegtoral, për luftën kundër varfërisë.
Vetëm duke nxitur prodhimin vendas, duke ulur taksat dhe eleminuar pragjet thellësisht diskriminuese, duke rritur subvencionet për çdo krerë bagëti dhe sipërfaqe të mbjellë, duke shtuar financimin dhe mundësuar riçeljen e fondeve IPARD të bllokuara prej 3 vitesh për shkak të korrupsionit, Shqipëria jo vetëm do të dalë nga kriza e rëndë ekonomike, por edhe do të shndërrohet në një fuqi eksportuese në rajon”, thotë Meta.
Komente










