Çmimi më i subvencionuar

Çmimi më i subvencionuar

Foto ilustruese

Në intervistën me Zërin e Amerikës më datë 1 shtator 2022, Zv. Kryeministrja dhe Ministrja e Energjitikës, Belinda Balluku, mori një angazhim të fortë. Tha se, sido që të jetë situata, edhe në skenarin më të keq, familjet shqiptare dhe ekonomia e vendit nuk do të pësojnë kufizime të furnizimit me energji elektrike.

Po pse kjo deklaratë është angazhim i fortë? Sepse, edhe vende me buxhet të jashtëzakonshëm, si Zvicra, Gjermania, Hollanda, etj., po përgatiten për kufizime të furnizimit me energji. Evropa Perëndimore dhe vendet e BE-se po i afrohen dimrit më të keq energjitik të 70 viteve të fundit, pas shtrëngesave dhe mungesave energjitike të viteve 1945-1947, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Po pse? Arësyet vijnë menjëherë më poshtë.

Shantazhi rus

Përpara shpërthimit të luftës në Ukrainë nga agresioni rus, Evropa Perëndimore siguronte 40 përqind të nevojave të saj për energji nga gazi dhe nafta ruse. Përpara 24 shkurtit 2022, Gjermania furnizohej nga Rusia me 165 milionë metër kub gaz natyror në ditë. Me hyrjen e sanksioneve kundër Rusisë, Gjermania nisi të blinte më pak. Mirëpo çmimi i gazit natyror në tregjet ndërkombëtare u rrit me shpejtësi. Rusia nisi t’u shesë më shumë gaz vendeve si Kina dhe India. Më 31 gusht 2022, gazi natyror kushtonte 12 herë më shumë se në mars 2021 dhe për shtatëmujorin janar-korrik 2022, GazProm, kompania shtetërore ruse që shet gazin natyror (Rusia është eksportuesi më i madh botëror), doli me një bilanc 41 miliardë euro fitim.

Putin u ndje i fortë dhe menjëherë nisi pengesat e furnizimit me gaz për vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Nga 27 korriku 2022, Rusia i uli në mënyrë drastike, me katër të pestat, milionat e metrave kub gaz ndaj vendeve të BE-së, përmes gazsjellësit Nord Stream 1, kanalit kryesor që ky vend i shet energji Evropës. Megjithatë, deri më 31 gusht 2022, Gjermania arrinte të blinte 33 milionë metra kub gaz natyror nga Rusia. Tani nuk blen asnjë metër kub. Shkaku, thotë GazProm, është një defekt teknik i gazsjellësit Nord Stream 1.

Në të vërtetë, Putin, me fitimet kolosale të marra prej GazProm nga shitjet e gazit Kinës dhe Indisë, planifikon të mos i shesë gaz natyror fare vendeve të Bashkimit Evropian, për t’i detyruar të pakësojnë ose ndërpresin ndihmat ushtarake ndaj Ukrainës, në këmbim të miliona metrave kub furnizim me gaz në ditë.   

Përpara shpërthimit të luftës në Ukrainë nga agresioni rus, Evropa Perëndimore siguronte 40 përqind të nevojave të saj për energji nga gazi rus. Mund të kuptohet qartë uria për gaz natyror dhe energji elektrike në tregun evropian. Kjo uri dhe burimet e kufizuara të ofertës, kanë bërë që tregjet ndërkombëtare të energjisë elektrike të paraqiten me çmime në rekorde historike të pashoq, në nivelet e mbi 1,000 euro/MWh(megavat/orë)!

Tre skenarët e furnizimit të Shqipërisë me energji elektrike

Në intervistën për Zërin e Amerikës, Ministrja Balluku thekson se jemi të detyruar të kemi disa skenarë në tavolinë, për përballimin e situatës me energjinë elektrike. Sipas saj, “Ne e kemi nisur vitin me tre skenarë. Një skenar pozitiv, që në fakt nuk mund të ndodhte, për shkak të kushteve atmosferike, per te cilat ishim parapërgatitur. Patëm një skenar bazik, që na ndoqi deri diku në fillim të muajit maj, si dhe një skenar negativ që shpresoj të mos shkojë deri në fund të vitit si i tillë, por të nisin rreshjet”.

Çmimi më i subvencionuar në rajon dhe më gjerë

Qytetarët në Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi, e paguajnë energjinë elektrike 35-60 % më shtrenjtë nga ne. Subvencioni shqiptar mbi çmimin për qytetarin(pra skudi mbrojtës), që nga shtatori 2021, kur çmimi ndërkombëtar i energjisë elektrike u rrit ndjeshëm, është mesatarisht 137 % më shumë se në Kosovë, 152 % më shumë se në Maqedoni të Veriut, 1.7 herë më i lartë se në Serbi, 2.6 herë më i lartë se në Itali dhe 3 herë më i lartë se në Spanjë. Çmimi i energjisë elektrike i Shqipërisë është sot çmimi i energjisë elektrike ndër më të lirët në Evropë dhe në botë. Ose, thënë ndryshe, ndër më të subvencionuarit, apo më të mbrojturit. Qeveria ka vendosur me çdo kosto të na mbrojë si qytetarë dhe të mbrojë edhe biznesin e vogël, që ia faturon energjinë që ky harxhon me 11 lekë për kilovat-orë.

·         Si qytetarë, energjinë elektrike e paguajmë 9.5 lekë për kilovat/orë që nga 1 janari 2014.

·         Kthyer në një megavat/orë, pra një mijë herë më shumë, bëjnë 9 mijë e 500 lekë, po të harxhonim në muaj një mije kilovat. Ose në euro, 78 euro.

·         Është sot çmimi i energjisë elektrike më i lirë në Evropë, dhe ndër më të lirët në botë.

·         Nëse do e rregullonte me çmimin shumë të ulur të prodhimit vendas(60 përqind të nevojave na i jep prodhimi vendas), i bie që qeveria të na e faturonte energjinë elektrike tre herë më shumë, ose 29.5 lekë për kilovat/orë.

·         Nëse do harxhonim në muaj një mijë kilovat/orë, do të duhej të paguanim jo 78 euro në muaj, por 234 euro.

·         Qeveria na shet si qytetarë dhe biznese të vogla në vit 3.5 teravat, ose 3.5 milionë megavat. Tani qeverisë i paguajmë vetëm 273 milionë euro në vit. Nëse do të na e kishte trefishuar çmimin e energjisë si qytetarë dhe biznese të vogla, do t’i paguanim edhe 680 milionë euro më shumë!

·         Qeveria ka vendosur me çdo çmim të na mbrojë si qytetarë dhe të mbrojë edhe biznesin e vogël, që ia faturon energjinë që ky harxhon me 11 lekë për kilovat/orë.

Skudi 680 milionë euro i Shqipërisë

Ministrja e Energjitikës deklaroi në intervistën e saj me Zërin e Amerikës më 1 shtator 2022, se Korporata Energjitike Shqiptare(KESH)  ka blerë energji së fundmi me çmimin 1 mijë e 40 euro megavat/orë.

Kjo do të thotë se, në rast se qeveria nuk do të na mbronte si familjarë, do të na e kishte faturuar kilovat-orë-n e harxhuar me 120 lekë, ose 12 herë më shumë nga sa na e faturon tani: 9.5 lekë.

Ose, me fjalë të tjera, nëse si familjarë konsumojmë 700 kilovat-orë në muaj, po të na e shiste Shteti energjine tek dera e shtëpisë me sa euro e blen tani nga importi, i bie që fatura mujore e energjisë elektrike të mos na vijë 68 mijë lekë të vjetra, por  12 herë më shtrenjtë, 816 mijë lekë!

Edhe pse pak prej nesh e kuptojnë këtë, kjo përbën mbrojtje reale, një skud të madh mbrojtës që qeveria na ka vënë mbi krye, duke filluar nga shtatori një vit më parë. Pa u ndalur nga kostot. Në shtator 2021, energjia në tregjet botërore u rrit nga 78 euro megavat-ora në 190 euro. Në tetor 2021, kur kryeministri shpalli gjendjen e emergjencës energjitike, energjia elektrike nga importi kërceu në mesatarisht 320 euro për megavat-orë.

Për t’u ngritur pas 24 shkurtit 2022(invazionit rus mbi Ukrainën), në mbi 400 apo 500 euro për megavat-orë dhe për të vazhduar gjatë gjithë muajve maj-korrik 2022, në këto nivele. Kurse ditët e fundit, çmimi në tregun ndërkombëtar ka arritur edhe 1 mijë e 40 euro megavat-orë!

Nëse marrim të gjithë sasinë e energjisë elektrike që kemi importuar nga shtatori 2021, pra për një vit, i bie që qeveria të na ketë mbrojtur minimalisht(me çmim të subvencionuar si mesatare e vendeve evropiane) me 680 milionë euro. Një skud social, i cili ka bërë që inflacioni të jetë më i përmbajtur tek ne, sesa në vendet e tjera të rajonit tonë dhe në të gjithë vendet e tjera në kontinent. Kjo, pasi elementi kryesor në rritjen mesatare të çmimeve është pikërisht rritja e çmendur e çmimit të energjisë elektrike për familjet kudo në Evropë.

Ndërsa tek ne, rritje çmimi të energjisë elektrike për familjarët dhe për bizneset e vogla nuk ka patur, që nga 1 janari i vitit 2014. Sipas Ministres së Energjitikës, edhe nuk do të ketë në të ardhmen. Është politikë sociale e qeverisë, e cila ka vendosur t’i përmbahet, pavarësisht kostove.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Qytetar: 03/09/2022 18:00

    E vertete, analize e sakte..., ja dergoni edhe Saliut apo Monikes ta lexojne..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje