Europol ka çmontuar një grup kriminal me bazë në Bullgari që dyshohet se ka vjedhur mijëra artefakte nëpër Europë, përfshirë nga muzeumet, duke i trafikuar ato nga Bullgaria drejt vendeve të tjera europiane. Mbrëmë, autoritetet nga gjashtë vende bashkëpunuan me Eurojust dhe Europol për të arrestuar 35 anëtarë të grupit kriminal dhe për të kontrolluar mbi 125 lokacione përfshirë edhe në Shqipëri, me qëllim gjetjen e mbi 3 000 artefakteve, me një vlerë të vlerësuar prej mbi 100 milionë euro. Vlera totale e sendeve të vjedhura që në vitin 2020 llogaritet të jetë rreth 870 milionë euro.
Hetimi filloi pas një bastisjeje në një shtëpi në vitin 2020 në Bullgari, ku autoritetet sekuestruan rreth 7 000 objekte kulturore me vlerë të paçmuar historike dhe monetare. Këto objekte, kryesisht antikitete greko-romake dhe trake, kanë një vlerë të jashtëzakonshme për shkak të veçantisë dhe rëndësisë së tyre historike. Koleksioni i sendeve të vjedhura përfshin maska, pajisje ushtarake, bizhuteri, vazo dhe kupa nga civilizimet trakase dhe greko-romake, me disa prej tyre që datojnë deri në vitin 2000 para Krishtit. Për shkak të mungesës së dokumentacionit për shumë prej artefakteve, u ngritën dyshime për përvetësim të paligjshëm dhe nisi hetimi. Që nga sekuestrimi i tyre, objektet janë vendosur në Muzeun Kombëtar të Historisë Bullgare në Sofje në pritje të hetimeve të mëtejshme.
Mes të arrestuarve është edhe një person i cili dyshohet se ka udhëhequr operacionin e trafikut. Ai dyshohet se ka financuar gërmime arkeologjike të paligjshme në Bullgari dhe vende të tjera fqinje. Për kryerjen e gërmimeve, grabitës lokalë dyshohet se kanë vepruar në emër të tij.
Kur hetimet ndaj grupit vijuan pas kontrollit të banesës, u zbuluan lidhje me individë në vende të tjera, si dhe në vendndodhjet ku gjendeshin artefakte të tjera të vjedhura. Filloi bashkëpunimi me shtatë vende të tjera dhe u planifikua që operacioni i radhës të zhvillohej më 19 nëntor.
Në Bullgari, 35 të dyshuar u arrestuan dhe 120 lokacione u kontrolluan. Kontrollet e tjera u kryen në Francë, Gjermani, Greqi dhe Shqipëri. Sipas të dhënave nga Europol, në Shqipëri është kontrolluar vetëm një banesë me urdhër të SPAK.
Autoritetet sekuestruan mbi 3 000 artefakte, si monedha antike ari dhe argjendi, vepra arti dhe objekte të tjera antike. U sekuestruan gjithashtu dokumente, pajisje elektronike, mbi 50 000 euro në para cash dhe ar.
Veprimet u kryen nga autoritetet e mëposhtme:
Bullgaria: Prokuroria e Qytetit të Sofjes; Shërbimi Kombëtar i Hetimit; Drejtoria e Përgjithshme kundër Krimit të Organizuar; Agjencia Shtetërore për Sigurinë Kombëtare
Franca: Gjykata e Parisit – JUNALCO (juridiksioni kombëtar kundër krimit të organizuar); OCBC (Zyra Qendrore kundër Trafikut të Sendeve Kulturore)
Gjermania: Prokuroria Publike e Mynihut I; Zyra Shtetërore Bavareze e Policisë Kriminale; Njësia e Hetimit të Artit
Greqia: Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit të Athinës; Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit të Lamias; Gjyqtari Hetues pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Athinë; Gjyqtari Hetues pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lamia; Drejtoria për Luftimin e Krimit të Organizuar; Nëndrejtoria për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore dhe Mallrave; Departamenti për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Antikave
Italia: Prokuroria e Romës; Karabinierët për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore
Shqipëria: Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK)
Komente











