Çoçoli: Duam termocentrale me gaz apo gjeneratorë me mazut?

Çoçoli: Duam termocentrale me gaz apo gjeneratorë me mazut?

Foto ilustruese

Me thatësirën aktual më të keqe dhe më të rëndë në 500 vitet e fundit në Evropë(lumenj të vegjël e të mesëm janë tharë krejtësisht), me gazin rus që herë vjen për furnizim e herë ikën, sipas inatit të Putin, shtetet e Bashkimit Evropian po përgatiten për një vjeshtë dhe dimër shumë të vështirë energjitik. Përpara agresionit rus në Ukrainë, gjashtë muaj më parë, Evropa Perëndimore siguronte 40 përqind të nevojave të saj për energji nga gazi rus. Tani gazi rus vjen në tre të katërtat më pak. Gjermania vjet blinte vetëm 1.8 milionë tonë qymyrguri. Këtë vit po blen 8 milionë tonë. Më shumë se katër herë. Ka riaktivizuar 80 përqind të fabrikave të prodhimit të energjisë nga qymyrguri(termocentrale), që i kishte në plan t’i mbyllte përgjithmonë, për përballimin e krizës energjetike, Franca ka rivendosur në punë centralin me qymyr në Saint Avold. Po sheh të rihapë të gjithë termocentralët e saj të mbyllur. Holanda ka hequr përkohësisht kuotat e karbonit, me synim prodhimin nga termocentralet e veta, qe edhe ajo donte t’i mbyllte, për të kaluar në energjinë e gjelbër, përpara 24 shkurtit 2022. Italia, Spanja dhe me radhë, të gjitha vendet e tjera të Bashkimit Evropian, po shikojnë të gjitha termocentralet që kishin në plan t’i mbyllnin, për t’i rivënë në punë.

Po kërkojnë dëshpërueshmërisht termocentrale lundrues për t’i vendosur në gjiret e deteve apo në deltat e lumenjve të tyre më të mëdhenj, për të patur më shumë burime furnizimi me energji. Mundësia e lartë që të mos ketë energji elektrike për të importuar në bursat e energjisë elektrike i vë përpara errësirës dhe mungesave drastike të furnizimit me energji elektrike. Një situatë që nuk e kanë provuar që nga vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore 1945-1948. Një pjesë e shteteve anëtare të BE-së nuk kanë mundur t’i gjejnë këto termocentrale lundruese, pasi numri i tyre është shumë i pakët në botë dhe po i kërkojnë të gjithë. Për ne është fat që kompania amerikane Excelerate porositi dy termocentrale lundruese që në marsin e vitit të kaluar, me nënshkrimin e kontratës me qeverinë shqiptare, për të prodhuar energji nga gazi i lëngshëm amerikan, i cili do të vinte në portin(terminalin) e gazit të lëngshëm amerikan në Vlorë. Duhet ta ndajmë mendjen si qytetarë.

Mjedisorët tanë kanë të gjithë të drejtën e botës të ankohen se anijet termocentrale lundruese nuk janë zgjidhja ideale mjedisore për vendin tonë. Është e vërtetë. Por çfarë zgjidhje duhet të gjejmë, duke i refuzuar këto anije të vendosen në Triport të Vlorës? Zgjidhjen e simfonisë së trishtë të gjeneratorëve që punojnë me mazut, të cilën kemi 17 vjet që nuk e dëgjojmë, që në dimrin e largët të vitit 2006? Dy termocentralet lundruese që do të vijnë na japin energji sa një hidrocentral, plot 114 megavat/orë. Duhet të pranojmë errësirën dhe gjeneratorët në çdo kënd rruge të qyteteve tona, që do të ndotin me dhjetëra herë më shumë qytetet tona, në mungesë të energjisë elektrike, apo termocentralet lundruese me gaz të lëngshëm amerikan? Termocentralet lundruese janë masa ekstreme anti-errësirë, në kohë krize.

Duhet t’i pranojmë të na ndihmojnë, sa të kemi kaluar këtë cunam energjitik në dimrin 2022-2023. Nuk është çështja se qeveria duhet të blejë energji nga importi me çfarëdo çmimi të lartë. Qeveria mund të tentojë ta bëjë, por sado me çmim të lartë, në tregun ndërkombëtar mund të mos ketë fare energji për të blerë! Kjo është situata më e rëndë që ka shumë mundësi të përballemi. Jo vetëm ne. Të gjitha vendet evropiane dhe më gjerë. Sipas metereologëve të Komisionit Evropian, moti pritet të mbetet i ngrohtë dhe më i thatë se zakonisht në rajonin e Mesdheut, deri në nëntor 2022. Kjo do të thotë se nuk do të kemi reshje të rëndësishme deri në nëntor. Se bazenet e hidrocentraleve tona nuk do të jenë të mbushura deri në nëntor. Që tani Korporata Elektroenergjitike Shqiptare(KESH) po importon trefishin e sasisë që ka importuar një muaj më parë, pse nuk ka reshje mjaftueshëm për të mbushur bazenet e hidrocentraleve të Kaskadës së Drinit.

KESH mundi të menaxhojë rezervën hidrike mbi Kaskadën e Drinit, edhe pse nga thatësira e dy javëve të para të gushtit 2022, niveli i ujit mbi liqenin e Fierzës ra në 278 metra, por sërish shumë më lart pikës së prodhimit me prurjet natyrore të lumit Drin, e cila është 242 metra. Edhe pse KESH ka arritur të disiplinojë furnizimin me energji të OSHEE, duke e ulur nga 15 Gigavat që jepte në muajt e parë të vitit, në 5 Gigavat, për të kursyer dhe mbushur me ujë bazenet e liqeneve të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës, errësira na kanoset frikshëm, nëse nuk zgjedhim të përdorim energjinë e prodhuar nga termocentralet lundruese. Ajo do të prodhohet me një kosto tre herë më të paktë nga kosto e importit dhe do të na garantojë të mos kemi ndërprerje të zgjatura të furnizimit me energji elektrike. Do të na garantojë të mos kemi simfoninë e zezë të zhurmës së gjeneratorëve të naftës, mazutit, pranë çdo sipërmarrjeje dhe pallati pa drita. Çfarë zgjedhim ne?

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Plagosja e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbulohet dëshmia e shitëses: Thirri për ndihmë, i dilte shumë gjak dhe i vura një peshqir!

Plagosja e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbulohet dëshmia e shitëses: Thirri për ndihmë, i dilte shumë gjak dhe i vura një peshqir!