ELBASAN - Dinamo e ka nisur me një rezultat negativ aventurën evropiane, pasi u mposht 0-1 nga FC Astana në ndeshjen e parë të turit të parë kualifikues të Conference League, zhvilluar këtë të enjte në 'Elbasan Arena'.
'Blutë' e Ilir Dajës zhvilluan një paraqitje të mirë në pjesën e parë, duke e përballuar me sukses presionin e skuadrës kazake dhe duke krijuar disa mundësi të mira për gol. Berisha, Përndreca dhe Malomo patën rastet e tyre, por nuk arritën të gjenin rrugën e rrjetës.
Edhe Astana u shfaq e rrezikshme në disa momente, por portieri Teqja ishte në lartësinë e duhur, duke shpëtuar Dinamon me disa ndërhyrje të rëndësishme.
Goli i vetëm i takimit erdhi në minutën e 69-të. Tomasov asistoi për Karimov, i cili nga afër nuk gaboi dhe dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë avantazhin skuadrës nga Kazakistani.
Pas golit, Dinamo u hodh në kërkim të barazimit, me trajnerin Ilir Daja që ndërhyri me zëvendësime për të ndryshuar rrjedhën e lojës. Megjithatë, përpjekjet e skuadrës kryeqytetase nuk sollën rezultatin e dëshiruar.
Në fund, Astana ishte pranë dyfishimit të avantazhit, por Basmanov u ndal nga traversa pas një kundërsulmi të shpejtë.
Gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit një javë më pas, ku Dinamo do të kërkojë përmbysjen e rezultatit 0-1 për të siguruar një biletë drejt turit të dytë kualifikues të Conference League, edhe pse kjo humbje dhe transferta nuk e favorizon.
Komente








