Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka mbrojtur veprimet e Policisë së Shtetit gjatë protestës së një dite më parë para Kuvendit, duke deklaruar se faktet dhe pamjet e dokumentuara tregojnë se përplasjet nisën me sulmet ndaj efektivëve dhe jo me ndërhyrjen e policisë. Sipas tij, punonjësit e Policisë u goditën me gurë dhe sende të forta, ndërsa gjatë protestës pati edhe akte dhune ndaj gazetarëve dhe dëmtime të pronës publike.

Sipas Lamallarit, disa punonjës policie mbetën të plagosur gjatë përplasjes, ndërsa ai bëri thirrje që të mos barazohet e drejta kushtetuese për protestë me aktet e dhunës të kryera nga një grup personash.

“Fillimisht, gjithçka nisi me goditjen e punonjësve të Policisë së Shtetit me gurë dhe sende të forta, ku patëm dhe punonjës efektivë të plagosur, fillimisht të Komisariatit Nr. 5, më pas dhe komisariateve të tjera, të cilët kishin efektivët në dispozicion, për garantimin e rendit dhe ligjit gjatë zhvillimit të protestës. Protesta është një e drejtë kushtetuese, por nga ana tjetër duhet të dallojmë mes protestës dhe dhunës që ushtrohet nga një grup personash”, deklaroi ministri.

Një tjetër pikë ku ndaloi  Lamallari ishte mënyra se si u zhvilluan ngjarjet përballë gazetarëve që po raportonin protestën. Ai kundërshtoi pretendimet se përfaqësuesit e medias u dhunuan nga Policia, duke thënë se pamjet e administruara tregojnë përplasje të protestuesve me gazetarët dhe tentativa për t'u marrë mikrofonët gjatë raportimit.

“Nga ana tjetër një fakt tjetër, ishin dhe kolegët tuaj gazetarë, të cilët ndonëse u pretendua se ishin dhunuar nga Policia, faktet janë komplet ndryshe. Kishim më herët një thirrje të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, të cilët i bënin thirrje Policisë së Shtetit për të garantuar gazetarët, në kryerjen e detyrës së tyre dhe pamjet më vonë, që u administruan dhe nga ana jonë, ishin pamje ku gazetarë, kolegët tuaj në fakt u konfrontuan me protestues, të cilët donin të merrnin mikrofonet prej tyre dhe për më tepër kishte dhe shtyrje të tyre”, tha ai.

Në deklaratën e tij, ministri mbrojti edhe ndërhyrjen e Policisë së Shtetit, duke argumentuar se efektivët vepruan në përputhje me ligjin për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe për të garantuar rendin publik.

Lamallari bëri një ndarje të prerë mes protestës dhe personave që ushtruan dhunë ndaj policëve, gazetarëve dhe pronës publike, duke i cilësuar ata si vandalë dhe jo protestues.

“Protestues të quajtur paqësorë, të pretenduar të tillë dhe nga deputetë të opozitës, në fakt, ishte shumë e qartë që ata po dhunonin punonjësit e Policisë, me gurë dhe sende të forta, po intimidonin deputetët e Parlamentit shqiptar për t'u futur në ambientet ku ato janë zgjedhur për të ushtruar detyrën e tyre, si dhe po dhunonin dhe gazetarë. Nuk po flas për mjetet e Policisë, të cilat u panë qartë që u shkatërruan nga protestues, të ashtuquajtur paqësorë, por që unë nuk mendoj se ata mund të quhen protestues. Ata nuk kanë të bëjnë fare me protestën. Një grup, një grusht personash, të cilët me gurë në duar dhunojnë punonjësit e zbatimit të ligjit, çdo punonjës tjetër që kalon aty pranë dhe dëmtojnë pasurinë publike, në fakt nuk janë protestues. Ata janë thjesht vandalë”, u shpreh ministri.

Deklaratat u bënë pas një vizite në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, ku bashkë me Drejtorin e Policisë së Shtetit Skënder Hita inauguruan ambientet e rikonstruktuara të institucionit që synon të ofrojë kushte moderne pune për 332 punonjës të Policisë së Shtetit