ORA 21:45 ARRESTOHET ORION REÇI, 37 VJEÇARI QË REKRUTONTE LUFTËTARË NË SIRI
Ky shtetas ishte në ndjekje nga strukturat e policisë dhe kapja e tij u bë e mundur në afërsi të banesës së tij në Tiranë. Orion Reçi ishte njëri ndër personat e tjerë që rekrutonin shqiptarë për të luftuar në Siri.
Për shtetasin Orion Reçi, Gjykata për Krimet e Rënda ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg, si i dyshuar për veprën penale të “Rekrutimit të personave me qëllim kryerjen e veprimeve terroriste” dhe atë të “Nxitjes, thirrjes publike dhe propaganda për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste”, si dhe të “Nxitjes së urrejtjes ose grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve” të parashikuar nga neni 231, 232/a dhe 265 të Kodit Penal.
Mbas arrestimit të shtatë personave ditën e sotme të akuzuar se janë implikuar në krijimin e celulave të rekrutimit të besimtarëve myslimanë për të luftuar me grupet e opozitës në Siri, policia e shtetit bëri me dije se u bë ekzekutimi i masës së Sigurisë Arrest në Burg në mungesë për pesë shtetas, të cilët ndodhen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, në Siri e Turqi dhe konkretisht:
1. Gerti Isuf Pashja, vjeç 30, lindur dhe banues në Peqin, (Organizator)
2. Shkëlzen Fari Dumani, vjeç 39, lindur në Dibër e banues në Laprakë, Tiranë. (Organizator, Financues)
3. Shyqyri Maliq Kaca, i datëlindjes 27.05.1966, lindur në Dragostunjë, Librazhd e banues në Mezes, Tiranë. (Organizator, Financues, Pjesëmarrës)
4. Almir Xhevair Daci, i datëlindjes 01.08.1983, lindur e banues ne Leshnice, Pogradec. Ky shtetas ka qenë i vetëshpallur Imam i Xhamisë Leshnicë , Komuna Çerrave - Pogradec, me detyre Imam i Xhamisë te Leshnicë, Pogradec, i paautorizuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar.( (Organizator, Financues, Pjesëmarrës)
5. Medi Xhafer Manallari, i datëlindjes 15.06.1949, lindur në Radomirë, Dibër e banues në Unaza e Re, Tiranë. (Financues, Pjesëmarrës)
Po ashtu masa e sigurisë “arrest me burg” është caktuar dhe për një shtetas tjetër, emri i të cilit nuk bëhet i ditur në respekt të ruajtjes së sekretit hetimor.
ORA 15:10 PROKURORIA E PËRGJITHSHME: ARRESTOHEN 7 TË DASHUR PËR REKRUTIME TË SHQIPTARË PËR TË LUFTUAR NË SIRI
Shtatë persona janë arrestuar ditën e sotme në kuadër të hetimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi dyshohet se janë të përfshirë në rekrutimin e disa qytetarëve shqiptarë për të luftuar në Siri. Sipas njoftimit të Prokurorisë së Përgjithshme, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e sigurisë për 7 persona, mes tyre dy Imamë.
Të arrestuarit janë:
1 .Genci Sami Balla, i datëlindjes 1979, lindur e banues në Librazhd, me arsim të lartë, i vetëshpallur Imam i Xhamisë te Unaza e Re, i paautorizuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar. (Organizator)
2. Bujar Asllan Hysa, i datëlindjes 1971, lindur në fshatin Bastar, Tiranë e banues në Mëzez, Tiranë, me arsim të mesëm, i vetëshpallur Imam i Xhamisë së Mëzezit, i paautorizuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar. (Organizator)
Në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale:
- Dy aparate telefoni celular;
- Disa karta memorie telefoni celular dhe aparat fotografik;
- kartë identiteti në gjuhën arabe, si dhe një sërë kontrata depozitash bankare në emër të shtetasit Bujar Hysa dhe në emër të disa shtetasve të tjerë;
- Disa libra fetarë, mes të cilëve Libri “Asgjësimi i teorisë së përzierjes së fesë Islame me fetë e tjera”.
Në objektin ku ushtron veprimtarinë fetare, u gjetën:
- Tre Njësi kompjuteri
- Çantë ushtarake kamuflazhi,
- Dy telefona celularë
- 15 fishekë të kalibrave të ndryshëm
3. Edmond Shaban Balla, i datëlindjes 1989, lindur e banues në Elbasan, Lagjja “Skënderbej”, me arsim 8-vjeçar. (Organizator)
4. Zeqir Isuf Imeri, i datëlindjes 1980, lindur në Dibër e banues në Rrugën “Xhaferri”, Yrshek, Tiranë, me arsim 8-vjeçar. (Organizator, pjesëmarrës)
Në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale:
8 telefona celularë
2 karta telefoni
Një granatë ofensive e pa montuar.
Një armë automatike e tipit kallashnikov
Katër krehëra automatiku.
320 (treqind e njëzet) fishekë të kalibrit 7.62
Një thikë me dorezë kauçuku të zezë
Dy radio dhënëse-marrësë.
Një xhup kamuflazhi.
Një çantë sportive ku mbaheshin fishekët
5. Verdi Dielli Morava, i datëlindjes 1966, lindur e banues në Rr. “Hoxha Tahsim”, Tiranë, me arsim të mesëm. (Financues).
6. Fadil Adem Muslimani (Dervishi), i datëlindjes 1961, lindur e banues në Elbasan, Lagja “5 Maji”, me arsim 8-vjeçar. (Ndihmës)
7. Astrit Hajdar Tola, i datëlindjen 1972, lindur në Dibër e banues në Mëzez-Tiranë, me arsim 8-vjeçar. (Ndihmës). Në banesën e tij u gjet një çifte 12 fishekë, 11CD, broshura fetare, fletore me shënime në gjuhën arabe, një sasi kartash SIM dhe disa numra celularë, një uniformë ushtarake.
“Të gjithë këta persona akuzohen për veprat penale të “Rekrutimit të personave me qëllim kryerjen e veprimeve terroriste”; të “Nxitjes, thirrjes publike dhe propaganda për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste”, dhe të “Nxitjes së urrejtjes ose e grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve” të parashikuar nga neni 231, 232/a dhe 265 të Kodit Penal Shqiptar.
Shtetasit Genci Balla dhe Bujar Hysa, të cilët ushtrojnë aktivitet fetar ilegal, të palegalizuar në zonën e Unazës së Re dhe në fshatin Mëzez, Tiranë, dyshohet se kanë kryer veprime aktive për indoktrinuar persona të ndryshëm me ideologji radikale, për t’u angazhuar më pas në luftime në përbërje të grupeve terroriste ekstremiste që janë nën sanksione nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Shtetasit Edmond Balla dhe Vervi Morava dyshohet se kanë kryer veprime konkrete për dërgimin e disa shtetasve shqiptarë në Siri.
Ndërsa shtetasit Fadil Musulmani, Zeqir Imeri dhe Astrit Tola dyshohet se kanë kryer veprime aktive për të ndihmuar organizatorët në rekrutimin dhe më pas dërgimin e disa shtetasve shqiptarë në Siri”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.
Ndërkaq, njoftohet se janë ushtruar kontrolle nga Policia e Shtetit, në bazë të autorizimit të Gjykatës, edhe në disa ambiente në Tiranë dhe Pogradec, ku ushtronin veprimtarinë e tyre këta persona.
Në kuadër të këtij hetimi, janë caktuar masat e sigurimit edhe për gjashtë persona të tjerë, të përfshirë në të njëjtën veprimtari kriminale, si edhe po vijojnë hetimet nga Prokuroria për Krime të Rënda dhe oficerët e policisë gjyqësore të Policisë së Shtetit.
ORA 11: 16 DY PREJ TE ARRESTUARVE IMAME NE DY XHAMI NE TIRANE
Zbardhen emrat e 7 myslimanëve të arrestuar. Dy prej të arrestuarve janë imamë, njëri në xhaminë tek Unaza e re në Tiranë dhe tjetri në xhaminë e Mzezit. Të arrestuarit janë Genc Balla, imam i xhamisë tek Unaza e Re në Tiranë, Bujar Hysa, imam në xhaminë e Mzezit, Tiranë dhe besimtarët: Edmond Balla, Verdi Morava, Fadil Muslimani, Zeqir Imeri dhe Almir Daci
ORA 09: 14 ARRESTOHEN 7 MYSLIMANE, REKRUTRONIN LUFTETARE PER NE SIRI
Arrestimet janë kryer nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Policisë dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda në qytetet e Tiranës, Librazhdit, Elbasanit dhe Pogradecit.
Gjatë kontrollit janë gjetur edhe armë, fishekë dhe sasi eksplozivi.
Burime të A1 Report bëjnë me dije se dyshohet se të arrestuarit predikonin nxitjen e terrorizmit si dhe rekrutonin besimtarë duke i dërguar për luftë në Siri.
Hetimi ka nisur kryesisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pas vrasjes së dy shqiptarëve në Siri.
(Në foto: Xhamia në Unazë të re (majtas), xhamia në Mezëz (djathtas) dhe besimtarët duke folur për mediat)
Foto të tjera
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)