Edhe pse prej dy javësh Interi i Antonio Conte-s është shpallur kampion në Seria A grinta në shtëpinë zikaltër është shumë e madhe. Këtë e vërtetoi më se miri zëvendësimi i Lautaro Martinez në fitoren 3-1 kundër Romës, një ndeshje që u zhvillua të mërkurën në mbrëmje. ‘Demi’ nuk donte ta pranonte stolin dhe për këtë arsye në momentin e daljes nga fusha shkëmbeu disa fjalë me trajnerin, i cili iu kthye duke ngritur zërin.
Kaq është dashur që mediat të fillojnë të shkruajnë për një përplasje të madhe, por ajo që është servirur sot në qendrën stërvitore është krejt e kundërta.
Në një video të shpërndarë edhe në instagramin e Antonio Conte-s duket ky i fundit brenda një ringu të improvizuar duke u ndeshur me Lautaro Martinez. Normalisht që e gjitha ishte në kuadrin e shakasë dhe për të treguar se ai ishte një moment tensioni që kujtdo mund t’i ndodhë në një moment të caktuar.
Në videon e publikuar bën jo pak përshtypje Romelu Lukaku, lideri i Interit që në ‘ndeshjen’ mes Conte-s dhe Martinez bën ‘spikerin’ dhe fton ‘tifozët’ të marrin pjesë në duel.