Për t’u përqendruar tek prova se kriza klimatike po trondit jetët tona, liderët e botës kanë vendosur të nisin nga një mungesë: ajo e Donald Trump. Në zemrën përvëluese të Amazonës – në Belem, në Brazil – samiti i krerëve të shteteve dhe qeverive që hap Cop30 ka ndërmarrë një rrugë që duhet të gjejë zgjidhje për të përmbysur kursin dramatik të ngrohjes globale: më shumë se një plan veprimi, megjithatë, ai shfaqet si një apel i dëshpëruar për unitet kundër armikut të përbashkët – presidentit amerikan, pikërisht atij që e ka quajtur "mashtrim" krizën e klimës dhe, duke u mbështetur tek karburantet fosile, i ka tërhequr Shtetet e Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit. Dhjetë vjet më parë ajo marrëveshje i bëri 190 vende të premtonin se do të reduktonin emetimet për të qëndruar nën kufirin e famshëm prej +1,5 gradësh në krahasim me epokën paraindustriale: sot ne e kemi kaluar tashmë atë prag dhe është tashmë "praktikisht e pamundur" të kthehemi pas. "Një dështim moral, një neglizhencë vdekjeprurëse", tha në hapje të punimeve sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Për të shmangur arritjen në +2,5 gradë deri në vitin 2100, nevojiten pra zgjidhje urgjente: të gjenden 1,3 trilionë dollarë në vit për vendet më pak të zhvilluara dhe tashmë të goditura nga kriza (para që deri tani mungojnë), të arrihet në 125 miliardë fonde në 10 vjet për të shpëtuar Amazonën dhe pyje të tjera, të krijohen hapësira për zgjidhje të zbutjes dhe përshtatjes, të ndalen subvencionet dhe financimet për burimet fosile dhe në fund të ideohen mekanizma për të taksuar ata që ndotin më shumë, si avionët privatë apo kompanitë më ndotëse. Por është e pashmangshme që, për të arritur një rezultat përfundimtar të kënaqshëm – reduktim më të madh të emetimeve, shkëputje nga karburantet fosile, fonde konkrete ndihme dhe mbështetje për zgjidhjet natyrore të propozuara nga popujt indigjenë – të nevojitet një marrëveshje e re globale, një bashkim kundër "forcave ekstremiste që prodhojnë lajme të rreme për klimën për përfitim politik", siç pohon presidenti i Brazilit Luiz Inacio Lula. Sepse qëndrimi i Trump, shton presidenti kolumbian Gustavo Petro, është "kundër njerëzimit: po na çon drejt kolapsit". Fjalë që do t’i frymëzojnë liderët e tjerë për të kërkuar një mirëkuptim të përbashkët.
Kina, që ka mbërritur në Brazil për të marrë drejtimin e betejës klimatike, bën të kuptohet se është dakord dhe kërkon bashkim për të "hequr pengesat tregtare dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar për të arritur objektivat klimatike". Edhe Britania e Madhe duartroket dhe Italia, e përfaqësuar nga Antonio Tajani (në mungesë të kryeministres Meloni), bie dakord për më shumë përpjekje për reduktimin e emetimeve, por me kusht që "të merren parasysh çështja sociale dhe vendet e punës".
Mes konflikteve ndërkombëtare dhe çështjeve kritike si sulmet e frikshme amerikane kundër Venezuelës – temë që monopolizon bisedat private të liderëve në dëm të klimës – është pra thelbësore të rifitohet forca kundër tragjedisë drejt së cilës po shkojmë: "Nëse bashkohemi, mund të përshpejtojmë ende dhe të shmangim pikën pa kthim", është apeli i dëshpëruar i princit William në seancën plenare.
Për të pranishmit, vetëm me këtë pakt anti-Trump, Cop30 mund të bëhet ajo "e vërteta" që shpreson vetë Lula. Por ka një problem: për ta arritur këtë, Konferenca do të duhej të fillonte të fshinte të gjitha kundërthëniet e saj, pikërisht ato mbi të cilat miliarderi kënaqet. Po ia del? Nëse gjykohet nga dita e parë e punimeve, jo.
Logjistika, në Brazil, është tmerrësisht pas: punëtorët ende po ndërtojnë pavijonet me goditje çekiçi mes stendave ku pak vullnetarë flasin anglisht dhe me sanduiçe me çmime marramendëse. Avionët privatë ndotës vazhdojnë të fluturojnë mbi qiell dhe këtë vit, në ujërat e Amazonës, u shtohen edhe emetimet e anijeve, si ato të dy anijeve turistike italiane që kanë mbërritur këtu për të ofruar më shumë akomodim (por për momentin janë të mbushura vetëm një të tretën) apo të jahtit që pret Lulën, një varkë që konsumon 150 litra naftë në orë.
E gjithë kjo ndodh në prag të një pylli të brishtë tropikal, ku pemët janë prerë për t’i hapur rrugë rrugëve dhe shpimeve të reja, në vitin kur Brazili është bërë pjesë e Opec+, dhe ku janë shpallur tashmë projekte të reja nxjerrjeje. Për t’u kthyer në “Cop-in e pragmatizmit”, përveç unitetit, do të nevojitet edhe një apel për koherencë./La Repubblica
Komente










