Covid-19, 566 viktima në Itali. Vaksina italo-britanike gati në shtator! 114 mijë vdekje në botë! Në SHBA më shumë se 22 000 viktima (VIDEO)

Në të gjithë botën numri i të identifikuarve pozitive nga koronavirusi është mbi 1 milion e 850 mijë, kurse numri i viktimave nga Covid-19 është rritur në mbi 114 250 kurse numri i të shëruarve ka shkuar në më shumë se 2 milionë e 800 mijë.

Me 1514 viktima në 24 orët e fundit, Shtetet e Bashkuara kanë tejkaluar 22,100 vdekje nga koronavirusi si dhe janë raportuar më shumë se 557 mijë e 500 të infektuar me Covid-19.

Guvernatori i shtetit të Nju Jorkut, Bill De Blasio ka deklaruar se shkollat do të qëndrojnë të mbyllura deri në fund të vitit shkollorë dhe për rrjedhojë rreth 1.1 nxënës dhe studentë do të mbetet në izolimin që për ta ka nisur që më 16 mars kur u urdhërua edhe mbyllja e shkollave për shkak të koronavirusit.

Ndërkohë, Qarku i Los Anxhelosit ka vendosur të zgjasë kufizimet për kontrollimin pandemisë deri më 15 maj kurse San Francisko do i mbajë në fuqi kufizimet deri më 3 maj.

Anthony Fauci, virologu i famshëm amerikan i thirrur pranë shtëpisë së Bardhë për të udhëhequr ekipin tekniko shkencor që merret me emergjencën shëndetësore tha se “nëse vendi do të ishte mbyllur më herët, do ishin kursyer vetë të tjera”. Fjalë këto që me siguri nuk i kanë pëlqyer Trump, i cili u përgjigj në mënyrën më të shpejtë që ai njeh, me postimet në Twitter:  “Lajm i rremë, unë isha ai që bllokoi Kinën shumë para se njerëzit të fillonin të flisnin”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:08
Covid-19, në Itali 566 viktima dhe 1224 të shëruar në 24 orët e fundit

Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile Italiane gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar  566  viktima nga koronavirusi,  për një total prej 20465 vdekje që nga fillimi i epidemisë. 

Numri i të shëruarve sot është 1224  për një total prej  35435.

Autoritetet raportuan edhe për 1363  raste të reja pozitiv nga Covid-19, shifra që e rrisin numrin e përgjithshëm të të infektuarve në  159 516 që nga fillimi i pandemisë.

Në kujdesin intensiv janë të shtruar 83 pacientë më pak për një total prej  3260    

Sipas autoriteteve "Ekzistojnë tre indikatorë inkurajues. E para është numri në rënie i të sëmurëve në repartet Covid-19. E dyta është numri në rënie i të sëmurëve në kujdesin intensiv. E treta janë numrat në ulje prej disa ditësh të atyre që humbasin jetën nga pandemia e koronavirusit.

Po sipas autoriteteve, "Tendenca në rënie tani është më e besueshme dhe mund të thuhet se masat e miratuara dhe të zgjatura kanë patur ndikim në përhapjen e virusit"

Ora 17:27
Covid-19, në Greqi bie kurba e infeksionit, 31 raste të reja dhe 1 viktimë në 24 orë

Prej disa ditësh, Greqia ka shënuar një rënie të numrit të të infektuarve dhe numrit të viktimave nga infeksioni i koronavirusit.

Sipas autoriteteve në 24 orët e fundit është regjistruar vetëm 1 viktimë duke e çuar numrin total të të vdekurve në 99 ndërsa numri i të infektuarve është rritur 31 raste të reja për një total prej 2,145 të prekur.

Po sipas autoriteteve 73 pacientë janë të intubuar ndërkohë që sot 16 të tjerë janë shëruar dhe kanë dalë nga spitali.

Mosha mesatare e viktimave është 73 ndërkohë që shumica e tyre vuanin edhe nga sëmundje të tjera të mbartura

Deri më tani në të gjithë Greqinë janë kryer 43,417 teste.

Ora 17:09
Covid-19, Donald Trump 'siluron' virologun e Shtëpisë së Bardhë Anthony Fauci

Presidenti amerikan Donald Trump shpërndau në Twitter një thirrje për shkarkimin e Dr. Anthony Faucit, pasi eksperti më i lartë i vendit për sëmundjet infektive tha se mund të ishin shpëtuar më shumë jetë, nëse vendi do të ishte mbyllur më shpejt gjatë shpërthimit të koronavirusit.

Presidenti Trump shpërndau të dielën në Twitter mesazhin e shkruar nga një ish-kandidat republikan për në Kongres, i cili citonte komentet e zotit Fauci gjatë një interviste televizive të dielën. Mesazhi në Twitter titullohej “koha për të #ShkarkuarFaucin”.

Presidenti republikan në të kaluarën ka shpërndarë mesazhe kritikuese (të të tjerëve) për zyrtarët ose kundërshtarët e tij, duke mos preferuar t’i bëjë vetë kritikat. Shpërndarja e këtij mesazhi në Twitter nxiti spekullimet se Presidentit Trump po i mbaron durimi me shkencëtarin e mirënjohur dhe se mund ta shkarkojë atë.

Shtëpia e Bardhë nuk e komentoi të hënën këtë veprim në Twitter të Presidentit Trump.

Dr. Fauci ka marrë rëndësi kombëtare dhe një nivel pëlqimi, si një udhëheqës në luftën kundër koronavirusit. Ai ka kundërshtuar ose korrigjuar Presidentin Trump për çështje shkencore gjatë krizës së shëndetit publik, siç ishte p.sh. gjatë diskutimit nëse ilaçi anti-malaria hidroksilklorina është efektiv apo jo kundër koronavirusit.

Dr. Fauci u pyet në emisionin “State of the Union” të kanalit CNN në lidhje me një raport të gazetës New York Times që dokumentonte paralajmërimet e hershme të dërguara Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin. Shkencëtari pranoi se mbyllja e vendit më shpejt mund të kishte shpëtuar jetë, por paralajmëroi se ishin të përfshirë një numër faktorësh.

Natyrisht, do të ishte mirë nëse do të kishim patur një fillim më të mirë, por unë nuk mendoj se mund të thoni se jemi këtu ku jemi tani për shkak të një faktori,” tha Fauci. “Është shumë e ndërlikuar“.

I shndërruar tashmë në një objektiv të ekstremit të djathtë për kundërshtitë e tij ndaj Presidentit Trump, dr. Fauci tërhoqi kritika të mëtejshme pas intervistës.

Materialin e gazetës e denoncoi gjithashtu Presidenti Trump të dielën në Twitter, duke e cilësuar atë “Fake” (“Fals”).

Javën e kaluar gjatë konferencës së përditshme për koronavirusin në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump ndërhyri dhe e pengoi dr. Faucin t’i përgjigjej një pyetjeje në lidhje me hidroksiklorurinën.

Dr. Fauci, 79 vjeç, ka udhëhequr agjencinë federale të sëmundjeve infektive që nga viti 1984 nën udhëheqjen e presidentëve republikanë dhe demokratë. Republikani George W. Bush e nderoi atë me Medaljen Presidenciale të Lirisë në vitin 2008.

Disa sondazhe gjatë krizës së shëndetit publik kanë treguar se amerikanët i besojnë atij më shumë sesa Presidentit Trump.

Ora 16:48
Covid-19/OBSH: Mbajtja e maskave do kthehet në një normë në të ardhmen

Zëdhënësi i Organizatës Botërore të Shëndetit, David Nabarro në një intervistë për BBC tha se mbajtja e maskave do kthehet në një normë në të ardhmen.

Ai tha se "Koronavirusi nuk do të largohet. Ne nuk e dimë nëse njerëzit që e kanë pasur atë janë imunë apo jo si dhe nuk dimë ende se kur do të kemi gati vaksinën. Pra në të ardhmen do të kemi nevojë për një lloj mbrojtje, si maska”.

“Do të ketë shpërthime të vogla që do të dalin herë pas here. Çelësi për këtë virus është që çdo komunitet të veprojë si një mburojë, të mbledhë rastet sa herë që dalin në pah dhe t’i izolojë, duke frenuar përhapjen”, shtoi Nabarro.

Ora 16:41
Covid-19, në Britani 717 persona humbën jetën në 24 orët e fundit

Britania e Madhe  tashmë është kthyer një nga vartat kryesore të koronavirusit.

Mësohet se në 24 orët e fundit kanë ndëruar jetë 717 persona, duke e çuar numrin në total të viktimave në 11 mijë e 300.

Ndërkohë, janë regjistruar edhe 4,342 raste të reja duke e çuar në 88,621 të infektuar.

Por ajo çfarë bie në sy është se COVID-19 po godet edhe moshat e reja apo dhe të shëndetshmit. Një 17- vjeçar është i riu më i radhës që humbi jetën nga virusi.

Britania është nga vendet që nënvlerësuan pasojat e COVID-19, duke marrë me vonesë masat shtrënguese.

Ora 15:19
Covid-19, shërohet Boris Johnson, doli negativ në testin e fundit të kryer

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson është shëruar nga COVID-19, pasi ka rezultuar negativ në testin e zhvilluar para se të linte ambjentet spitalore.

“Johnson ka rezultuar negativ për Covid-19, dhe po rikuperohet”,  konfirmoi zëdhënësi i tij.

Johnson doli nga spitali St. Thomas në Londër të dielën, një javë pasi u shtrua për shkak të koronavirusit. Ai kaloi disa etapa të virusit dhe përfundoi edhe në terapi intensive para se të niste rrugën e shërimit.

Në një video-mesazh publik në “Twitter”, nga shtëpia e tij, kryeministri britanik shprehu falënderimet më të thella për të gjithë personelin mjekësor, që i shpëtoi jetën dhe që po luftojnë çdo ditë në vijën e parë të betejës me virusin e frikshëm.

“Është e vështirë të gjesh fjalët për të shprehur borxhin tim ndaj mjekëve, që më shpëtuan jetën. Së bashku do ta kapërcejmë këtë sfidë, pasi kemi kapërcyer aq shumë sfida në të kaluarën”, shkruan Johnson.

Është ende e paqartë se kur Johnson do të rikthehet në punë por për momentin ai po ndjek këshillat mjekësore ndërsa do të marrë udhëzime të mëtejshme para se të kthehet përsëri në punë.

Sipas autoriteteve, "Kryeministri po përqendrohet në rimëkëmbjen e tij dhe ai aktualisht nuk po kryen punën e qeverisë."

Ora 14:01
Koronavirusi, testet e para të vaksinës italo-britanike gati të kryhen në fund të prillit te 500 vullnetarë në Angli

Testet e një vaksine, bashkëprodhim Italo-Britanik do kryhen deri në fund të muajit prill në Angli te mbi 500 vullnetarë.

Kjo u raportua nga autoritetet e Advent-Irbm në Pomezia në Romë së bashku me Institutin Jenner të Universitetit të Oksfordit.

Sipas tyre, "nëse gjithçka shkon në rregull, në muajin shtator vaksina do të jetë e përdorshme për të vaksinuar profesionistët e kujdesit shëndetësor dhe forcat e zbatimin e ligjit".

Administratori i deleguar i Irbm, Piero Di Lorenzo tha se "Në sajë të të dhënave të fituara javët e fundit grupi i parë i vaksinës do të testohet te vullnetarë të shëndetshëm dhe "negociatat për një kredi të konsiderueshme me një grup investitorësh ndërkombëtarë dhe qeveri të ndryshme të interesuara për të shpejtuar më tej zhvillimin dhe prodhimin industrial të vaksinës tani është në fazën përfundimtare".

Di Lorenzo tha gjithashtu se "U vendos që të shkohet direkt në fazën e provës klinike njerëzore në Angli, duke marrë parasysh jo-toksicitetin dhe efikasitetin e vaksinës, të bazuara në rezultatet laboratorike, të cilat kanë qenë veçanërisht të efektshme".

Ora 13:34
Covid-19/Francë, Macron gati për të zgjatur bllokimin deri në 10 maj

Presidenti francez Emmanuel Macron është i gatshëm të njoftojë zgjatjen e masave të izolimit dhe bllokimit në Francë deri në të paktën 10 maj.

Sipas autoriteteve, kjo do të njoftohet sot në mbrëmje nga presidenti Macron.

Ai do të mbajë fjalimin e tij të tretë solemn për kombin që nga fillimi i krizës së Covid-19 dhe gjithashtu duhet të tregojë edhe mënyrën sesi do të startojë ekonomia pas mesit të muajit maj.

Deri tani në Francë numërohen rreth 133 600 raste të identifikuar pozitiv me Covid-19 kurse numri i vdekjeve nga infeksioni është 14 412.

Ora 13:13
Covid-19, Gjermania ka më shumë të shëruar sesa njerëz që ende vuajnë nga koronavirusi

Sipas autoriteteve në Gjermania ka më shumë njerëz të shëruar sesa njerëz që ende vuajnë nga koronavirusi.

Në 24 orët e fundit, rastet e testuar pozitiv ishin 2.537, të cilat e çojnë numrin total në 127 854, pak më shumë se 50% e të cilave tani janë shëruar.

Në Spanjë shkalla e kurimit është aktualisht 37%, në Itali 22%, në Francë 21% dhe në Britani të Madhe ajo është ende 0.3%.

Sipas BBC, Gjermania ka një shkallë vdekshmërie më të ulët sesa Spanja, Italia, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, sepse ajo kryen më shumë teste të tamponit, dhe për këtë arsye gjithashtu regjistron raste më pak serioze dhe të lehta të infektuar nga koronavirusi.

Ora 12:32
Covid-19, Moska si Tirana, aplikon sistemin e lejeve online për qytetarët

Autoritetet e Moskës, duke filluar nga kjo javë, do të aplikojnë një sistem lejesh dixhitale për të kontrolluar lëvizjet e njerëzve pasi shpërthimi i koronavirusit ka hyrë në ritme shqetësuese dhe spitalet mund të përballen me kaos.

Rusia njoftoi sot 2,558 raste të reja të koronavirusit të ri, një rritje rekord ditore, duke e çuar numrin e përgjithshëm të saj kombëtar në 18,328 të prekur.

Sistemi i ri do të kryehet nëpërmjet një faqeje në internet ku do të aplikohet për lejet nga ata që do të udhëtojnë me makinë ose transport publik. Sistemi i lejeve, i cili do të funksionojë nga e mërkura dhe mund të zgjerohet për të monitoruar njerëzit dalin jashtë lagjes së tyre, thanë autoritetet.

Në fakt autoritetet në Moskë kishin planifikuar fillimisht një sistem pothuajse si i yni ku qytetarët duhet të aplikojnë për leje sa herë që do të duhet të dalin për pazare por kjo ngjalli polemikë të madhe.

Njerëzit do të duhej të aplikonin për një kod QR në internet sa herë që donin të dilnin nga shtëpitë e tyre. Megjithatë kjo ide nuk u zbatua por u vazhdua me sistemin e lejeve vetëm për automjetet dhe ata që do të udhëtojnë me transport publik.

Qendra e reagimit ndaj krizës koronavirus të Rusisë tha se numri i viktimave u rrit me 18 gjatë të dielës duke e çuar totalin në 148.

Ora 12:14
Simptomat e koronavirusit/ Shenja e re COVID-19 në lëkurën tuaj....I keni këto pika të kuqe?

Simptomat e zakonshme të koronavirusit tani dihet se janë ethet, temperatura e lartë dhe kolla e vazhdueshme.

Sipas mjekëve, kushdo që kollitet më shumë se zakonisht për një kohë të gjatë gjatë një ore, ose nëse ka pasur të paktën tre episode të gjata të kollitjes çdo 24 orë, duhet të izolohet.

Por gazeta britanike Express shkruan se ne mund të jemi të infektuar nga koronavirusi edhe nëse shohim se në lëkurën tonë janë shfaqur disa pika të kuqe të cilat me kalimin e kohës acarohen dhe japin djegie.

Po sipas gazetës, dermatologët besojnë se zhvillimi i plagëve të dhimbshme dhe shenjave të kuqe mund të lidhet me koronavirusin.

Express shkruan se më shumë se 400 dermatologë kanë dëshmuar se këto shenja dalin te pacientët me Covid-19.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar publikun dhe mjekët se duhet t’i kushtojnë më shumë rëndësi pacientëve që kanë këto simptoma në lëkurë.

Ora 11:42
Koronavirusi-Europa përpiqet të ristartohet. Rihapen dyqanet në Austri dhe shkollat në Norvegji (VIDEO)

Nga nesër, në Austri do të rinis rekuperimi i ngadaltë prej infeksionit nga koronavirusi. Do të rinisin punën dyqanet e vogla me sipërfaqe më pak se 400 metra katrorë, ato të vetë-shërbimit si dhe do rihapen çerdhet.

Qeveria ka parashikuar që nga data 1 maj mund të rihapen aktivitete të tjera tregtare dhe parukieritë kurse nga mesi I muajit maj priten të rifillojnë nga puna baret dhe restorantet.

Por parashikohet se pavarësisht se disa aktivitete do rifillojnë të funskionojnë, ekziston detyrimi për të mbajtur maska ​​ose mjete të tjera mbrojtëse në shumë vende, nga supermarketet në transportin public kurse për ata që nuk respektojnë masat do ketë gjobitje prej 25 eurosh.

Rihapen dyqanet në Pragë

Republika Çeke ishte ndër vendet e para europiane që lëvizi përkundrejt masave lehtësuese. Nga sot lejohen aktivitetet në natyrë, duke respektuar gjithmonë distancat e sigurisë. Disa dyqane tashmë janë rihapur, ndërsa nga muaji maj do rifillojnë punën aktivitetet prodhuese.

Rihapen shkollat në Norvegji

Të mërkurën nis faza e dytë në Norvegji ku do të rihapen kopshtet dhe shkollat ​​fillore. Aktivitetet e prodhimit ende do të qëndrojnë të mbyllura, të paktën deri në muajin maj. Po deri në maj do rifillojnë punë edhe aktivitetet tregtare si edhe restorantet dhe baret.

Gjermania po studion masat lehtësuese

Tani për tani, kufizimet në Gjermani mbeten në fuqi deri më 19 prill. Por diskutimi ka filluar për të lehtësuar kufizimet. Në Belgjikë dhe Finlandë, nga ana tjetër, ekspertët shkencorë po mendojnë për të hequr masat e karantinës por pa shpallur ende ndonjë datë.

Ora 09:58
Covid-19, vdes nga infeksioni miku i ngushtë i Donald Trump dhe një nga njerëzit më të rëndësishëm të pasurive të patundshme në botë

Sipas CNN, 70-vjeçari Stanley Chera, një nga njerëzit më të shquar në sektorin e pasurive të patundshme në New York City, ka ndërruar jetë pas infektimit nga Covid-19.

Chera njihej gjithashtu në mbarë opinionin publik amerikan si miku i presidentit Donald Trump. Përgjatë viteve 2016-2019, Chera ka dhuruar një total prej 402.800 dollarë për republikanët për të mbështetur presidnecën e manjatit.

Në Paradën e Ditës së Veteranit në New York City, ai e cilësoi Trump si “miku im i dashur”.

Nga ana tjetër, në një tubim të vitit 2019 në Grand Rapids, Michigan, Trump e cilësoi Chera-n, si “një nga ndërtuesit më të mëdhenj dhe njerëzit më të rëndësishëm të pasurive të patundshme në botë”.

Ora 09:12
Covid-19, në Spanjën me më shumë se 17 mijë viktima rihapen disa aktivitete. 3022 vdekje në Gjermani

Spanja ndodhet në vendin e dytë të renditjes së pandemisë në botë pas SHBA. Autoritetet kanë raportuar një total rastesh të prekur nga koronavirusi prej 166 831 kurse numri i viktimave ka shkuar në mbi 17 200.

Për të pestën ditë në Spanjë ka patur ulje të numrit të viktimave dhe infeksioneve të reja. Sidoqoftë, edhe nëse këto shifra është ngushëlluese, për autoritetet është e qartë se kriza nuk ka përfunduar.

Qeveria ka dekretuar zgjatjen e masave izoluese edhe me 14 ditë të tjera, deri në 25 Prill, të kontrolleve në kufijtë tokësorë me Francën dhe Portugalinë dhe deri më 3 maj masat e tjera të bllokimit.

Nga sot në Spanjë shumica e kompanive të sektorëve industrialë dhe ndërtimorë janë rikthyer në në punë pas paralizës dyjavore pas mbylljes më 29 Mars për shkak të pandemisë prej koronavirusit. Rihapja ka nisur pavarësisht dyshimeve nga komiteti i ekspertëve, i cili beson se është ende shumë herët.

Sidoqoftë, qeveria ka filluar të shpërndajë 10 milion maska, pa pagesë, për transportin publik.

Për këtë kthim në punë, ekzekutivi në Madrid përgatiti një udhëzues për punëtorët dhe kompanitë me rekomandime për të minimizuar rrezikun e infeksionit të tilla si distancë 2 metra në vendin e punës, privilegjohet transporti privat për të shkuar në punë, detyrimi për të mbajtur maskë në vendin e punës dhe kush përdorë transportin publik, punë me turne për të ulur numrin e punonjësve në një turn, larja e rrobave në 60 gradë.

Ministri i industrisë, Reyes Maroto tha në një intervistë me El Pais se edhe në stinën e verë do jetë e detyruar respektimi i distancës sociale edhe ne plazh

Gjermania vijon të shënojë rritje të numrit të të prekurve të rinj nga infeksioni i koronavirusit. Në total numri i të prekurve me Covid-19 është 127 854 kurse numri I viktimave është rritur në 3022.

Ora 08:58
75,000 të vdekur në Europë. Në Francë vetëm 10% e popullsisë e imunizuar. Imunologu Delfraissy: Deri në fund të vitit do kemi vaksinë

Në kontinentin europian numri i viktimave nga koronavirusi është rreth 75 000 kurse në Francë, numri i vdekjeve dhe infeksioneve ka nisur rënien si rezultat i katër javëve të izolimit.

Numri i përgjithshëm i rasteve pozitive nga Covid-19 në Francë është 133 670 kurse numri total i viktimave ka shkuar në 14 412.

Ndërkohë Parisi zyrtar gjithashtu ka filluar të reflektojë për fazën 2.

Jean-François Delfraissy, imunologu francez i cili udhëheq komitetin shkencor dhe që këshillon presidentin Emmanuel Macron për emergjencën shëndetësore, ka deklaruar se nuk do të duhet të kalohet direkt te tërësia e masave çliruese. Fillimisht duhet të ketë disa rifillime të vogla aktivitetesh.

Sipas tij, në Francë situata është komplekse pasi më shumë se 17 milion franceze janë të moshuar, pacientë me sëmundje kardiake, obezë dhe me patologji të tjera dhe se vetëm 10% e 67 milion francezëve janë imunizuar nga koronavirusi.

Delfraissy tha gjithashtu se në këto 4 muaj virusi ka pësuar mutacione të vogla gjë e cilan ndihmon në garën e vaksinave, duke shtuar se deri në fund të vitit do ketë një vaksinë dhe ndërkohë ndoshta do të ketë lajm pozitiv mbi ndonjë ilaç profilaktik.

Ora 08:41
Covid/ Në Itali, autoritetet: Shkollat të rihapen në shtator. Rinisja e aktiviteteve, operacion delikat

 

Franco Locatelli, presidenti i Këshillit të Lartë të Shëndetit në Itali tha se ai është I mendimit se shkollat duhet të rqendrojnë të mbyllura deri në shtator.

"Personalisht mendoj se duhet të reflektojmë dhe të vëndosim për të rihapur shkollat në shtator dhe jo më parë”.

Ai tha gjithashtu se vendimi i takon qeverisë por sipas tij, “ruajtja e distances sociale dhe braktisja e sjelljeve dhe zakoneve individuale të deri tanishme n aka treguar se ka influencuar fort në uljen e numrit të personave të shtruar në spital dhe për rrjedhojë uje e numrit të viktimave nga koronavirusi.

Duke folur edhe për aktivitetet prodhuese, Franco Locatelli u shpreh se “zbatimi i distancës sociale dhe kufizimi i lirive personale ishte i dhimbshëm, por rihapja e aktiviteteve të prodhimit është një operacion delikat dhe duhet bërë gradualisht.

Në Itali, gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 431 viktima, shifra më e ulët që prej 18 marsi, për një total vdekjesh prej 19 899 persona.

Dhe rasti i të infektuarve ka shënuar ulje por sërish mbetet i larët, ku gjatë 24 orëve të fundit janë 1984 raste të reja, për një total të infektuarish prej 156 363.

Ora 08:22
Covid-19, 108 raste të reja në Kinë. Vala e dytë e infeksionit?

Kina ka regjistruar numrin më të madh të rasteve të reja të infeksionit (106) në gjashtë javët e fundit, e nxitur kjo nga rritja e numrit të udhëtarëve të infektuar që vijnë nga jashtë.

Tani Pekinit zyrtar i duhet të përballet me një sfidë të re për të parandaluar një valë të dytë të Covid-19.

Numri i përgjithshëm i rasteve pozitive të konfirmuara në territorin e Kinës tani është 82.160.

Sipas të dhënave të përditësuara nga Universiteti Johns Hopkins, numri i vdekjeve është rritur në 3.341 pasi në 24 orët e fundit u raportuan dy vdekje.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Shqip: 13/04/2020 16:07

    Ky kur ishte keq kur doli negativ a t shkretet popull q nuk meret vesh cfar loje luhet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave