Tiranë - Në kuadrin e marreveshjes së nënshkruar mes Ministrisë së Kulturës dhe Bashkimit Europian në qershorin e këtij viti, qe lidhej me pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e ri të Bashkimit Evropian për sektorin kulturor dhe krijues "Creative Europe, Europa Krijuese", në ambjentet e sallës "Tefta Tashko Koço" të MK-së, në praninë e ministres Kumbaro, u zhvillua sot  një takim informues e konsultues, si pjesë e nënprogramit kulturor, lidhur me thirrjen për projekt- propozimet në fushën e Projekteve të Bashkëpunimit Evropian (European Cooperation Projects) me afat aplikimi datën 1 tetor 2014.
Aplikuesit potenciale mund të jenë organizata publike, apo privatë me status juridik, që punojnë në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore dhe operojnë në tregun shqiptar prej të paktën dy vitesh, bëjnë me dije burime të ministrise, duke shtuar se Individët nuk mund të aplikojnë.
Në këtë takim morrën pjesë stafi i Creative Europe Desk-Albania, një strukturë e brendshme e Ministrisë së Kulturës, qe promovon dhe mbështet aplikuesit potencialë për prezantimin e mundësive të reja për të përfituar nga ky program; eksperte, si dhe përfaqësues të disa organizatave, të cilat kanë fituar në thirrjet e mëparshme të programit.
Takim u realizua si një mundësi konsultimi dhe bashkëbisedimi me subjektet e interesuara shqiptare dhe ekspertin, i cili do të jetë i pranishëm gjatë eventit për të dhënë asistencën e duhur teknike në përgatitjen e projekt - propozimeve të suksesshme për këtë fushë si dhe prezantimin nga CED - Albania të projekteve të cilat janë duke u përgatitur nga organizata evropiane dhe kanë shprehur interesin për të pasur partnerë shqiptarë. /ATSH/