'Credins mbështet artin',  ekspozon 19 vepra të Terollit! Artistja që pas komës u zgjua piktore: Ndihem e vlerësuar!

“Vajza me Lule” e Mumtas Dhramit, lartëson figurën e gruas përmes gjuhës së skulpturës, në fasadë të godinës... Ndërsa në brendi, tablotë e Vjollca Terollit e shndërrojnë vizitën në Zyrat Qendrore të Bankës “Credins”, në një takim të papritur formash e ngjyrash që shkund shpirtin nga pluhuri i përditshmërisë...

Nuk është thjesht një iniciativë që u ofron klientëve një mundësi ndryshe të degustimit të artit pamor, por edhe një shans promovimi për artistët. Nisma “Credins mbështet artin”, prej dy vitesh ka krijuar një qoshk të posaçëm për krijuesit vendas. Vjollca Terolli, rrëfen se ndihet e përkëdhelur, si kliente dhe artiste, kur një bankë si ‘Credins’, përkrah artin e kulturën, duke përzgjedhur kësaj radhe 19 vepra të saj për ekspozim, të cilat e bëjnë pritjen e klientëve më të shkurtër...

“Ndihem shumë komode dhe e vlerësuar që veprat e mia janë ekspozuar në një bankë të tillë. Aq më tepër që unë jam edhe klinete e ‘Credins’. Jam shumë e kënaqur!”, shprehet artistja Vjollca Terolli.

Në shenjë mirënjohje, por edhe për të krijuar harmoni mes ambienteve qendrore të Credins, artistja tregon se disa prej punëve, janë realizuar enkas për bankën...

“Disa nga këto vepra  i kam bërë posaçërisht vetëm për në këtë ekspozitë, duke dashur të ishin më të mëdha në përmasa, sepse vetë madhësia e kësaj banke është goxha dinjitoze”, shton piktorja.

Nga portretet , tek pikturat abstrakte e peizazhet, mes larmishmërisë së ngjyrave e formave, spikat natyra e figura e femrës...

“Klientët i pëlqejnë shumë veprat e mia dhe kjo më jep kënaqësi akoma më shumë për të punuar edhe më tepër”, thotë ajo.

Por ‘Credins’, nuk mbështet thjesht artin, por edhe ngjarjet njerëzore që shpalosen përmes tyre. Historia e piktores Terolli, është sa e pazakontë aq edhe frymëzuese...

Pa pasur asnjë lidhje me realizimin e një vepre arti, ajo nisi të pikturojë krejt papritur, 16 vite më parë pasi kaloi orë të gjata në gjendje kome...

“Unë artin gjithmonë e kam dashur edhe pa u bërë piktore. Por, në 2006-ën pasi kam kaluar gjendjen e komës unë kam filluar të punoj pa fund dhe tani mund të quhem një profesioniste në art”, shprehet artistja.

Prej asaj kohe, Terolli kalon orë të tëra duke jetësuar në telajo emocione e ndjesi... Siç rrëfen, nuk mund të rrijë dot pa pikturuar e të fundit vepra zënë vend në “Credins”.

“Vazhdoj punoj dhe jam akoma shumë shumë e dashuruar me artin e të pikturuarit

Unë kam marrë pjesë  në disa panaire arti dhe ekspozita në Itali, në Romë, në Padova, në Parma etj.  Kam marrë pjesë edhe në Francë, dhe më ka vlerësuar një nga kritikët më famoz siç është Paulo Levi”, rrëfen Terolli.

Kuratori i njohur italian, e përfshin në librin e tij mes 30 piktorëve të preferuar, dhe shkruan se “krijimtaria e saj vjen prej së përtejmes”...

“Dedikimi tregon ndër të tjera se unë pas asaj gjendje, arrij të pikturoj përpos natyrës edhe imazhe të tjera, që mund të mos i shikoj, por i realizoj nga mendja”

Një grua me qafë të gjatë, që shumëkujt do ti sillte ndërmend Modiglianin, ishte e para e pikturë e Terollit, e me sa duket është shndërruar në një figurë të pandashme të cikleve të saj të pikturave. E gjejmë edhe këto ditë në zyrat qendrore të “Credins”.... Të tjera  do t’i shtohen krijimtarisë së saj

“Do vazhdoj të punoj deri sa të jem gjallë!”, thotë piktorja.

Me qëllimin për të shkurtuar distancat mes artit e publikut, e për të promovuar të bukurën e  traditën, në këndin e zyrave Qendrorë të “Credins”, vizitorët kanë mundur të shijojnë përgjatë këtyre muajve punime të ndryshme. Anjeza Kolevica, artiste e talentuar e bijë arti, ekspozoi aty, punime të larmishme në qeramikë, duke kujtuar vizitorëve përmes “Formave të gravitetit shpirtëror”, vlerat e trashëgimisë...

Afro një vit më parë Dastid Miluka e përqafoi mundësinë për të ekspozuar në ambientet e “Credins” jo thjesht vepra arti, por rrugëtimin e tij artistik të shtrirë në më shumë se dy dekada, përmes një ekspozite retrospektivë... Artisti vlerësoi mbështetjen e bankës, që krahas shërbimeve monetare, ndërmori iniciativën për tu komunikuar qytetarëve art...

“Ku ka më mirë se sa arti të shkojë aty ku janë njerëzit, qoftë kjo bankë apo edhe në hapësira të tjera...Rëndësi ka që piktura apo arti të vendoset në kontakt me shikuesit” u shpreh Miluka.

Piktori i njohur Helidon Haliti, zgjodhi që në zyrat qendrore të “Credins” të ekspozonte punët e tij më të dashura, nga koleksioni shumëvjeçar “Fabula”. Vepra të cilat i kishte shëtitur në qytete të mëdha si Parisi, Amsterdami e Montekarlo... Ai rrëfeu se “Credins” po vendoste një gurë themel qytetarie në përkrahje të artit, që bota tanimë e ka kthyer në traditë...

“Bankat në gjithë botën kanë muzeumet e tyre privatë , kanë koleksione dhe koleksionistë të jashtëzakonshëm që krijojnë një potencial shumë të madh ekonomik edhe artistik”, tha ndër të tjera artisti Helidon Haliti.

Këto janë vetëm disa copëza historie, të  nismës “Credins mbështet artin”...

Një nismë që e rrëfen “Credins” si një bankë në krah të qytetarëve, artistëve...si një pikëtakimi për të bukurën e qytetarinë...

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës