Cristiano Ronaldo, një nga legjendat aktuale më të mëdha të futbollit, ka folur hapur për momentin që po afrohet, daljen në pension. Në një intervistë për gazetarin anglez Piers Morgan në YouTube, kampioni portugez pranoi se largimi nga fusha do të jetë një sfidë emocionale për të.

“Dalja në pension? Do të jetë e vështirë, sigurisht. Ndoshta do të qaj, po… por unë jam një person i hapur”, tha Ronaldo.

Ylli i Al Nassr tregoi se e ka përgatitur veten për këtë moment që në moshën 25-27 vjeç dhe beson se do të jetë në gjendje të përballojë presionin që vjen me ndryshimin e karrierës.

Ronaldo theksoi se ndjenja e golit dhe adrenalina e futbollit janë të paarritshme dhe se megjithatë çdo gjë ka një fillim dhe një fund. Ai shtoi se pritshmëria për më shumë kohë me familjen dhe rritjen e fëmijëve do të jetë pjesë e kapitullit të ri të jetës së tij.

Gjithashtu, CR7 shfaqi trishtimin për periudhën e vështirë që po kalon Manchester United, klubin e tij të zemrës dhe theksoi nevojën për një punë të zgjuar për të ndërtuar një të ardhme të ndritur, duke marrë shembull nga klubet që kanë investuar në rinovim të talentëve të rinj.