Conference League zhvilloi të enjten dy ndeshjet e kthimit gjysmëfinale, nga ku u mësua edhe sfida finale e këtij sezoni. Crystal Palace - Rayo Vallecano, kjo do të jetë finalja anglo-spanjolle e këtij turneu e cila do të zhvillohet më 27 maj në stadiumin e Leipzigut në Gjermani.
Crystal Palace fitoi 2-1 kundër Shakhtar Donetsk edhe në ndeshjen e kthimit dhe me rezultatin e përgjithshëm 5-2 merr biletën për në finale. Anglezët kaluan në epërsi me autogolin e Henrique pas 25 minutave lojë, por Eguinaldo barazoi shifrat brenda pjesës së parë. Duhej Ismaila Sarr në minutën e 52-të që me golin e tij 'të vuloste' fitoren 2-1 të Crystal Palace.
Në Francë, vendasit e Strasbourg humbën 0-1 nga Rayo Vallecano. Alemao në minutën e 42-të shënoi golin e fitores për spanjollët që me rezultatin e përgjithshëm 2-0 siguruan finalen. Për Rayon 12 minuta në fund luajti edhe mbrojtësi i Kombëtares, Ivan Balliu.
Kështu, Crystal Palace dhe Rayo Vallecano kanë siguruar të drejtën për t'u përballur në finalen e Conference League.
Komente







