Si në çdo shoqëri, edhe mes nesh ngjarje dhe situata të ndryshme ndezin debat. Kur shprehemi poshtë e lart, në debate televizive, në rrjete sociale apo biseda mes miqsh, duket sikur flasim për të tjerët, shprehemi për të tjerët, por, psikanaliza dhe mençuria botërore kanë dalë në tjetër rezultat. Për shembull, thuhet se mund të shëtisës gjithë Botën në kërkim të bukurive marramendëse, por nëse kjo bukuri nuk është e pranishme brenda nesh, atë nuk e gjen dot në asnjë vend.
Pra, duket sikur shumë prej gjërave që themi, në vend që të flasin për të tjerët, në të vërtetë, flasin për ne që i themi. Nuk bëj përjashtim, sigurisht, as unë në këtë rubrikë
Ja një histori që vjen nga thellësia e kohëve:
Tregojnë se një i huaj një ditë mbërriti në hyrje të një fshati dhe tamam aty pyeti një të moshuar që ishte ulur përdhe: “A janë njerëzit e këtij fshati të sjellshëm dhe miqësorë?” Në vënd që të përgjigjej, plaku i kthehet të huajitpo me një pyetje: “Miku im, si janë njerëzit nga vendi nga ku vjen ti?”. I huaji, i bezdisur, përgjigjet: “Shumë të egër, të mbyllur dhe të padrejtë. Ata më bënë që të largohem. Prej atyre më mbytën hallet. Po pse po më pyet?” I moshuari heshti për pak kohë dhe u përgjigj: “Miku im, më vjen shumë keq, por edhe këtu njerëzit janë njësoj. Do ta shohësh se janë identikë me ata të fshatit tënd”.
Sapo i huaji u largua, plakut i afrohet një tjetër udhëtar dhe e pyeti për të njëjtën gjë: “Ç’lloj njerëzish jetojnë këtu?” “Miku im, - foli i moshuari, - a më trego fillimisht se si janë njerëzit nga vendi që vjen ti?” Duke dëgjuar këtë pyetje i huaji u mbush plot nostalgji e mall dhe tha: “Janë shumë të dashur! E kemi kaluar me të vërtetë shumë mirë të gjithë bashkë. Më vjen keq që jam larg tyre!”. I moshuari i tha: “Mik, edhe këtu njerëzit janë shumë të dashur, shumë të sjellshëm, njësoj si njerëzit në fshatin tënd!”.
Pra, në këto ditë “prokurorësh” dhe “gjykatësish” vullnetarë nëpër rrjetë sociale. Kur vendime e hakmarrje shpallen pa njohur dhe pa ditur shumë, duket se themi vetëm sa kemi brenda për veten më shumë se për të tjerët. Pikërisht këtë duhet të kemi parasysh kur themi diçka.
Komente





