Mungesa e përmbajtjes, fisnikërisë dhe qytetarisë kur dy njerëz që kanë bashkëpunuar nuk bien më dakord me njëri-tjetrin, duket se është një epidemi që po përhapet me shpejtësi të jashtëzakonshme duke helmuar rrezikshëm atmosferën publike shqiptare. E kemi parë në politikë, në gazetari, deri edhe në konflikte private dhe personale. Social mediat janë grumbulluesi më i madh i kësaj atmosfere toksike.

Duket se pakkush mendohet dy herë para se t'i lëshojë e t’i shkruajë fjalët duke shpresuar se e zgjidh hallin apo problemin në këtë formë. Eshtë e sigurtë se asgjë nuk zgjidhet me sharjet, mallkimet, vulgaritetin që përhapet si një energji negative që dihet, do të prekë në mënyrë të pashlyeshme vetëm më të dobëtit. Eshtë e sigurtë se një botë e qytetëruar, pikërisht për të shmangur tensionet që shfaqin nivelet më primitive që mbart në vetvete një qënie njerëzore, shpiku Drejtësinë, për të qenë ajo e aftë të peshojë në bazë të fakteve dhe provave se kush është në anën e të drejtës. Dhe kur Drejtësia flet, edhe nëse flet gabuar (siç edhe ndonjëherë ka ndodhur), kur e thotë fjalën e fundit, shoqëria e qytetëruar e pranon pavarësisht hidhërimit që një vendim i gabuar lë pas.

Mungesa dhe minimi i Drejtësisë në Shqipëri, fatkeqësia më e madhe e jona pas Diktaturës, është një plagë që sa vjen dhe e thellon urrejtjen mes njerëzve edhe në konfliktin më banal që lind mes tyre. Vetëm ringjallja dhe forcimi i saj do të na shpëtojë. Djemtë dhe vajzat që punojnë në të gjitha strukturat e kësaj fjale të madhe (Drejtësisë) kanë një përgjegjësi të jashtëzakonshme për të nxjerrë një popull të tërë nga humnera e urrejtjes së çdo konflikti që lind e që merr (nëpërmjet rrjeteve sociale) përmasa universale. Rruga e vetëgjykimeve e vetëgjyqësive, i përket një bote që nuk ka asnjëherë fitues, por vetëm viktima dhe egërsia brenda llojit, është një luftë që na çon në regres e na shkatërron.