Kukësi i nisi me humbje miqësoret e fazës përgatitore pasi u mposht 2-1 nga Baseksehir-i, por gjithsesi ky 90 minutësh është vlerësuar pozitivisht pasi verilindorët përballë kishin skuadrën e cila aktualisht udhëheq kampionatin turk.
Basaksehir shënoi nga një gol për secilën pjesë para se Çyrbja në minutat e fundit të shkurtonte diferencat dhe të vuloste shifrat përfundimtare në të njëjtën kohë. Pas ndeshjesh trajneri Cungu u shpreh: “Jam i kënaqur me lojën që zhvilluan djemtë, duke pasur parasysh që është një skuadër e vendit të parë në Superligën turke, me diferencë dhe me yje mbarë botërore. Në këto kushte nuk ishte e lehtë. Si prezencë e parë jam i kënaqur, sepse kemi ende gjëra për të përmirësuar.”
Nderkohë autori i golit Çyrbja deklaroi:
“Është kënaqësi t’i shënosh portierit të Kombëtares turke, si edhe ekipit që luajtëm. Ata kanë një skuadër shumë të fortë dhe kanë lojtarë, të cilët i kemi parë vetëm në televizor. Ishte një ndeshje shumë e fort dhe me gjithë humbjen 2-1 mund të themi që rezultati ishte i mirë.”
Përgatitjet në Antalya ndërkohë vijon edhe Partizani. Sot të kuqtë pavarësisht ndeshjes miqësore të përfunduar në barazim 1-1 kundër Sivasporit janë stërvitur me të njëjtin ritëm si ditët e tjera. Paradite ekipi është stërvitur në palestër, ndërsa pazdite ka vijuar puna në fushën e blertë. Nesër Partizani do të zhvillojë testin e dytë miqësor teksa përballë do të ketë Antalyasporin.