Dështon projekti për
muzeun etnografik në MHK

Dështon projekti për<br />muzeun etnografik në MHK
TIRANE - Përgatitjet për çeljen e një muzeu etnografik në Muzeun Historik Kombëtar kanë tre vjet që kanë nisur. Gjatë kohës që afroheshin festat e pavarësisë, në nëntor të 2012-s, një grup restauruesish kanë qenë duke punuar me objektet që do të bëheshin gati për pavijonin. Restauruesja Naxhije Bakalli është shprehur për “Shqiptarja.com” se “Jemi marrë me mirëmbajtjen që do të thotë pastrimi mekanik i objekteve dhe i pikturave.

Kurse në këtë kohë po përgatitemi për pavijonin etnografik duke përfunduar shumicën e tekstileve, siç janë kostumet etnografike, dhe objektet e tjera etnografike. Edhe restauruesja Naxhie Gjonaj thotë se “puna është në vijim. Ne punojmë me detaje me mikroskop, dhe duhet shumë durim të realizosh ngjitjen e elementeve që kanë degraduar”. Të përkulura mbi mikroskop resturaurueset kanë besuar se vërtet një ditë do të ketë një muze etnografik, sepse përgatitjet kanë nisur që nga janari i 2010-s. Një pjesë e këtyre restaurueseve të materialeve etnografike janë kimiste.

Ato tregojnë se po përpiqen që të gjejnë materiale  që të jenë të njëjta ose të afërta me materialin e objektit. “Do të jetë pavijoni i madh. Do të ndahet nga dy pjesë të jetës në fshat dhe në qytet”, shprehet Gjonaj. Pohimin për ngritjen e pavijonit etnografik e ka dhënë edhe vetë drejtori i këtij muzeu, Luan Malltezi, por megjithëse është premtuar, ai thotë se realizimi final varet nga fondet e MInistrisë së Kulturës. Projekti i Muzeut është deklaruar me shumë bujë edhe nga Ministria e Kulturës para disa vitesh, dhe është përsëritur në analizat vjetore të punës së MTKRS.

Pse po zvarritet akoma. Pikërisht në vitin 2011 në objektivat e MTKRS në fushën e trashëgimisë thuhej se veç të tjerave u deklarua nga ish- ministri Bumçi se do jetë në qendër të vëmendjes.  Mirëpo këtë herë në Ministrinë e Kulturës duket se është harruar fare ky projekt, sepse në Drejtorinë e Trashëgimisë kulturore pohojnë se është financuar nga fondi spanjoll nëpërmjet Kombeve të Bashkuara, të cilat  kanë dhënë një kapital prej 400 mijë dollarësh, dhe “ne nuk kemi dijeni më tepër”.

Pavijoni etnografik u tha se do të hapej edhe me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, por asgjë nuk u bë. Pati lajme se do të hapej edhe në pranverën e këtij viti, por ende mungon. Ku kanë shkuar  400 mijë dollarët e fondit spanjoll dhe pse nuk po ngrihet pavijoni. Restauruesi Frederik Stamati që ka restauruar shumë nga objektet që do të vendosen në këtë pavijon, pohon se “Muzeu nuk po bëhet, sepse Ministria e Kulturës bëri një gabim të madh që kur nënshkroi marrëveshjen me PUND.

Ajo nuk e parashikoi fondin për restaurimin e objekteve. Ishte vetë PUND që ndihmoi me fonde për një pjesë të objekteve që duhej të restauroheshin si, tavani i Rulëve, disa kangjella hekuri, etj. MTKRS kur nuk ka para as për MHK, dihej që nuk do të jepte për objektet, por ministria këtë gjë duhet ta kishte përcaktuar në marrëveshjen që u bë. Restaurimi i objekteve ka shumë punë, por me atë që shikoj me pavijonin etnografik duhet ende shumë kohë që të hapet në MHK. Nuk besoj as që do të përfundojë brenda pak muajve”, thotë Frederik Stamati.
 
PROJEKTI NISI KUR ISHTE MINISTËR FERDINANT XHAFERI
 
Në 20 tetor të vitit 2010 me pjesëmarrjen e ish-Ministrit të Kulturës, z. Ferdinand Xhaferaj, u mblodh në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar Komisioni Shtetëror i Muzeve për të vendosur mbi projektin e këtij pavijoni. Ai është parashikuar që të shpalosë rreth 1500 objekte, 1100 prej të cilave i përkasin Institutit të Kulturës Popullore dhe pjesa tjetër do të dalë nga fondet e Muzeut Historik. Ndërkaq që ndërtimi i këtij pavijoni erdhi pas një platforme shkencore që u miratua po nga MTKRS, e cila sot gjendet përballë faktit që në MHK që nga viti 2009 ka filluar të flitet për këtë projekt, dhe sot nw Ministrinë e Kulturës askush nuk thotë diçka të sigurt për këtë projekt.

Veshje etnografike shqiptare

Veshje etnografike shqiptare
(Në foto: Veshje etnografike shqiptare)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 22.08.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'