Në vend se të merren me të dyshuarit për krime të luftës që ia behën në Gjakovë për Festën e Krishtlindjes Ortodokse, policia i rrah, i arreston dy aktivistë të “Vetëvendosjes”. Ç’është më e keqja, i rrah edhe në stacionin e Policisë.

E dinë, apo s’e dinë se përdorimi i forcës fizike në stacionin e policisë paraqet vepër penale dhe për këtë mund të ndëshkohesh deri në 5 vjet burg. Kush po imiton milicinë?

Në emër të ligjit, duke e keqpërdorur ligjin, rrihen qytetarët edhe brenda në stacionin e Policisë.

Kështu u ndodhi të martën (6 janar), në Gjakovë, dy aktivistëve të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Ngadhnjim Haxhosaj dhe Gerold Nikoliqi.

Këtyre aktivistëve, siç thuhet në komunikatën e LVV-së, u dhanë dajak për shkak se kishin ngritur zërin kundër ardhjes së personave të dyshimtë për krime të luftës, ndër ta edhe të ish-kryetarit të KK të Gjakovës, Gjokica Stanojeviçit, për kremtimin e Festës së Krishtlindjes Ortodokse.

I rrahën në vendin e ngjarjes, por edhe në stacionin policor në Gjakovë.

Jo rastësisht nuk thuhet: Krimineli kthehet në vendin e krimit.

Policia në vend se të merret me të dyshuarit për krime të luftës, merret me ata që janë kundër tyre!

Policia nuk i ka parë të dyshuarit për krime të luftës dhe bënë politikë që t’u hynë në hatër shefave të tyre se po bëjnë punë të madhe në arrestimin e “delikuentëve”.

Apo, ndoshta, u  ka fryrë dikush në vesh sipas asaj: “Ndreqini” mirë këta të “Vetëvendosjes”, se po naj prishin politikën… Shihe ti, “po naj prishin politikën”!

Nuk është hera e parë kur Policia jonë i rrah qytetarët e vet edhe në stacionin e Policisë.

Kësisoj kanë vepruar edhe me gazetarët dhe personat e tjerë.

Dhe ky veprim, sipas tyre, del të jetë në “suazat e normales”.

Ndaj keqbërësve, shkelësve të ligjit, sot e asaj dite nuk janë ndërmarrë masat ligjore.

Kjo i bie: Policia nuk e jep njeriun e vet përse e ka rrahur ndokënd brenda stacionit të Policisë.

Sikur po vazhdon kënga e vjetër.

Ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni, nuk di se ç’po ngjet me “robt e shpisë”, ndoshta edhe mund të arsyetohet: Unë frik e kam marrë postin e ministrit…

Por, kjo nuk i falet drejtorit të Policisë së Kosovës, Shpend Magjunit, dhe shefave të tjerë që lejojnë përdorimin e dhunës në stacionin e Policisë.

Edhe në shtetet më demokratike, në SHBA, Francë, Gjermani…, nëse ndokush i kthen dorë policit, atë e bëjnë për kripë e qepë, por në stacionin e Policisë nuk e “prekin” as me gisht të vogël, ngase i frikësohet ligjit.

Ka përjashtime, por pastaj me keqbërësit merret gjyqi.

Kur është fjala për naivitetin e Policisë publicisti gjerman Hans Habe në librin e tij “Zotërinj porotë” e përdor një shprehje frënge: “Bande d’idiots”.

Askush s’mund të arsyetohet për mosnjohje të ligjit. Ligji të godet dhe ti i thua vetës: Isha në ëndërr, apo zhgjëndërr.

Detyrë e Policisë s’është të bëjë politikë, t’u hyjë në hatër krerëve të politikës, apo shefave të shefave, por t’i përmbahet ligjit.

Ligji është ligj, vepron “erga omnes”, ai duhet zbatuar përpikërisht.

Nëse s’e bën këtë, shkel ligjin, të kap paragrafi…

Te ne nuk i frikësohen ligjit, klientët i rrahin aty ku s’duhet!

Për këso “cikërrima” askush deri më tash nuk është ndëshkuar penalisht.

Dikur në kohën e komunizmit, qytetarët i shtinin “në fallak”, milicia u jepte dajak deri sa ta pranonin ndonjë faj që u vishej.

I rrihnin edhe xheparoshët, u thoshin: “A vjedh ma…”.

Nëse dikush ka bërë faj me të merret ligji, ligji “e rrah”, por assesi, në asnjë mënyrë nuk përdoret ndaj tij forca fizike në stacionin e Policisë.

Njeriu s’është leckë, paçavure që me të të sillesh si të duash.

Dihet kur polici e përdor dhunën ndaj atij që nuk zbaton urdhrat.

Por, nëse ai e përdor dhunën në stacionin e Policisë nuk ka kryer detyrën, por ka bërë krim.

Liritë dhe të drejtat e njeriut janë të sanksionuara jo vetëm me Kushtetutë, por edhe me Kodin Penal të Kosovës (hyri në fuqi në janar të 2013-s).

Në kreun XVII të këtij Kodi janë paraparë veprat penale kundër lirive dhe të drejtave të njeriut.

Një nga veprat penale është edhe marrja e deklaratave me anë të shtrëngimit.

Në nenin 197 të këtij Kodi thuhet: Personi zyrtar, i cili duke keqpërdorur detyrën apo autorizimet e tij, e përdor forcën apo kanosjen serioze, ose mjete apo mënyra të tjera të ndaluara me qëllim të detyrimit të të dyshuarit, të pandehurit, dëshmitarit, ekspertit apo personit tjetër për të dhënë ndonjë deklaratë, dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në pesë (5) vjet.

E dinë, apo s’e dinë personat zyrtarë të Policisë se përdorimi i forcës fizike ndaj të dyshuarit është rreptësisht e ndaluar dhe një veprim i tillë paraqet vepër penale.

Imitimi i milicisë është një virus i së kaluarës, imazh i keq për shtetin tonë.

Policët e rinj s’bën të bien në grackat e kolegëve të tyre, që ia grahin “me të moçmen”.

E këta të fundit, që punuan në kohën e komunizmit vështirë e kanë të mbushen mend.

U ka mbetur ves t’i rrahin “pacientët” e tyre edhe në stacionin e Policisë.

Jo më kot nuk thuhet: Çka piqet, vështirë hiqet.
Andaj, mos imitoni milicinë!