TIRANE - Pas tre seancave në Gjykatën Penale të Tiranës ish guvernatori i Bankës së Shqipërisë Adrian Fullani fiton pafajësinë.  Ai u akuzua nga Prokuroria e Tiranës për shpërdorim detyre ne lidhje me tenderin 30 milion euro të blerjes së hotel Dajtit dhe vjedhjen e 713 milion lekëve nga thesari i Bankës së Shqipërisë. Vendimi i pafajësisë u dha nga gjyqtari Artan Gjermeni i cili rrëzoi kërkesën e prokurorit Ndini Tavani për të dënuar Fullanin me 5 vite burg, konvertuar me 3.2 vite pas gjykimit të shkurtuar.

....
Në seancën e pretencës këtë të hënë në Gjykatën e Tiranës, organi i akuzës argumentoi se Fullani nuk ka zbatuar vendimet e Këshillit Mbikëqyrës, duke i lënë terren të hapur vjedhjes së parave nga thesari i shtetit, vepër për të cilën është dënuar Ardian Bitraj, - ish-ërpërgjegjësi i arkës stok dhe kolegia e tij Mimoza Bruzia. 

Ndërkohë në lidhje me akuzën e dytë që rëndon ndaj Fullanit, Prokuroria e Tiranës tha se tenderi për blerjen e Hotel Dajtit 30 milionë euro, ishte formal, pasi u bë pasi hoteli ishte blerë. Prokuroria kërkoi 5 vite burg për ish-kreun e Bankës së Shqipërisë, por ky dënim u ul me 1/3 pasi Ardian Fullani ka kërkuar gjykim të shkurtuar. 

Kanë mjaftuar vetëm tre seanca për të mbyllur gjykimin në shkallën e Parë kundër Fullanit. Ish-kreu i BSH-së nuk ka qenë i pranishëmnë asnjë nga tre seancat, në seancën e parë u pranua gjykimi i shkurtuar, seanca e dytë u shty për shkak të mungesës së prokurorit dhe e treta vulosi vendimin e pafajësisë ndaj tij. 

Por si përfundoi nën akuzë ish-Guvernatori Fullani?
Mbrëmjen e 5 shtatorit të një viti më parë, teksa dilte nga selia e tij Adrian Fullani u prangos nga policia e Tiranës.

Asokohe i i tij u lidh me skandalin e thesarit ku u vodhën 713 milion lekë. Për të njëjtën vjedhje prokuroria arrestoi dhe 12 vartës të Fullanit ku në përfundim të gjykimit vjedhja u atribuua Ardian Bitrajt e Mimoza Bruzia.

Por pa kaluar shumë ditë nga arresti i një viti më parë, më 15 shtator 2014 ish guvernatori fitoi lirinë nga gjykata e apelit dhe u hetua në gjendje të lirë.

Prokuroria e Tiranës e cila kishte një kallëzim nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për tenderin e blerjes së hotel ‘Dajtit” për llogari të bankës, intensifikoi hetimet dhe më 4 gusht të 2015 ngriti akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Sipas prokurorisë Fullani ishte përgjegjës pasi me veprime e mosveprime krijoi kushtet për vjedhjen e thesarit nga Ardian Bitraj e Mimoza Bruzia si dhe përgjegjës për procedurat antiligjore të tenderit të blerjes së hotel Dajtit në vlerën e 30 milion eurove për llogari të bankës.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)