Ndalesa e radhës e kandidatit të Aleancës për Shqipërinë Evropiane në Durrës Vangjush Dako ka vizituar një biznes mobilerie që operon në zonën e Shkozetit. Në fjalën e tij kryebashkiaku Vangjush Dako ka bërë një prezantim të shkurtër të punës që është bërë në bashkinë e Durrësit, sidomos gjatë vitit të fundit. Dako e ka cilësuar bilancin në fund të tetë viteve një bilanc pozitiv, duke ftuar qytetarët që të gjykojnë pikërisht në këtë këndvshtrim, për të parë se çfarë është bërë në gjithë qytetin.
 
“Ne po mendojmë në këtë fazë ku jemi për një zhvillim të ri ekonomik, -tha Dako para punonjësve , -në mënyrë që të hapim vende të reja pune, të ulim varfërinë dhe të rrisim nivelin e mirëqënies për familjet tona”. Dako ka deklaruar se vitin e fundit kanë ndodhur transformime të mëdha në qytet, duke nisur nga mbikalimi i Plepave për të vazhduar me rrugën e Plazhit, mbikalimin te Ura e Dajlanit, rrugën paralel me murin e portit, ndërtimin e Sfinksit në fund të shëtitores “Taulantia”, rrugën e Vilës dhe sheshin para bashkisë.
 
vangjush dako

“Këto janë investime të rëndësishme që bëhen një herë në 50 vjet, por që do të jenë përgjithmonë të qytetit të Durrësit, tha më tej Dako. Kthehuni pak pas në kohë dhe mendoni për një çast se si ishte Durrësi në atë kohë, është një ndryshim shumë i madh, të cilin ne jemi të gatshëm ta vazhdojmë më tej me një dimension të ri për të projektuar Durrësin e vitit 2030”
, -tha ai.
 
Kryebashkiaku Dako ka bërë të ditur se gjatë mandatit të ardhshëm do të ndërtohen 14 shkolla të reja, ndërsa në vjeshtën e këtij viti nis investimi për ujësjellësin e ri të qytetit, falë të cilit cdo familje do të ketë tre herë më shumë ujë sesa ka sot. “Kemi ndërhyrë në përmirësimin e infrastrukturës nga Spitalla në Plepa, kemi bërë ndërhyrje të rëndëssihme në Durrësin e Ri, ku kemi ndërtuar 10 rrugë të reja me parametra bashkëkohorë. Këtë gjë do ta vazhdojmë ta bëjmë kund, në të gjithë territorin e bashkisë së re për të aplikuar modelin tonë të zhvillimit edhe në Rrashbull, Sukth, Katundin e Ri, Manëz dhe Ishëm”, përfundoi Vangjush Dako.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)