Tenderi i konsulencës ishte shpallur fillimisht më 12 tetor të këtij viti, por u shty për në datën 30 tetor, për shkak të mosparaqitjes së asnjë oferte. Pas një shtyrjeje tjetër, gara, sipas burimeve të ministrisë, ka përfunduar më 23 nëntor, por në Buletinin e radhës të Agjencisë së Prokurimit Publik nuk publikohet asnjë fitues i këtij tenderi.
Ajo çka vihet re menjëherë është tendenca e përsëritur e qeverisë për të privatizuar shërbime, që zakonisht kryhen nga shteti. Është e vërtetë që konsulentë të jashtëm ministria ka marrë edhe më parë, si psh nga qeveria Berisha në rastin e shpalljes së eurobondit. Këtu ishte fjala për një dalje në tregjet financiare ndërkombëtare, që administrata shqiptare nuk e kishte njohur asnjëherë më parë. Por tani, deri vonë konsulent i qeverisë ishte Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili, jo vetëm që nuk paguhej për shërbimin e konsulencës, por madje dha edhe kredi me terma të buta me vlerë 330 milionë euro në tre vjet për Shqipërinë. Qeveria e quajti të udhës mos ta rinovojë marrëveshjen 3-vjeçare më FMN-në, por ndërkohë vendos të pajtojë edhe një konsulent me pagesë. Kjo ngarkon taksapaguesit me një kosto shtesë, që administrata duhej ta përballonte vetë.
Përpjekja aktuale të kujton edhe një rast të mëparshëm, kur pati një tentativë për dhënien me koncesion të shërbimit të mbledhjes së TVSH-së një privati, gjë që u kundërshtua me forcë nga FMN-ja, si shpenzim jo efektiv dhe dublim i punës së qeverisë.
Por, në këtë mënyrë, super-ministria e Financave dhe Ekonomisë ka pranuar edhe vështirësinë që tashmë ka për të kontrolluar me burimet e saj borxhin publik dhe bilancet buxhetore. Këto të fundit kanë kaluar në fund të tetorit, nga suficit, në deficit. Ndërkohë që borxhi publik ka shkuar, nga 66.82% e Prodhimit të Brendshëm në fund të 6-mujorit, në 69.11% të PBB-së në fund të muajit shtator, kryesisht si pasojë e shpenzimeve që u bënë me nxitim në fushatën elektorale.
Koncesionet
Në këtë mënyrë, qeveria mendon të shtojë edhe një koncesion tjetër në listën e shërbimeve që kalojnë tek privati. Por edhe vetë borxhi publik, që mendohet të menaxhohet kështu më mirë, është rritur dhe do të vijojë të rritet më tej gjatë vitit të ardhshëm, pasi koncesionet me Partneritet Publik Privat po rëndojnë faturën, që duhettë shlyhet nga taksapaguesit shqiptarë.
Për vitin 2018, sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave, do të bëhen 9.4 miliardë lekë pagesa për koncesionet, ose 70 milionë euro. Kjo shumë është 30 për qind më e lartë se këtë vit, kur fatura e koncesioneve në shpenzimet buxhetore llogaritet me 7.1 miliardë lekë. Këtë vit financohen 12 koncesione, nga 8 që ishin llogaritur për financim. Koncesionet e reja janë ndërtimi i Rrugës së Arbrit, koncesioni i mirëmbajtjes në Rrugën e Kombit, Ndërtimi i Inceneratorit të Tiranës dhe ndërtimi i shkollave në Bashkinë e Tiranës.
Ndërkombëtarët
Ndonëse kanë qenë të parët që kanë propozuar pranë qeverive shqiptare përdorimin e fondeve të privatëve për shërbime apo investime që mund të lehtësojnë buxhetin, ndërkombëtarët, duke parë revanin e qeverisë për të kaluar shumë shërbime me koncesion, tani po mundohen të frenojnë tendencën.
“Jo çdo investim mund të bëhet me koncesion. Disa duhet të jenë në mënyrë strikte investime të qeverisë, disa të tjera private. Por të gjitha duhet të shihen në kontekstin e një strategjie kombëtare, theksoi pak ditë më parë shefja e Bankës Botërore për Shqipërinë. Qeveria duhet të shohë cili projekt ka leverdi dhe gjithashtu duhet të mendojë për disa faktorë kur miraton një PPP: transparencën, kërkesën e llogarisë, duhet të shohë pasojat fiskale, sepse në fund të fundit ato do të paguhen nga taksapaguesit dhe kjo do të sjellë pasoja tek borxhi. Pra, e rëndësishme është që ai borxh ose ai investim të sjellë përfitime”, deklaroi Maryam Salim.
Ndërkohë, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka kërkuar qeverisë të regjistrojë si borxh detyrimet që rrjedhin nga koncesionet sipas praktikave që ndiqen në vendet e Bashkimit Europian. “Plani ambicioz i qeverisë për PPP-të ngre rreziqe substanciale. Në kundërshtim me praktikat aktuale, efektet e koncesioneve në llogaritë fiskale dhe borxhin publik duhet të pasqyrohen në mënyrë transparente dhe sipas praktikave ndërkombëtare”, vërejti FMN.
Fondi nuk është kundër koncesioneve, por ka shprehur shqetësim për mënyrën se si po jepen kontratat koncesionare. Dy vitet e shkuara, me këmbënguljen e saj, qeveria forcoi kuadrin ligjor për koncesionet, duke përcaktuar qartë hapat se si përzgjidhen dhe vlerësohen projektet. Por, sipas Fondit, ky kuadër nuk po zbatohet plotësisht, duke rritur rreziqet për financat e shtetit. Sipas FMN kjo rrezikon të krijojë detyrime per buxhetin e shtetit në të ardhmen dhe përveçse do të ngushtojë hapësirën për investimet publike mund të vendosë në rrezik uljen e borxhit. Sipas vlerësimeve të FMN, nëse do regjistroheshin tërësisht, kontratat aktuale të koncesionit do e rrisnin borxhin publik me 7 pikë përqindje nga niveli aktual.
Tenderi aktual i Financave nuk ka të bëjë me ndonjë shifër shumë të lartë shpenzimesh buxhetore. Por problemi që shtrohet në këtë rast ka të bëjë me atë që një shërbim normal i administratës fiskale po tentohet t’u jepet privatëve që, nga ana tjetër, nuk po duket qartë se cilët janë dhe kush fshihet pas tyre. Në vitet e mandatit të parë qeverisës, kjo qeveri pajtoi gjithashtu një grup jo të vogël konsulentësh doganorë, që nuk arritën çka premtuan (rritje me 1% të PBB-së në të ardhurat fiskale), morën pagesën nga shteti shqiptar dhe nuk rinovuan më kontratën.

Njoftimi per proceduren e tenderit
dy.b/shqiptarja.com

VIDEO










