Ulja e ish-demokratit Dashnor Sula krah Edi Ramës sot në takimin me inspektorët e vendit, ka nxehur jo pak kreun e PD, Sali Berisha, i cili sulmoi kryeministrin përse e mori Sulën në radhët e tij.

Në konferencën për media, Berisha thotë se Ramës i mbyllën dyert në Mynih në konferencën vjetore për sigurinë në botë dhe se “përfundoi duke u puthur me Milon”, pra me Dash Sulën.

“Ekziston shprehja popullore, puthu me Milon, por sot kjo është, puthu me Dashin. Edi Rama sot që kishte prenotuar hotele, salltanete dhe bëhej gati komunikata të parafabrikuara të na dërgonte nga konferenca më e rëndësishme vjetore e sigurisë në botë, që është Konferenca e Mynihut, nuk shkoi dot. Ai dhe ekipi i tij nuk u nis dot për Mynih, e anuloi. Batoni me një pjesë të ekipit është në Mynih duke e pritur, por Rama, thashë edhe njëherë, ajo që thotë populli puthu me Milon, u bë sot e vërtetë, puthu me Dash Sulën”, tha Berisha.

Ndërkohë Dashnor Sula sot, falënderoi kryeministrin Edi Rama për vlerësimin, ndërsa tha se partia e tij e hodhi në rrugë pasi i shërbeu për 20 vite me radhë.

Kreu i PD nuk heq dorë nga aktet e dhunës nëpër protesta duke u fshehur pas thënies “Jemi për protesta paqësore”. Për të mbuluar përdorimin e të miturve për akte dhune, hedhjen e molotovëve në mes të efektivëve të policisë dhe duke shkatërruar godinat e shtetit, Berisha “bërtet me të madhe” për ta bërë sa më reale skenarin e tij imagjinar se 4 protestues janë qëlluar me plumba gome.

“Ne tmerrojmë. Ju e patë se ç’bëri Edi Rama, në pabesi dhe krim absolut, qëlloi protestuesit në kokë. Tre plumba. Ilir Tushi, Demë Dollapi, Luan Lleshi dhe një zonjë. Ajo në krah, këta të tre në kokë.  Që të tre ata mund të mos ishin sot. Ai do me çdo kusht gjak, ne nuk i përgjigjemi”, tha Berisha.