Dashamir Shehi: Jo improvizime
nga opozita, por koordinim

Dashamir Shehi: Jo improvizime<br />nga opozita, por koordinim
Kryetari i LZHK, deputeti Dashamir Shehi në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” është shprehur se kryeministri Rama e provokoi opozitën ndaj braktisi Kuvendin. Ai kritikoi veprimin spontan të daljes nga salla, duke e cilësuar si improvizim dhe duke kërkuar që të veprohet me vendim, që të ketë unifikim të qëndrimeve brenda opozitës së djathtë.

Ndërkohë që Shehi thotë se braktisja e sallës do të ndodhë sërish nëse mazhoranca provokon, duke qënë njëherësh dakord dhe me qëndrimin e kryetarit të PD Lulzim Basha për të bërë opozitë dhe jashtë Kuvendit. Sipas deputetit të djathtë, politika nuk bëhet vetëm në parlament por dhe në rrugë, duke u shprehur pro qëndrimit të liderit të ri të PD për protesta kundër mazhorancës së re.
 
Në seancën e ditës së mërkurë deputetët e opozitës braktisën sallën e Kuvendit teksa kryeministri Edi Rama po prezantonte programin qeverisës. Mendoni ta aplikoni sërish këtë strategji?

Qëllimi ynë si opozitë, madje detyra jonë si opozitë është që të jemi në Kuvend për të bërë detyrën, me aq sa kemi mundësi. Në rastin konkret për të diskutuar dhe debatuar për programin qeverisës. Ne nuk kemi si qëllim të braktisim seancën e Kuvendit, por kjo nuk do të thotë se do qëndrojmë pa reaguar nëse opozita cënohet në të drejtën e saj, në sallën e Kuvendit. Prandaj gjithçka do të shikohet rast pas rasti dhe nëse do të ketë ndonjë situatë të tillë, si ajo që u paraqit në seancën e kaluar, atëherë pse jo, opozita do ta braktisë sërish sallën e Kuvendit.
 
Por në seancën e kaluar, reagimi erdhi pas thirrjes së ish-kreut të qeverisë dhe të PD, Berisha...Pasi kishte dhe kundër....?

Unë jam i bindur se të gjithë deputetët e PD dhe të opozitës janë për veprim politik opozitar ndaj kësaj mazhorance. Të gjithë kërkojnë veprim, është në tagrin e çdo opozite një gjë e tillë. Por ajo që mund të them unë është se, nëse do të kemi një veprim të fortë politik brenda sallës së Kuvendit, deri në braktisje të seancës, atëherë duhet që mbështetet mbi një vendim, në mënyrë që të jetë një veprim opozitar i unifikuar e një opozitë homogjene, me një qëndrim të vetëm. Asnjëherë nuk duhet të bëjmë veprime spontane dhe as improvizime, por duhet të mbështetemi mbi një vendim politik të marrë më parë.
 
Meqënëse jemi tek programi i qeverisë së re të drejtuar nga Rama dhe nesër(sot) është debati në Kuvend, si e vlerësoni atë...?

Programi qeverisës i paraqitur në Kuvend sigurisht që ishte një tentativë për t’i vënë kohët e propagandës elektorale me qeverisjen e vendit njëra pas tjetrës, dhe për të garantuar lidhjen mes tyre. Por tjetër është propaganda elektorale dhe tjetër është një program qeverisës që prezantohet në Kuvend. Ato janë gjëra që nuk puçen dhe në këtë këndvështrim unë them se duhej të kishte qënë serioze qeveria në paraqitjen e këtij programi, për ta shkëputur përfundimisht vijimësinë e propagandës elektorale dhe në programin qeverisës.

Ky program qeverisës për mendimin tim është i parealizueshëm. Do të na pëlqente që të ishte i realizueshëm, por për fat të keq nuk jepet asnjë element bazë që ta bëjë atë të tillë. Kështu nuk ka asnjë lloj fature financiare, nuk ka burimet financiare mbi të cilat do mbështetej realizimi i tij, por dhe nuk është as fuqia ekonomike që ta mbështesë këtë program qeverisës. Prandaj them është një program i parealizueshëm dhe i pa shkëputur nga inercia elektorale. Nuk ka as datë, as shifër fature financiare dhe as një afat për realizimin e tij.

Prandaj prezantimi i programit qeverisës në Kuvend seancën e kaluar ishte më tepër si një ligjëratë propagandistike elektorale, mjaft i bukur për t’u dëgjuar por duke mos pasur asnjë referencë financiare për ta mbështetur dhe asnjë afat kohor për realizimin e tij, ai është i parealizueshëm.
 
Do të bëhet opozitë vetëm duke dalë nga salla e Kuvendit apo do reagohet për të gjitha çështjet që paraqiten brenda seancës...?

Opozita nuk mund të gjykohet për punën e saj deri më tani, pasi tani ka filluar sesioni parlamentar. Për më tepër që tani fillon dhe qeverisja e vendit nga mazhoranca e re dhe pikërisht kësaj mazhorance do t’i bëjmë opozitë. Gjykoj që kjo opozitë do të jetë shumë kualitative dhe do të jetë në lartësinë e detyrës së saj në të gjitha rastet. Sigurisht që opozita aktuale, ashtu si çdo opozitë tjetër nuk i ka numrat për të demonstruar forcën në Kuvend, nuk është ajo që mund të diktojë përmes numrave, por do të bëjë punën e saj përmes potencialeve që ka në parlament.

Kjo opozitë ka deputetë kualitativë dhe me potenciale, ka deputetë që kanë qënë në qeveri në këto tetë vite dhe kanë mundësinë e të bërit opozitë profesionale dhe të bazuar në argumente të forta. Pra gjykojmë se opozita e re do të jetë shumë profesionale, dhe e qartë në bërjen opozitë, përballë kësaj mazhorance të re.
 
Kryetari i ri i PD ka deklaruar se nëse provokimet e mazhorancës së re ndaj opozitës së djathtë do të përsëriten, atëherë do ketë reagime të forta deri në protesta në sheshe. Ju e mbështesni një opozitarizëm të tillë të fortë...?

Unë mendoj se janë normale edhe protestat e opozitës, nëse ka cënim nga ana e mazhorancës të së drejtës së saj. Protestat janë pjesë e politikës dhe politika nuk bëhet vetëm në sallën e parlamentit. Politika është një bashkësi më e madhe, pasi bëhet në parlament, në media, në salla të mbyllura, në sheshe, në protesta duke përfshirë gjithë elementët opozitarë.

Përfshin me pak fjalë një gamë të gjërë veprimesh, kuptohet demokratike dhe mbi baza ligjore, për të arritur qëllimin politik final. Kryetari i ri i PD Lulzim Basha do të shfrytëzojë të gjitha armët politike në fushëbetejë, për të bërë opozitë dhe për të përgatitur rrugën për të ardhur sërish në pushtet. Edhe Edi Rama, kryetari i qeverisë së re sa ishte në opozitë qëndroi dy vjet në çadra, në protesta përballë kryeministrisë deri në arritjen e qëllimit të tij final, ardhjen në pushtet.

Pra politika bëhet kudo dhe tërë liderët politikë përdorin të gjitha mjetet demokratike për të ardhur në pushtet. Ajo i ka të gjitha rregullat e duhura për të vepruar. Ne numrat në Kuvend nuk i kemi, kështu që do të veprojmë rast pas rasti për të evidentuar veprimin opozitar. Basha ka thënë diçka me mend kur ka deklaruar se do të ketë reagim ndaj provokimeve të mazhorancës duke filluar nga Kuvendi, në rrugë dhe përmes protestave. Eshtë pjesë e të bërit opozitë kjo dhe unë jam në mbështetje të këtij qëndrimi, por s’duhet të jetë improvizim.
 
“Ajo që mund të them unë është se, nëse do të kemi një veprim të fortë politik brenda sallës së Kuvendit, deri në braktisje të seancës, atëherë duhet që mbështetet mbi një vendim, në mënyrë që të jetë një veprim opozitar i unifikuar e një opozitë homogjene, me një qëndrim të vetëm”.


Shkrimi u publikua sot(14.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com(print)
(v.gj/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Nxirrnin gurë dekorativë nga mali i Tomorrit, 3 të arrestuar dhe 5 në kërkim

Nxirrnin gurë dekorativë nga mali i Tomorrit, 3 të arrestuar dhe 5 në kërkim