DASH-i kërkon lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës që po mbahen në Serbi

DASH-i kërkon lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës që po mbahen në Serbi

Departamenti amerikan i Shtetit, i bëri thirrje të shtunën presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe qeverisë së tij që “që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor”.

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, DASH-i tha se “arrestimi dhe ndalimi i tyre me akuza të rreme, ka përkeqësuar një situatë tashmë të tensionuar”.

Të premten një gjykatë në Serbi urdhëroi mbajtjen në paraburgim dhe hetimin e tre policëve të Kosovës, nën akuzat për “prodhim, posedim, mbajtje dhe trafik të paautorizuar të armëve dhe lëndëve shpërthyese".

Autoritetet në Prishtinë thanë se policët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës duke e akuzuar Serbinë për “cenim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore” të Kosovës. Beogradi thotë ndërkaq se policët janë kapur brenda territorit të Serbisë.

Departamenti i Shtetit u bëri thirrje të shtunën Serbisë dhe Kosovës që të ndjekin planin trepikësh të Bashkimit Evropian për uljen e tensioneve dhe t’i “të kthehen pa vonesë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

Me 1 qershor Bashkimi Evropian u kërkoi Kosovës dhe Serbisë organizimin sa më parë të zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, pjesëmarrjen e qartë të partive serbe në ato zgjedhje dhe zgjidhje të shpejtë të çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Tensionet janë të larta në veri të Kosovës që nga 26 maji prej kur grupe qytetarësh serbë po protestojnë duke kundërshtuar vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe. Të hënën e 29 majit protestat u përshkuan me dhunë nga e cila mbetën të plagosur 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të NATO-s nga përleshjet me protestuesit serbë.

Diplomatët amerikanë dhe evropianë kanë kërkuar që Kosova të largojë menjëherë njësitë e posaçme të policisë si dhe kryetarët e komunave nga zyrat në veri, ndërsa Serbisë të ushtrojë ndikimin e saj për largimin e protestuesve dhe për të siguruar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e reja të mundshme atje.


Lajmi kryesor:

DASH kërkon lirimin e 3 policëve të Kosovës që po mbahen në Serbi: Po përkeqëson situatën! Një tjetër i arrestuar për dhunën ndaj gazetarëve në veri


M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Namir Lapardhaja: Zgjedhja e drejtuesit të SPAK nga populli, hapi i nevojshëm për pavarësinë e vërtetë të drejtësisë

Namir Lapardhaja: Zgjedhja e drejtuesit të SPAK nga populli, hapi i nevojshëm për pavarësinë e vërtetë të drejtësisë