DASH kërkon lirimin e 3 policëve të Kosovës që po mbahen në Serbi: Po përkeqëson situatën! Një tjetër i arrestuar për dhunën ndaj gazetarëve në veri

KOSOVË- Departamenti Amerikan i Shtetit, i ka bërë thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe qeverisë së tij që “që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor”.

DASH tha për Zërin e Amerikës se “arrestimi dhe ndalimi i tyre me akuza të rreme, ka përkeqësuar një situatë tashmë të tensionuar”.

Si kryeministri i Albin Kurti, as presidenti Aleskandër Vuçiç ende nuk kanë thënë ‘Po’ për takimin e caktuar nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell javën e ardhshme në Bruksel.

'Nuk kam vendosur ende, por do ta njoftoj me kohë zotin Borrell, sepse nuk na ka ftuar për sonte, por javën e ardhshme”, theksoi dje kryeministri Albin Kurti  në forumin e Prespës mbajtur në Maqedoninë e Veriut. Për Vuçiç foli drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç në një konferencë për media, duke akuzuar Kurtin se nuk po jep hapësira për bisedime.

Ndërkohë një tjetër person është arrestuar nga policia në Kosovë për dhunën e ushtruar një ditë më parë ndaj gazetarëve në veri të vendit. Ministri i Brendshëm Xhelal Svelça u shpreh se bëhet fjalë për Dalibor Spasiç. Një ditë më parë më (16 qershor) u arrestuar Nemanja Vllashkoviç në Leposaviç, po për për sulmin ndaj gazetarëve.

Ftesa të enjten
Të enjten e 15 qershorit 2023 Borrell deklaroi se kishte ftuar një takim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për javën e ardhshme për ta menaxhuar krizën në veri, e cila u tensionua edhe më shumë pas rrëmbimit të tre policëve kufitarë të Kosovës nga ana e Njësisë Speciale të Policisë së Serbisë.

Veriu s'gjen qetësi
Veriu i Kosovës nuk ka gjetur qetësinë as në natën e kaluar, shkruajnë mediat e Kosovës. Dy shok-bomba janë hedhur në pjesën e Mitrovicës së veriut dhe sipas zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani, njëra është hedhur afër stacionit policor dhe tjetra afër një shkolle teknike. Njerëz me maska hodhën gurë mbi ta dhe rrahën fizikisht 9 gazetarë e operatorë. 

Ndërkohë sot drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç duke folur gjuhën e Vuçiçit tha se shtensionimi i situatës, nuk është e tëra në dorën e Serbisë dhe ftoi ndërkombëtarët që “ta ndalojnë kryeministrin Albin Kurti. Edhe këtë të shtunë, (17 qershor 2023) kamionët me mallra serbë vazhdojnë të presin në doganë për të hyrë në Serbi.

Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë. Ato kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe dhjetëra persona nga të dyja palët u plagosën.

Më 13 qershor, policia e Kosovës, kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviç, si i dyshuar një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.  Një ditë më pas, 14 qershor Serbia rrëmbeu tre policët e Kosovës. Qeveria e Kosovës thotë se policët u rrëmbyen në territorin kosovar, ndërkohë Serbia i akuzon për trafik armësh dhe i la në paraburgim, megjithë thirrjet e SHBA, Britanisë dhe Gjermanisë për t'i liruar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:34
‘Më në fund’, përfaqësuesja e Kosovës në PE reagon pasi DASH i kërkon Vuçiçit t’i lirojë 3 policët

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka reaguar shkurtimisht pas komunikatës për media të lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit në të cilën bëhet thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve, meqë SHBA konstaton se vazhdimi i mbajtjes së tyre është bërë nën akuza të rreme dhe pa bazë ligjore.

“Më në fund”, ka shkruar von Cramon në profilin e saj, duke shpërndarë komunikatën e DASH-it.

 

Ora 20:08
DASH-i kërkon lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës që po mbahen në Serbi

Departamenti amerikan i Shtetit, i bëri thirrje të shtunën presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe qeverisë së tij që “që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor”.

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, DASH-i tha se “arrestimi dhe ndalimi i tyre me akuza të rreme, ka përkeqësuar një situatë tashmë të tensionuar”.

Të premten një gjykatë në Serbi urdhëroi mbajtjen në paraburgim dhe hetimin e tre policëve të Kosovës, nën akuzat për “prodhim, posedim, mbajtje dhe trafik të paautorizuar të armëve dhe lëndëve shpërthyese".

Autoritetet në Prishtinë thanë se policët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës duke e akuzuar Serbinë për “cenim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore” të Kosovës. Beogradi thotë ndërkaq se policët janë kapur brenda territorit të Serbisë.

Departamenti i Shtetit u bëri thirrje të shtunën Serbisë dhe Kosovës që të ndjekin planin trepikësh të Bashkimit Evropian për uljen e tensioneve dhe t’i “të kthehen pa vonesë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

Me 1 qershor Bashkimi Evropian u kërkoi Kosovës dhe Serbisë organizimin sa më parë të zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, pjesëmarrjen e qartë të partive serbe në ato zgjedhje dhe zgjidhje të shpejtë të çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Tensionet janë të larta në veri të Kosovës që nga 26 maji prej kur grupe qytetarësh serbë po protestojnë duke kundërshtuar vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe. Të hënën e 29 majit protestat u përshkuan me dhunë nga e cila mbetën të plagosur 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të NATO-s nga përleshjet me protestuesit serbë.

Diplomatët amerikanë dhe evropianë kanë kërkuar që Kosova të largojë menjëherë njësitë e posaçme të policisë si dhe kryetarët e komunave nga zyrat në veri, ndërsa Serbisë të ushtrojë ndikimin e saj për largimin e protestuesve dhe për të siguruar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e reja të mundshme atje.

Ora 17:36
Sulmi ndaj gazetarve në veri të Kosovës, policia arreston një tjetër të dyshuar

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se sot është arrestuar nga Policia e Kosovës në Jarinje edhe një sulmues i gazetarëve në veri, krimineli Dalibor Spasic.

“Përgëzoj njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës për efikasitetin dhe punën e vazhdueshme me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës së Kosovës. Në vendin tonë demokratik aktet kriminale nuk kalojnë pa pasoja. Këtë duhet ta dinë edhe ata për të cilët nuk ka pasur pasoja ligjore për gjithë këto vite. Republika nuk zmbrapset përballë kriminelëve e milicisë fashiste”, ka shkruar Sveçla.

Ora 17:04
Serbia mohon se po keqtrajton tre policët e Kosovës

1686902826_finalprojekt.00441218.Still043.jpg

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, ka mohuar akuzat e autoriteteve në Kosovë se Beogradi zyrtar po keqtrajton tre policët e Kosovës.

“Është absolutisht gënjeshtër se Beogradi po i trajton keq, që atyre nuk po u jepen ilaçe, që po keqtrajtohen. Kur i thotë këto Prishtina, ajo niset prej vetes, sepse po keqtrajton serbët e arrestuar, po i rrah ata dhe nuk po i lë të lirë”, tha Petkoviç.

Ai shtoi se Serbia “është shtet serioz” dhe vepron në bazë të ligjit.

“Çdo person i arrestuar ka dhomën e tij, ata marrin ilaçe, ushqim dhe pije. Ata nuk janë në hajat, por për dallim nga serbët e arrestuar, këta të tre janë sikur në Katër Stinët [Four seasons]. Mos gënjeni më. Po kërkoni lirimin e atyre që hynë në territorin e Serbisë me pushkë të gjata. Merruni me serbët që janë të arrestuar padrejtësisht, që po keqtrajtohen”, tha Petkoviç.

Ai shtoi se ishte i “tronditur” nga reagimet e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, që kërkuan lirimin e pjesëtarëve të policisë së Kosovës, që Beogradi thotë se i ka arrestuar në Serbinë qendrore.

“Askush se përmend që është e nevojshme të lirohen serbët e pafajshëm. Për çfarë hipokrizie po flasim. Ne nuk vendosim sepse procedurat ligjore kanë nisur dhe tani jemi në proces ligjor. Prokuroria dhe gjykata vendosin për këtë çështje e jo ambasadat”, tha Pektoviç.

Ora 16:33
Normalizimi i marrëdhënive me Serbinë, Kurti: Propozimi i BE-së për marrëveshjen e Ohrit, i pa balancuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur i pakënaqur me planin e BE’së për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

Ai ka theksuar se sekuencimi, çfarë ka propozuar BE-ja, nuk mund të ketë më shumë se gjysmën të dedikuar për nenet 7 dhe 10 – që flasin për vetëmenaxhim dhe zbatim të plotë të marrëveshjeve.

Kurti tha se është i angazhuar në dialog, por tha se po mungon zbatimi i sekuencimit të plotë e pa kushte e pa vonesa i Marrëveshjes bazike dhe Ankesit të zbatimit.

“Një sekuencim që do të ishte i balancuar dhe fer, por që praktikisht është krejt i ndryshëm prej asaj që na është ofruar më 26 prill. Jemi të përkushtuar e konstruktivë, por s’mundet që çfarëdo sekuencimi që të ketë më shumë se gjysmën dedikuar neneve 7 dhe 10. Unë e kuptoj që nenet 7 dhe 10 janë nene të marrëveshjes bazike dhe unë jam i interesuar që t`i përfshijë patjetër në sekuencim, por dedikimi atyre nuk mund të jetë me aso prioriteti dhe përmase”, ka thënë Kurti.

Ora 16:18
KFOR dënon sulmet ndaj gazetarëve: Policia mbetet përgjegjëse për sundim të ligjit në gjithë Kosovën

1686130946_kfor.JPG

KFOR-i tha se dënon ashpër sulmet ndaj gazetarëve në veri të Kosovës gjatë ushtrimit të profesionit të tyre. Në një përgjigje për mediat në Kosovës, KFOR tregoi edhe pse nuk ka reaguar kur gazetarët u sulmuan dje.

‘Pas incidenteve të 29 majit, kur një numër i madh i paqeruajtësve të KFOR-it u plagosën në sulme të paprovokuara, trupat e KFOR-it janë vendosur rreth ndërtesave të komunave veriore për të ndihmuar në parandalimin e përleshjeve të mëtejshme. KFOR-i mbetet reaguesi i tretë dhe Policia e Kosovës mbetet përgjegjëse për sigurimin e sundimit të ligjit në mbarë Kosovën’.

KFOR thotë se liria e shtypit dhe liria e shprehjes janë vlera themelore të cilat duhet të respektohen nga të gjithë.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna ose veprimet e mëtejshme që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm dhe të sigurojnë që mediat të mund të kryejnë punën e tyre themelore në mënyrë të sigurt”.

Kjo deklaratë e KFOR vjen pas sulmeve të djeshme të gazetarëve në Leposaviq. Në disa pamje që u publikuan nga atje shihej që ushtarët prezentë të KFOR-it nuk reaguan derisa gazetarët iknin nga sulmet.

KFOR-i thotë se vazhdon të kryejë mandatin e tij në mënyrë të paanshme, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 dhe se “mbështet plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si e vetmja rrugë përpara”.

Gjithashtu, në përgjigje thuhet se komandanti i KFOR-it është në kontakt të rregullt me të gjithë homologët e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave të sigurisë në Kosovë, si dhe me përfaqësues të Forcave të Armatosura të Serbisë, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), OSBE-së dhe komunitetit diplomatik.

Ora 15:13
Dhuna ndaj gazetarëve në Leposaviç, ambasadori gjerman në Kosovë: Brutaliteti i skenave, tronditës! Lista Serbe duhet të reagonte

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka reaguar pas sulmeve që i janë të bërë të premten gazetarëve dhe kameramanëve në komunën e Leposaviçit.

Përmes një postimi në Twitter ai ka shkruar se brutaliteti i dhunës fizike është tronditës.

Sipas tij, për këtë akt brutal do të duhej të reagonin edhe përfaqësuesit e Listës serbe.

“Brutaliteti i kësaj skene është tronditës. Ku duhet të përfundojë kjo? Shumë e kanë dënuar këtë akt të papranueshëm dhune, por fatkeqësisht deri më tani nuk shoh asnjë reagim nga përfaqësuesit e LS-së. Pse?”, ka thënë ai.

Ora 13:50
Ftesa e Borrell/ Pas Kurtit edhe Vuçiç i pavendosur për pjesëmarrjen në takimin në Bruksel

Pas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i cili është i pavendosur për të pranuar ftesën e përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, për një takim urgjent për menaxhimin të krizave, në kuadër të dialogut në Bruksel, të njëjtin qëndrim po mban edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Kështu të paktën ka bërë të ditur i ashtuquajturi drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç në një konferencë për media.

Duke folur për ftesën e kryediplomatit spanjoll, Petkoviç tha se Vuçiç ende nuk ka vendosur nëse do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Borrell për një takim të nivelit të lartë, me arsyetimin se kryeministri i Kosovës “nuk po jep hapësirë për bisedime” duke iu referuar situatës aktuale në Veri të Kosovës.

“Dialogu nënkupton biseda për normalizimin e marrëdhënieve, dhe ajo që po shohim nga Kurti është krejtësisht jonormale dhe e kundërta e dialogut. Vendimin përfundimtar për vazhdimin e mundshëm të bisedimeve me Prishtinën do ta marrë presidenti serb Vuçiç”, ka thënë Petkoviç. As Albin Kurti nuk ka vendosur ende se a do të marrë pjesë në takimin në fjalë. “Ende nuk kam vendosur, por do ta informojë Borrellin me kohë”, ka thënë fillimisht ai.

Edhe Kryeministri i vendit Albin Kurti, është deklaruar në lidhje me ftesën e Borell, për takim të nivelit të lartë, me palën serbe. Kurti ka thënë se ende nuk ka vendosur se a do të shkoj apo jo në Bruksel. Krejt kjo sipas tij, sepse kur Ai i tha Borrellit se duhet të takohen, përgjigjja e z.Borrel ishte se njëherë duhet të shtensionohet situata. Sipas Kurtit, tash pas rrëmbimit të policëve, kur situata është tensionuar edhe më shumë, z.Borrell e ka ftuar në takim. Por Kurti ka thënë se do ta njoftoj z.Borrell nëse do të shkoj ose jo në takim.

“Në lidhje me ftesën e zotit Borrell që të takohemi në Bruksel, e kam pak të çuditshme sepse kur e pyetëm për një takim në Bruksel javën e kaluar, ai tha se së pari na duhet shtensionim i situatës. Dhe menjëherë pas rrëmbimit të tre policëve nga njësia speciale e Serbisë, Borrell kërkon takim të nivelit të lartë. Kur përshkallëzimi është i madh sa një mal, atëhërë marr ftesë për takim në Brukesl. Kurse, kur këkrkova vetë takim, thanë se më nevojitet të shtensionoj situatën”.

“Ende nuk kam vendosur se a do të shkoj, mirëpo do ta informoj me kohë zotin Borrell”, ka thënë kryeministri.

Ora 13:46
SHBA kërkoi lirimin e policëve të Kosovës, reagon Serbia: Hipokrizi! Kurti kërkon të ndezë luftën në rajon

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç ka dhënë një konferencë për mediat pas situatës në veri, ku tre policë të Kosovës janë rrëmbyer nga forcat speciale serbe. Petkoviç komentoi për mediat deklaratat e ndërkombëtarëve, SHBA e Britanisë, që kërkuan lirimin e menjëhershëm të tre efektivëve.

Petkoviç thotë se është hipokrizi fakti që ata kërkojnë lirmin e policëve, ndërsa shton se nuk e vendosin ata kur lirohen policët, por se do të veprojnë sipas ligjit. Ai u shpreh se janë të shokuar përse asnjë nga ndërkombëtarët nuk e ‘përmend’ se serbët e ‘arrestuar’ ditët e kaluara duhet të lirohen dhe, siç thekson ky zyrtar, pa asnjë arsye.

“Jemi të shokuar nga njoftimet e SHBA-së dhe Britanisë, në të cilat nuk e di se çfarë kërkon Serbia për lirimin e të arrestuarve të ashtuquajtur. policët, dhe askush nuk përmend se është e nevojshme lirimi i serbëve të pafajshëm. E shihni se çfarë hipokrizie është. Nuk vendosim ne se kur do të lirohen policët, ne jemi shtet ligjor, për këtë vendos prokuroria dhe gjykata. Kjo nuk vendoset në ambasadë, as me ndonjë njoftim”, tha ai duke përsëritur fjalët e Vuçiçit se Serbia është një vend serioz.

Ai i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të arsyetojë me kryeministrin e Kosovës, pasi sipas tij Kurti kërkon të ndezë një luftë jo vetëm në veri, por në të gjithë rajonin.

"Ky është një zjarrvënës ballkanik që dëshiron luftë në të gjithë Ballkanin. Autoritetet ndërkombëtare po i bëjnë thirrje që të tërheqë tre kryebashkiakë dhe policë shqiptarë, serbët kërkojnë që të gjithë serbët e arrestuar të lirohen, ai po sjell policë të rinj.

Petkoviç thotë se kanë shtuar praninë e forcave policore në veri.

Mbrëmë dhe gjatë gjithë natës, në rrugët e Mitrovicës dhe Zveçanit dukshëm ishte e dukshme prania e automjeteve policore dhe pjesëtarëve të njësive speciale. Ata u panë veçanërisht në pika pranë stacioneve të policisë, lagjeve etnikisht të përziera të Mëhallës Bošnjačka dhe tre diamantëve. Edhe në qendër të qytetit këto mjete patrullonin. Janë disa përdorues të rrugës, si dhe këmbësorë të cilët janë ndaluar dhe identifikuar, gjë që ka ndodhur edhe me gazetarin tonë.

Ora 12:17
Kurti ndaloi hyrjen në Kosovë të makinave me targa serbe! Kaos në Morinë, kamionët me prodhime shqiptare dy ditë të bllokuara

Për shkak të ndalesës së hyrjes në Kosovë të kamionëve me targa të Serbisë dhe mallrave me origjinë serbe 5 janë të bllokuar në Morine. Disa prej shofereve ankohen për kushtet e vështira te qëndrimit ne kufi dhe vonesën e dërgesave.

Pesë kamionë me mallra janë bllokuar prej tre ditësh në pikën kufitare të Morinës në kufirin Shqipëri-Kosovë.

Shkak është bërë vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të ndaluar çdo automjet të transportit të mallrave me targa serbe për të hyrë në territor, por kjo ka dhënë efekte negative edhe për prodhimet shqiptare. Drejtuesit e kamionëve flasin për vështirësitë te tyre.

”Prej tre ditësh jemi këtu, për shkak se qeveria e Kosovës nuk lejon hyrjen e automjeteve me targa serbe. Kemi mallra shqiptarë të ngarkuar për ti dërguar në Ferizaj. Nuk është normale kjo. Kemi ble ushqime të shpejta. Jemi detyruat të marrim taxi për të shkuar në qytet për të blerë ushqime”.

“Po flemë në kabinën e automjetit, te bllokuar ne kufi.Duhet te blejnë ushqime te gatshme çdo dite. Jemi ne vështirësi për nevojat jetësore. Dje kanë qenë më shumë kamion në kufi dhe janë kthyer. Kanë ikur nga Mali i Zi për tu futur në Serbi”.

Më 15 qershor qeveria e Kosovës vendosi të bllokojë hyrjen në territorin e saj të gjithë kamionëve ne targa serbe dhe produkteve që kanë origjinë serbe. Kurti tha se këto masa tona nuk janë tregtare, por "masa të sigurisë" që erdhën pas rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, të cilët ende mbahen në paraburgim.

SI.E./M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Edi: 17/06/2023 16:57

    Ky Kurti asnje propozim nuk pranon , i Be jo , i Rames jo , i Usa jo por cfare pretendon ky te behet si ti teket ketij ? Mund te besh ne koke tende por nuk te ndihmon njeri kur te kesh prb o zoteri , ulu me kembe ne toke leri aventurat se mer popullin ne qafe

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Protesta e PD/ Kulluri: Pjesëmarrja për turp! Elezi: Pse nuk bllokojnë godinën e ‘narko shtetit’, po u nxijnë jetën qytetarëve?

Protesta e PD/ Kulluri: Pjesëmarrja për turp! Elezi: Pse nuk bllokojnë godinën e ‘narko shtetit’, po u nxijnë jetën qytetarëve?