Mbledhja e komisionit parlamentar të Ligjeve nisi me debate edhe këtë të hënë. Opozita insiston për largimin e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, duke e kthyer çdo diskutim në komisionet e Kuvendit në rend dite këtë çështje.

Deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj tha se "shqiptarët duan të dinë se çfarë bëhet me Agron Xhafajn dhe pse nuk ikën Fatmir Xhafaj si ministër i Brendshëm". 

Në mbledhjen e sotme të komisionit të Ligjeve, e ftuar ka qenë ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, për raportin vjetor të dikasterit që ajo drejton. Opozita kërkoi diskutim me ministren për Xhafajn, por kërkesa e tyre u hodh poshtë nga kreu i Ligjeve, Ulsi Manja. 

Pas debatit, deputetët socialistë dhe ministrja e Drejtësise, u larguan nga komisioni, duke lënë aty vetëm deputetët demokratë.

Debati te komisioni i Ligjeve:

Enkelejd Alibeaj: Pse ka ardhur ministrja kur nuk flet për Tahirin e Xhafajn? Për çfarë do flasë ministrja e Drejtesise? Për koleksionin pranverë-verë të 'miu-miusë'.

Ulsi Manja: Nuk kam ardhur të humbas kohë me ty. 

Enkelejd Alibeaj: Kush je ti që nuk humbet kohë... bujrum.. ik mbathja...

Ulsi Manja: Nuk jam nga ata burra që ia mbath... E kam shumë të lehtë unë. Ore mbyll mbledhjen unë, ik bëj konferencë shtypi t'i pastaj, nuk ikim nga ju ne.

Enkelejd Alibeaj: Kjo historia e kapjes së drejtësisë, ka sjellë sot frytet e hidhura për gjithë shqiptarët, ku e ke Tahirin, ku e ke Xhafajn?

Ulsi Manja: Ty të ka marrë malli të dalësh në TV, por jemi për punë këtu.

Përparim Spahiu: Ulsi, ti ke hallin e ndeshjes...

Ulsi Manja: Do flisni, por tek selia e PD. Këtu ka rregullore. 

Enkelejld Alibeaj: Nuk ka shans të më mbyllësh fjalën.

Ulsi Manja: Ore ti lexon rregulloren e Saliut, ç’të të them unë. Deri kur të vijë ndeshja do të flasësh në orën 2, aty e keni hallin ju, për ju Shqipëria është kampionat botëror.

Enkelejd Alibeaj: Nëse ti i ke nxjerre tapine edhe komisionit, por nuk je ti pronari, te vjen hidhur ty, puna jote. Ca behet me Agron Xhafajn sot, kete duan te dine shqiptaret.
 
Enkelejd Alibeaj: Nuk je ti pronari këtu! Keni nisur pelegrinazh...po e lini administratën pa punë...